Forcimi i kapaciteteve të punonjësve socialë në kujdesin shëndetësor parësor është thelbësor për një qasje më të integruar ndaj nevojave shëndetësore dhe sociale të individëve, familjeve vulnerabël.
Në këtë kuadër, ka filluar trajnimi tre-ditor për punonjësit socialë në Kujdesin Shëndetësor Parësor, ku po marrin pjesë punonjës socialë nga 28 qendra shëndetësore në 14 njësi vendore të kujdesit shëndetësor.
Programi, me një ngarkesë prej 18 orësh, bazohet në Manualin Praktik të Punonjësit Social në Kujdesin Shëndetësor Parësor – i miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në prill 2026 – dhe synon të aftësojë pjesëmarrësit për ofrimin e shërbimeve të integruara socio-shëndetësore përmes qasjes biopsikosociale, përdorimit të instrumenteve të standardizuara dhe praktikave të bazuara në evidencë.
Trajnimi mbulon tri fusha kryesore të zhvillimit profesional. Dita e parë përqendrohet te korniza dhe roli profesional në KSHP, ku trajtohet kujdesi i integruar, modeli biopsikosocial, përcaktuesit socialë të shëndetit, funksionet dhe kompetencat e punonjësit social, si dhe kuadrin ligjor, etikën, të drejtat dhe komunikimin profesional.
Dita e dytë përqendrohet te procesi i punës sociale dhe menaxhimi i rastit dhe pjesëmarrësit punojnë me identifikimin dhe vlerësimin fillestar, instrumentet standarde të vlerësimit, hartimin e planeve individuale të ndërhyrjes, monitorimin, vlerësimin e rezultateve dhe ndjekjen e rastit.
Ndërsa dita e tretë trajton praktikën e avancuar dhe integrimin dhe ka në qendër bashkëpunimin multidisiplinar, menaxhimin e rasteve komplekse, referimin e strukturuar, dokumentimin, raportimin dhe treguesit e performancës.
Programi kombinon prezantime dhe diskutime të rasteve studimore, punë në grupe, demonstrime, lojë me role dhe ushtrime praktike me formularët dhe instrumentet e Manualit.
Përmes këtij trajnimi synohet të mbështetet një rol më i strukturuar i punonjësit social në kujdesin shëndetësor parësor dhe një qasje më e integruar ndaj nevojave të individëve dhe familjeve.