Arben Xhuveli është mjek familjeje dhe njëkohësisht drejtor i Qendrës Shëndetësore Novoselë, Vlorë. Ai është diplomuar si mjek i përgjithshëm në Universitetin e Tiranës në vitin 1994 dhe ka punuar në fushën e mjekësisë familjare, në shërbimin shëndetësor parësor gjatë gjithë karrierës së tij.
Dr. Xhuveli mbulon me shërbim shëndetësor një popullatë prej 4300 banorësh ndërsa Qendra Shëndetësore Novoselë i ofron shërbime shëndetësore një populate prej 15 500 banorësh. Dr. Xhuveli ka dhënë ndihmesë të rëndësishme si facilitator në ngritjen dhe funksionimin e Grupeve të Kolegëve të QSH-së Novoselë.
- Ndikimi i Grupeve të Kolegëve në vetëbesimin profesional për zbatimin e protokolleve të SJT-ve
“Dijet dhe instrumentet e përfituara gjatë takimeve të Grupeve të Kolegëve po përdoren çdo ditë në praktikë dhe rezultatet janë konkrete.”
Dr. Xhuveli: Përfshirja në Grupet e Kolegëve ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e besimit profesional për zbatimin e udhëzuesve klinikë për sëmundjet jo të transmetueshme. Njohuritë e përditësuara dhe qasjet praktike të diskutuara në këto grupe kanë përmirësuar vendimmarrjen klinike dhe kanë standardizuar mënyrën e ndjekjes së pacientëve.
Një shembull konkret është përdorimi i kalendarit të matjes së tensionit arterial në shtëpi, për përdorimin e të cilit pacientët udhëzohen nga infermierja. Pjesa dërrmuese e pacientëve e plotësojnë këtë kalendar duke marrë një rol aktiv në monitorimin e shëndetit të tyre, çka ndihmon stafin shëndetësor në vendosjen e diagnozës. dhe fillimin e trajtimit sipas protokollit.
- Roli i Grupeve të Kolegëve në zbutjen e izolimit profesional
“Takimet e rregullta krijojnë hapësirë për shkëmbim përvojash dhe rrisin sigurinë në vendimmarrjen klinike.”
Dr. Xhuveli: Praktika në kujdesin shëndetësor parësor shpesh shoqërohet me ndjenjë izolimi profesional. Grupet e Kolegëve kanë ndihmuar në zbutjen e këtij fenomeni duke krijuar një ambient mbështetës, ku mjekët dhe infermierët ndajnë raste, sfida dhe zgjidhje konkrete.
Veçanërisht i rëndësishëm është forcimi i punës në ekipin mjek familjeje–infermier familjeje (MF–IF), që ka rritur ndjenjën e bashkëpunimit dhe përkatësisë profesionale, duke ndikuar pozitivisht edhe në cilësinë e shërbimit të ofruar.
- Ngarkesa administrative kundrejt vlerës profesionale të Grupeve të Kolegëve
“Ngarkesa administrative ndikon, por vlera profesionale e Grupeve të Kolegëve mbetet motivuese.”
Dr. Xhuveli: Roli i facilitatorit kërkon përgatitje dhe angazhim të vazhdueshëm dhe ngarkesa administrative shpesh kufizon kohën dhe energjinë e nevojshme për këtë rol. Por përfitimet profesionale dhe ndikimi i drejtpërdrejtë në përmirësimin e shërbimit shëndetësor e kompensojnë këtë vështirësi.
- Skema e rimbursimit si pengesë për zbatimin e protokolleve
“Jo gjithmonë njohuritë e përditësuara shoqërohen me mundësi reale zbatimi.”
Dr. Xhuveli: Skema e rimbursimit e FSDKSH-së ndikon drejtpërdrejt në zbatimin praktik të protokolleve klinike. Në disa raste, kufizimet financiare për ekzaminime apo medikamente specifike e vështirësojnë zbatimin e plotë të rekomandimeve klinike të diskutuara në Grupet e Kolegëve, pavarësisht njohurive të përditësuara.
- Sfidat aktuale të funksionimit të Grupeve të Kolegëve
“Procesi ka nisur, kjo është më e rëndësishmja; përmirësimi do të vijë gradualisht.”
Dr. Xhuveli: Mungesa e kohës, ngarkesa administrative dhe kufizimet logjistike mbeten vështirësitë kryesore në funksionimin aktual të GK-ve. Gjithashtu, mungesa e një mekanizmi të strukturuar për të ndjekur dhe vlerësuar zbatimin e rekomandimeve ul ndikimin e tyre praktik në shërbimin shëndetësor parësor.
Megjithatë, duke qenë një përvojë relativisht e re, këto vështirësi konsiderohen të pritshme. Stafet kanë nevojë për kohë për t’u përshtatur dhe për të ndërtuar një traditë të qëndrueshme pune.
- Trajnimi i vazhdueshëm i facilitatorëve si domosdoshmëri
“Për ta kthyer GK-në në traditë, duhet investuar te facilitatorët.”
Dr. Xhuveli: Trajnimi i vazhdueshëm i facilitatorëve është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë, strukturimit dhe efektivitetit të takimeve të GK-ve. Qëllimi është që Grupet e Kolegëve të institucionalizohen dhe të kthehen në një praktikë të qëndrueshme brenda Qendrës Shëndetësore.
- Kreditimi dhe njohja e angazhimit profesional
“Angazhimi real nuk pasqyrohet gjithmonë në sistemin aktual të kreditimit.”
Dr. Xhuveli: Sistemi i kreditimit për edukimin e vazhdueshëm është i dobishëm, por jo gjithmonë proporcional me kohën dhe angazhimin që kërkon pjesëmarrja aktive në GK, ndaj mendoj se ka nevojë për rishikim.
- Çfarë e rrit motivimin për pjesëmarrje aktive?
“Këto takime ndërtojnë jo vetëm dije, por edhe një frymë bashkëpunimi.”
Dr. Xhuveli: Organizimi më praktik i takimeve, njohja institucionale e angazhimit dhe lidhja e drejtpërdrejtë me nevojat reale të praktikës klinike do të rrisnin motivimin për pjesëmarrje të rregullt. Duhet theksuar që Grupet e Kolegëve ndihmojnë në diçka thelbësore: krijimin e një atmosfere më bashkëpunuese dhe miqësore mes kolegëve, një faktor kyç për mbarëvajtjen dhe efikasitetin e punës së Qendrës Shëndetësore.