HAP zhvillon aktivitetin e parë të kapitalizimit: Bashkëpunimi me universitetet për zhvillimin e burimeve njerëzore në KSHP

Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) zhvilloi më 25 mars 2026 aktivitetin e parë në kuadër të fazës së kapitalizimit, me temë:
“Bashkëpunimi me universitetet për zhvillimin e burimeve njerëzore në kujdesin shëndetësor parësor.”

Tryeza e diskutimit u mbajt në Hotel Plaza, Tiranë, dhe mblodhi një gamë të gjerë aktorësh nga sistemi shëndetësor dhe akademik, përfshirë përfaqësues nga Fakulteti i Mjekësisë, Fakulteti i Ekonomisë dhe Fakulteti i Shkencave Teknike Mjekësore, si dhe institucione kyçe si Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe partnerë zhvillimorë.

Në fokus ishin tre komponentë kryesorë të mbështetur nga HAP:

  • programi i Masterit në Menaxhim Shëndetësor, i cili synon forcimin e kapaciteteve menaxheriale;
  • programi i Masterit në Infermieri Familjare, i lidhur ngushtë me zhvillimin e kujdesit komunitar dhe shërbimeve në banesë;
  • dhe kërkimi operacional, si një instrument për të mbështetur vendimmarrjen e bazuar në evidenca.

Diskutimet u orientuan rreth pyetjeve thelbësore për fazën e kapitalizimit:

  • çfarë ka funksionuar në praktikë dhe pse;
  • ku qëndrojnë boshllëqet dhe sfidat;
  • dhe si mund të përmirësohen cilësia, aksesueshmëria dhe qëndrueshmëria e këtyre ndërhyrjeve.

Një nga mesazhet kryesore që doli nga tryeza ishte se ndërhyrjet e mbështetura nga HAP tashmë kanë krijuar një bazë të qëndrueshme, por sfida kryesore mbetet integrimi i tyre më i plotë në sistem, veçanërisht në aspektet e punësimit, zhvillimit të karrierës dhe organizimit të shërbimeve.

Aktiviteti theksoi gjithashtu rëndësinë e:

  • lidhjes më të fortë midis kualifikimeve akademike dhe stimujve në sistem;
  • rritjes së fleksibilitetit në programet e studimit;
  • profilizimit më të qartë të roleve profesionale, veçanërisht në infermieri;
  • dhe përdorimit më sistematik të kërkimit në vendimmarrje.

Kjo tryezë shënon fillimin e një serie diskutimesh tematike që HAP do të zhvillojë gjatë muajve në vijim, me synimin për të konsoliduar njohuritë e krijuara dhe për të mbështetur vazhdimësinë e ndërhyrjeve në nivel politikash dhe institucionesh.