Nga zbatimi te kapitalizimi: Arritjet, mësimet dhe vijueshmëria

Projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) ka hyrë në një etapë të rëndësishme: kapitalizimin, një proces strategjik që synon të kthejë përvojën dhe njohuritë e krijuara gjatë më shumë se një dekade ndërhyrjesh në vlera të qëndrueshme për sistemin shëndetësor në Shqipëri.

Pas 11 vitesh zbatim, kjo fazë shënon një kalim të qartë nga implementimi i aktiviteteve drejt analizës së rezultateve, reflektimit kritik dhe orientimit të së ardhmes. Kapitalizimi synon të identifikojë çfarë ka funksionuar, ku qëndrojnë sfidat dhe si mund të përdoren këto mësime për të përmirësuar politikat dhe praktikat në kujdesin shëndetësor parësor.

Në këtë kuadër, HAP do të zhvillojë një seri aktivitetesh tematike që adresojnë ndërhyrjet kryesore të projektit ndër vite, duke përfshirë:

  • bashkëpunimin me universitetet dhe zhvillimin e programeve akademike;
  • shërbimet e kujdesit në banesë;
  • përmirësimin e cilësisë përmes protokolleve të standardizuara dhe edukimit të vazhdueshëm;
  • integrimin e shërbimeve socio-shëndetësore;

Qëllimi i kësaj faze nuk është vetëm dokumentimi i përvojës, por krijimi i produkteve konkrete, si analiza, raporte dhe rekomandime, që mund të përdoren nga institucionet për të mbështetur vendimmarrjen dhe zhvillimet e ardhshme.

Kapitalizimi përfaqëson kështu një hap kyç për të siguruar që rezultatet e arritura nga HAP të mos mbeten të izoluara në kuadër projekti, por të integrohen dhe të kontribuojnë në mënyrë të qëndrueshme në forcimin e sistemit shëndetësor.