HAP paraqet arritjet dhe sfidat e kujdesit shëndetësor në banesë në Simpoziumin Kombëtar

Më 25 korrik 2025, projekti Shëndet për të Gjithë (HAP) mori pjesë në Simpoziumin Kombëtar “Zgjerimi i Kujdesit Shëndetësor në Banesë në Shqipëri përmes Strukturave të Kujdesit Parësor”, i organizuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në bashkëpunim me Ambasadën e Zvicrës në Shqipëri.

Simpoziumi mblodhi së bashku përfaqësues të lartë, mes të cilëve ishin Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Mira Rakacolli, Ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, znj. Ruth Huber, si edhe përfaqësues të operatorëve rajonalë, drejtorë Qendrash Shëndetësore, profesionistë shëndetësorë, dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Gjatë aktivitetit u prezantuan dëshmi pacientësh, përvoja nga niveli lokal dhe perspektiva institucionale.

Si projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe një kontribues afatgjatë në forcimin e sistemit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri, HAP prezantoi arritjet dhe mësimet e nxjerra nga pilotimi dhe shtrirja e shërbimeve të kujdesit shëndetësor në banesë që prej vitit 2021.

Gjatë fjalës së saj në simpozium, znj. Sajmira Adëraj, përfaqësuese e HAP, ndau gjetjet kryesore mbi procesin e zbatimit të kujdesit në banesë dhe ndikimin e këtij shërbimi tek pacientët dhe familjet e tyre, duke theksuar si rezultatet e arritura ashtu edhe sfidat.

Ndër arritjet kryesore, HAP veçon:

  • Zgjerimin e kujdesit shëndetësor në banesë në 120 Qendra Shëndetësore në 17 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor, me synimin për të arritur 150 qendra deri në vitin 2026.
  • Trajnimin e mbi 1,000 infermierëve për ofrimin e shërbimeve cilësore në nivel komuniteti.
  • Mbërritjen tek më shumë se 4,840 pacientë dhe familjet e tyre përmes 51,000 vizitave në banesë në zonat e mbështetura nga projekti.

Megjithë progresin, u theksua se kujdesi shëndetësor në banesë në Shqipëri mbetet i brishtë dhe jo plotësisht i konsoliduar. Sfidat kryesore përfshijnë mungesën e ofrimit sistematik dhe të planifikuar të shërbimit, mungesat e medikamenteve dhe materialeve mjekësore, si dhe vështirësitë me transportin. U përmend gjithashtu rezistenca nga ana e personelit, përfshirja e kufizuar e mjekëve dhe nevoja për trajnim të vazhdueshëm të infermierëve. Problemet me raportimin e vizitave, mungesa e fondeve shtesë dhe monitorimi jo sistematik i shërbimit pas përfundimit të mbështetjes së projektit u theksuan si pengesa për qëndrueshmërinë afatgjatë.

Diskutimet në sesionin plenar nënvizuan rëndësinë e përfshirjes së kujdesit në banesë në politikat dhe kuadrin rregullator të shëndetësisë, mobilizimin e fondeve shtesë, fuqizimin e edukimit  bazë dhe në vazhdim të infermierëve dhe garantimin e monitorimit sistematik të shërbimit. Po ashtu, u ritheksua roli kyç i bashkëpunimit ndërinstitucional për të siguruar akses të qëndrueshëm në kujdesin shëndetësor në banesë për të gjithë ata që kanë nevojë.

HAP mbetet i përkushtuar të punojë ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për të forcuar më tej kujdesin shëndetësor parësor të integruar në Shqipëri.