
Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) mbylli me sukses Vitin e Dytë të Fazës së Konsolidimit (prill 2024 – mars 2025) me zhvillime të rëndësishme në shtrirjen e shërbimeve të kujdesit në banesë, bashkëpunimin ndërprofesional dhe forcimin e kapaciteteve të profesionistëve të kujdesit shëndetësor parësor.
Shtrirja e kujdesit shëndetësor në banesë
Ndoshta arritja më e prekshme gjatë këtij viti ka qenë rritja e ndjeshme e shërbimeve të kujdesit në banesë. Deri në fund të marsit 2025, 87 qendra shëndetësore në 17 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh) ofronin rregullisht kujdes në shëndetësor banesë, duke përfaqësuar 24.3% të të gjitha qendrave shëndetësore në Shqipëri dhe 32.8% të atyre në zonat e mbështetura nga HAP.
Këto shërbime ofrohen nga 845 infermierë të trajnuar nga HAP, të cilët kanë kryer 43,925 vizita në banesë për 4,178 pacientë gjatë vitit raportues. Mesatarisht, çdo pacient ka marrë mbi dhjetë vizita, çka dëshmon ndjekje të vazhdueshme nga profesionistët e kujdesit parësor. Megjithatë, baza e të dhënave e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh) nuk i diferencon vizitat sipas nivelit të vulnerabilitetit të pacientëve (ata që gëzojnë të drejtën për shërbim pasi përmbushin kriteret Karnofsky dhe të tjerë), çka na pengon vlerësimin e saktë të kujdesit që ofrohet për grupet më në nevojë.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, sistemi i kujdesit në banesë mbetet i brishtë. Jo të gjitha qendrat shëndetësore të mbështetura e kanë nisur ofrimin e shërbimit, dhe rritja e numrit të vizitave nuk përkthehet domosdoshmërisht në cilësi apo frekuencë më të lartë për pacientët më të cenueshëm. Për më tepër, ende nuk janë alokuar fonde shtesë nga qeveria për të garantuar qëndrueshmërinë afatgjatë të këtij shërbimi.
Fuqizimi i Bashkëpunimit në Kujdesin Parësor
HAP ka luajtur rol kyç në nxitjen e bashkëpunimit në ekipet ndërprofesionale, veçanërisht në përfshirjen e punonjësve socialë dhe psikologëve në sistemin e kujdesit parësor. Kështu, është hartuar një set i ri mjetesh operacionale për punonjësit socialë i cili pret miratimin nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS), ndërkohë që është në proces hartimi edhe një manual i dedikuar për psikologët.
Trajnimi i një Brezi të Ri Profesionistësh të Shëndetit
Zhvillimi i kapaciteteve ka qenë një ndër pikat kyçe të strategjisë së HAP. Deri më tani, janë trajnuar gjithsej 889 profesionistë, ku 845 janë infermierë të kujdesit në banesë dhe 44 punonjës të NjVKSh-ve. Këta infermierë përfaqësojnë pothuajse 20% të të gjithë infermierëve të kujdesit parësor në zonat e mbuluara nga HAP, duke formuar një masë kritike për shtrirjen e mëtejshme të shërbimit.
Gjithashtu, 190 mjekë dhe infermierë janë trajnuar si trajnues për protokollet e sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT) gjatë këtij viti. Që nga viti 2022, HAP ka trajnuar 985 profesionistë për menaxhimin e SJT-ve, duke mundësuar pjesëmarrjen e 818 ofruesve të shërbimit Grupe Kolegësh (GK).
Zhvillime të rëndësishme janë bërë edhe në fushën e kujdesit për të moshuarit dhe shëndetit mendor. Që nga viti 2022, janë trajnuar për kujdesin geriatrik 378 profesionistë ndërsa 136 janë trajnuar për shëndetin mendor vetëm gjatë vitit të fundit. Aktualisht rreth 110 Grupe Kolegësh po trajnohen lidhur me çrregullimet e shëndetit mendor me pjesëmarrjen e mbi 1,000 profesionistëve, përfshirë mjekë, infermierë dhe psikologë.
Prioritetet për Vitin e Tretë
Në vijim, HAP do të fokusohet në:
- Avokimin për financim të dedikuar publik për shtrirjen dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të kujdesit në banesë;
- Mbështetjen e përmirësimit të cilësisë dhe qëndrueshmërisë së Grupeve të Kolegëve si një mjet për edukimin në vazhdim;
- Fuqizimin e kapaciteteve rajonale për të menaxhuar në mënyrë të pavarur trajnimet e profesionistëve dhe monitorimin e shërbimeve të parësorit;
- Mbështetjen e praktikave ndërprofesionale, veçanërisht integrimin e psikologëve dhe punonjësve socialë në kujdesin parësor;
Ndërhyrjet e HAP gjatë vitit të dytë vijojnë të fuqizojnë kujdesin shëndetësor parësor duke përmirësuar kështu cilësinë dhe aksesin e qytetarëve dhe grupeve të cenueshme në veçanti ndaj shërbimeve shëndetësore. Në vazhdim, HAP do të përqendrohet në sigurimin e fondeve të qëndrueshme për kujdesin në banesë, forcimin e grupeve të kolegëve dhe ndërtimin e kapaciteteve vendore për të garantuar qëndrueshmërinë e këtyre ndërhyrjeve.