HAP shpërndan pajisje për KSHB në 32 Qendra Shëndetësore

Në kuadër të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në banesë, projekti HAP furnizoi 32 Qendra Shëndetësore në 10 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor me pajisje për të lehtësuar dhe përmirësuar ofrimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë.

Ky investim është hapi i radhës për shtrirjen e zbatimit të këtij shërbimi të ri shëndetësor dhe vjen pas trajnimit të mjekëve dhe infermierëve të familjes mbi ofrimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë për pacientët kronikë që e kanë të pamundur të paraqiten fizikisht në qendrat shëndetësore.

Qendrat që përfituan nga ky investim janë qendra të përzgjedhura nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Tiranë, Kavajë, Elbasan, Pogradec, Lezhë, Mirditë, Kukës, Dibër, Mat dhe Bulqizë.

Konkretisht, u shpërndanë:

  • Sete pajisjesh për ekipet e KShB-së për të lehtësuar ofrimin e kujdesit shëndetësor në shtëpi;
  • Laptopë për koordinatorët e KShB-së, duke rritur efikasitetin në ndjekjen dhe administrimin e rasteve;
  • Pajisje IT për NjVKSh-të përkatëse, për një menaxhim më të mirë të të dhënave dhe komunikimit mes strukturave.

Seti i pajisjeve për KSHB-në përmban 25 mjete të nevojshme për ofrimin e shërbimit si karrocë me rrota, karrige tualeti/dushi, paterica, mbështetëse për ecje, dyshek me ajër, jastëk me ajër, manshetë limfedeme, aparat nebulizator, set për mikrokirurgji, teste të shpejta urine, sonda nazogastrike, set për lavazh veshi, kateter urinar, qese për klizmë e shumë të tjera.

Ky investim jo vetëm që përmirëson shërbimin shëndetësor, por gjithashtu përmirëson cilësinë e jetës për pacientët që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm në shtëpi.

Mjekët dhe infermierët e përfshirë në këtë shërbim të rëndësishëm do të kenë mjetet e duhura për të ofruar kujdes shëndetësor më cilësor në banesë.

Ky hap përfaqëson një tjetër përpjekje drejt një sistemi shëndetësor parësor më të aksesueshëm dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri.