HAP organizon Seminarin e Planifikimit Vjetor: Ja prioritetet për periudhën prill 2025-mars 2026

Më 13 shkurt 2024, HAP organizoi Seminarin e Planifikimit Vjetor për vitin e tretë të Fazës së Konsolidimit, prill 2025 – mars 2026 duke mbledhur përfaqësues e bashkëpunëtorë të rëndësishëm të projektit për të përcaktuar prioritetet dhe aktivitetet kryesore për zhvillimin e kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri.

Seminari u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Zhenihen Zanaj nga Ambasada e Zvicrës dhe vijoi me prezantime nga z. Besim Nuri, Menaxheri i Projektit HAP dhe z. Kaspar Wyss, Drejtori i Projektit HAP.

Diskutimet gjatë seminarit u përqendruan në nevojën për rol më të fortë drejtues të institucioneve të shëndetësisë për shtrirjen e ndërhyrjeve të HAP; strategjitë për përshpejtimin e shtrirjes së Kujdesit Shëndetësor në Banesë; rritjen e financimit për shërbimet e kujdesit shëndetësor parësor; dhe qasjet e mundshme për sigurimin e qëndrueshmërisë së ndërhyrjeve të mbështetura nga HAP.

Pjesëmarrësit u ndanë në tri grupe, secili i përqendruar në produkte specifike të projektit, me qëllim diskutimin e nevojave konkrete dhe shtrimin e propozimeve mbi aktivitetet për periudhën prill 2025 – mars 2026.

Propozimet e bëra përfshinë pika të rëndësishme si rishikimi i Paketës Bazë për akomodimin e kujdesit shëndetësor në banesë si edhe të shërbimeve të reja: punonjës social, psikolog, etj.; përfshirja e universiteteve në trajnimin e infermierëve së bashku me trajnerët e QSh-ve; realizimi i videove mësimore mbi procedurat standarde infermierore; angazhimi i Fondit Rajonal në monitorimin e KShB-së; transport për ekipet infermierore në terren (biçikleta, karburant, makina); mbështetje për OShC-të dhe Mediat për ndërhyrje avokuese dhe pjesëmarrje në dialogun e politikave të mbuluara nga projekti; furnizimi me pajisje mjekësore personale për ekipet e KShP-së për zbatimin e udhëzuesve dhe protokolleve të SJT-ve; aftësimi i ekipit të KShP-së në përmirësimin e kujdesit ndaj të moshuarve dhe në menaxhimin më të mirë të çrregullimeve të shëndetit mendor e të tjera.

Propozimet e grupeve do të shqyrtohen për t’u përfshirë në Planin Vjetor të Aktiviteteve të Projektit.

Seminari i Planifikimit Vjetor është ndër aktivitetet kyçe për zbatimin e projektit dhe nënvizon rëndësinë e përcaktimit të prioriteteve mbi bazën e përvojës dhe nevojave konkrete të palëve të interesit si mënyra më e mirë për të siguruar që strategjitë dhe ndërhyrjet e ardhshme të jenë të qëndrueshme, të zbatueshme dhe me ndikim real në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.