HAP shpërndan 831 çanta me instrumente të ekzaminimit fizik për mjekë dhe infermierë familjeje

Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) mbylli me sukses shpërndarjen e 831 çantave me instrumente të ekzaminimit fizik për 46 qendra shëndetësore në 10 NJVKSH të vendit.

Kjo ndërhyrje ka për qëllim fuqizimin e mjekëve dhe infermierëve të familjes për të ofruar një shërbim më cilësor për pacientët duke i pajisur ata me çanta të kompletuara me instrumente të domosdoshme për ekzaminimet fizike. Shpërndarja është realizuar me sukses në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat, Pogradec, Lezhë, Shkodër, Mirditë dhe Kukës.

Çanta përmban stetoskop për fëmijë dhe të rritur, aparat tensioni me manshetë për fëmijë/të rritur/obezë, otoskop, oftalmoskop, tregues të fluksit respirator, çekiç neurologjik, termometër digjital, metër, dritë xhepi, kalendar të indeksit të masës trupore, kalendar shtatzënie, pulsoksimetër, gërshërë, dhe lak hemostatik.

Përfituesit e këtyre çantave – 211 mjekë dhe 620 infermierë – u shprehën shumë të kënaqur me këto pajisje të cilat do t’ua lehtësojnë dhe përmirësojnë shërbimin shëndetësor që u ofrojnë qytetarëve.

Projekti HAP, i mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe i zbatuar nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH), vazhdon të mbështesë fuqizimin e infrastrukturës dhe kapaciteteve në kujdesin shëndetësor parësor në Shqipëri.