Akademia Shqiptare e Mjekëve të Familjes (ASHMF) ka rifilluar veprimtarinë në një format të ri, me synimin për të forcuar bashkëpunimin profesional dhe shkencor dhe për të kontribuuar në zhvillimin e mjekësisë së familjes në Shqipëri.
Ky rikthim synon ta konsolidojë Akademinë si një hapësirë për shkëmbimin e përvojave, përditësimin e njohurive dhe mbështetjen e mjekëve të familjes. Pjesë e kësaj faze është edhe hapja e faqes së internetit www.ashmf.al, e cila do të mbështesë komunikimin me anëtarët, partnerët dhe publikun.
Nën drejtimin e Dr. Artenca Çollakut, ASHMF është në prag të organizimit të Konferencës Kombëtare të Mjekësisë së Familjes, me temë “Praktikat më të mira në sëmundjet kronike dhe geriatri”. Ky aktivitet organizohet me mbështetjen kryesore të Qeverisë Zvicerane përmes projektit Shëndet për të Gjithë (HAP) në përputhje me misionin e tij për përmirësimin e cilësisë së kujdesit për pacientët me sëmundje kronike dhe të moshuarit.
Konferenca synon të bashkojë ekspertë nga Shqipëria dhe jashtë vendit për të ndarë kërkime shkencore, përvoja klinike dhe praktika bashkëkohore në kujdesin shëndetësor parësor. Temat përfshijnë zbatimin e protokolleve klinike, menaxhimin e hipertensionit dhe diabetit, polifarmacinë, brishtësinë te të moshuarit dhe bashkëpunimin ndërmjet profesionistëve për një kujdes më të koordinuar.
Konferenca ishte planifikuar të mbahej më 16 tetor 2026, në Hotel Tirana International, por u shty për shkak të situatës së krijuar në Tiranë nga protestat. Data e ardhshme do të njoftohet përmes rrjeteve sociale dhe faqes zyrtare të ASHMF-së.