Vizitë në terren: Ecuria e zbatimit të kujdesit në banesë dhe protokolleve të SJT-ve

Më 12 qershor një ekip i përbër nga drejtuesit dhe stafi teknik i projektit HAP vizitoi Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor të Kavajës dhe më tej Qendrat Shëndetësore të Golemit dhe Rrogozhinës për të kuptuar më mirë ecurinë e zbatimit të shërbimeve të kujdesit në banesë dhe të protokolleve klinike për sëmundjet jo të transmetueshme, shëndetin mendor dhe kujdesin për të moshuarit.

Në Kavajë, përfaqësuesit e HAP – Drejtori i Projektit Prof. Kaspar Wyss, Menaxheri i Projektit Z. Besim Nuri, Specialistja e Cilësisë së Kujdesit Ehadu Mersini dhe Specialistja e Infermieristikës Znj. Sajmira Adëraj – u pritën nga Drejtori i NjVKSh-së, Klodian Shehi, Përgjegjësja e Shërbimeve të Kujdesit Parësor Erla Veliu dhe Koordinatorja e Kujdesit në Banesë Alba Muka. Të dyja palët vlerësuan bashkërisht bashkëpunimin e frytshëm për realizimin e ndërhyrjeve të projektit si edhe nevojat dhe mundësitë e mëtejshme për mbështetje.

Vizitat vazhduan në Qendrën Shëndetësore të Golemit dhe më pas në atë të Rrogozhinës ku ekipi i HAP u mirëprit nga drejtuesit dhe stafi mjekësor.

Bashkëpunimi me këto qendra ka nisur rishtazi, në prill 2025, kur HAP mbështeti zbatimin e kujdesit në banesë përmes furnizimit me pajisje paramjekësore, trajnimin e infermierëve për procedura standarde infermierore dhe ngritjen e Grupeve të Kolegëve për ndarjen e njohurive dhe përvojave.

Gjatë bisedës, drejtuesit dhe stafi mjekësor theksuan ndikimin e rëndësishëm që ka pasur mbështetja e HAP në ofrimin e një kujdesi më cilësor, si në banesë ashtu edhe në qendër shëndetësore.

Ajo çka ra në sy gjatë bisedave ishte ndikimi pozitiv i HAP në formimin e një kulture të re pune dhe bashkëpunimi mes profesionistëve, si përmes trajnimeve të vazhdueshme ashtu edhe përmes Grupeve të Kolegëve, si dhe vullneti i shprehur njëzëri për të vazhduar risitë e prezantuara nga HAP përtej përfundimit të projektit.