Ftesë për Tender: Trajnime për monitorimin e zbatimit të shërbimeve të kujdesit në banesë nga ekipet e Kujdesit Shëndetësor Parësor

Ofrim i aktiviteteve trajnuese për forcimin e kapaciteteve të autoriteteve lokale shëndetësore (operatori rajonal i shërbimeve të kujdesit shëndetësor, njësitë vendore të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor) për monitorimin e zbatimit të shërbimeve të kujdesit në banesë nga ekipet e Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP)

Shëndet për të Gjithë është një projekt i Agencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i cili po zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH) përmes qendrës HAP. Qëllimi i projektit është që popullsia shqiptare të përfitojë shëndet më të mirë në sajë të shërbimeve të përmirësuara dhe gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor parësor.

Qendra HAP po kërkon shërbimet e një ofruesi shërbimi për të ofruar aktivitete trajnuese për forcimin e kapaciteteve monitoruese të autoriteteve shëndetësore lokale (operatori rajonal i shërbimeve të kujdesit shëndetësor, njësitë vendore të shërbimeve të kujdesit shëndetësor dhe fondi i sigurimit të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor) për zbatimin e shërbimeve të kujdesit në banesë nga ekipet e Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP). Ju lutemi vini re se ofruesi i shërbimit mund të jetë një kompani, një organizatë dhe/ ose person fizik. Termat e Referencës mund të gjenden KËTU.

Aplikantët e interesuar janë të lutur të paraqesin oferta me dokumentet e mëposhtme:

*Profili i ofruesit të shërbimit (CV), duke vërtetuar përvojat e mëparshme të trajnimit me ofruesit e kujdesit shëndetësor.

*CV të trajnuesve që do të angazhohen, duke vërtetuar:
a – një minimum eksperience 3-5 vjeçare në kujdes shëndetësor dhe aktivitete edukuese
b – përvojë të mëparshme në auditimin klinik në kujdesin shëndetësor (e preferueshme)

*Tarifë ditore për trajnim, në Lekë, TVSH dhe taksa të tjera të përfshira. Kjo tarifë ditore duhet të përfshijë punën përgatitore për përvetësimin e materialeve të trajnimit që do të sigurohen nga Qendra HAP dhe zhvillimin e materialeve përkatëse në PPT apo materialeve të tjera të punës.  Ju lutemi vini re se çdo seancë trajnimi do të ofrohet nga dy trajnerë.

*Koston e transportit për trajnerët në Lekë/km, përfshirë taksat

*Dokumentat e regjistrimit të aplikantit (NIPT, QKB, etj) dhe nje Vërtetim për detyrimin tatimor, ku thuhet nëse janë subjekt i TVSH-së apo jo.

Propozimet duhet të dorëzohen në datën 10 korrik, ora 16:00, në kopje të shtypura në format letër, të futura në zarf të mbyllur, me shënimin “Mbështetje për aktivitete trajnuese” në adresën e mëposhtme:

Qendra HAP

Rruga “Themistokli Germenji”, Pallati Helios, Kati II, Ap.1, Tirana, Albania