HAP publikon rrjetin e shërbimeve socio-shëndetësore për bashkitë Durrës, Fier dhe Lezhë

Pas publikimit të rrjetit të shërbimeve socio-shëndetësore për bashkitë Elbasan, Korçë dhe Shkodër, Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) ka publikuar tashmë hartëzimin e shërbimeve socio-shëndetësore edhe në tre bashki të tjera: Durrës, Fier dhe Lezhë.

Në bashkëpunim të ngushtë me organizatat lokale të shoqërisë civile, HAP vijoi kontributin e tij për integrimin e shërbimeve sociale dhe shëndetësore duke ofruar mekanizma që nxisin koordinim më të mirë të referimit të individëve që kanë nevojë për mbështetje përtej mundësive të kujdesit parësor shëndetësor.

Ashtu si në bashkitë e mëparshme, kjo nismë rezultoi në publikimin e një dokumenti të detajuar me titull “Rrjeti i Shërbimeve Socio-Shëndetësore”. Një kopje fizike e këtij materiali praktik do të vihet së shpejti në dispozicion të të gjithë punonjësve socialë që ushtrojnë funksionin e tyre në qendrat shëndetësore të Durrësit, Fierit dhe Lezhës, duke i ndihmuar ata të udhëzojnë pacientët drejt shërbimeve sociale të përshtatshme që ofrohen në komunitet. Ndërkohë, një kopje elektronike e dokumentit është tashmë e disponueshme për shkarkim në faqen zyrtare të HAP.

Procesi i hartëzimit të bashkive Durrës, Fier dhe Lezhë u zhvillua gjatë periudhës tetor 2024 – shkurt 2025 dhe përfshiu konsultime me një gamë të gjerë aktorësh, përfshirë strukturat bashkiake, OJQ-të vendore, Drejtorinë e Mbrojtjes dhe Përfshirjes Sociale, Shërbimin Social Shtetëror Rajonal dhe Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor. Kontributi i përbashkët i tyre ka sjellë një panoramë gjithëpërfshirëse dhe të përshtatur për secilën zonë, mbi shërbimet që mbulojnë kujdesin shëndetësor, mbështetjen sociale dhe psikosociale, reagimin ndaj dhunës në familje, mbrojtjen e fëmijëve, si edhe përkrahjen për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Duke pajisur profesionistët e vijës së parë me mjete referimi të përditësuara dhe të lokalizuara, HAP po kontribuon në krijimin e një sistemi kujdesi më gjithëpërfshirës dhe efikas, duke ndihmuar në kapërcimin e hendekut mes shërbimeve shëndetësore dhe atyre sociale, dhe duke nxitur mirëqenien e komuniteteve përmes aksesit dhe bashkëpunimit më të mirë.

Dokumentet mund të shkarkohen më poshtë:

Rrjeti i Shërbimeve Socio-Shëndetësore Durrës

Rrjeti i Shërbimeve Socio-Shëndetësore Fier

Rrjeti i Shërbimeve Socio-Shëndetësore Lezhë