Mbledhja e 19-të e Komitetit Drejtues: Sukseset dhe sfidat e shtrirjes së ndërhyrjeve të HAP

Mbledhja e 19-të e Komitetit Drejtues të projektit “Shëndet për Të Gjithë” (HAP) u mbajt më 4 dhjetor 2024, në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS), për të diskutuar raportin gjashtëmujor të progresit të HAP (prill – shtator 2024). Pjesëmarrës ishin, ndër të tjerë, përfaqësues nga Ambasada Zvicerane dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatori i Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Fondi i Sigurimeve Shëndetësore, të cilët diskutuan arritjet, sfidat dhe strategjitë e ardhshme për përmirësimin e kujdesit shëndetësor parësor dhe shërbimeve në banesë në nivel kombëtar.

Zëvendësministrja Mira Rakacolli vlerësoi arritjet e rëndësishme të HAP në zbatimin e shërbimeve të kujdesit në banesë në 54 qendra shëndetësore dhe theksoi prioritetin e MShMS-së për ta zgjeruar këtë shërbim në nivel kombëtar. Ajo përmendi se mungesa e pajisjeve është një ndër sfidat më të mëdha të ofrimit të këtij shërbimi dhe shtoi se MShMS po shqyrton përfshirjen e shërbimeve të kujdesit në banesë në Paketën e Shërbimeve Shëndetësore dhe blerjen e pajisjeve në buxhetin e vitit të ardhshëm. Ajo siguroi se plani i rishikuar buxhetor për vitin 2025 do të përfshijë dispozitat e nevojshme për të adresuar këtë vështirësi.

Sabine Piccard, Drejtuese e Sektorit të Shëndetësisë dhe Qeverisjes në Agjencinë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, rikonfirmoi mbështetjen zvicerane për këto përpjekje, duke u bërë thirrje institucioneve drejtuese që të sigurojnë qëndrueshmërinë e ofrimit të kujdesit në banesë në nivel kombëtar. Ajo risolli në vëmendje suksesin e qasjes kaskadë për trajnimin dhe fuqizimin e infermierëve për ofrimin e një shërbimi shëndetësor sa më cilësor.

Ndërkaq, integrimi i shërbimeve të shëndetit mendor në sistemin e kujdesit parësor shëndetësor të Shqipërisë ishte një tjetër çështje e rëndësishme që u trajtua gjatë diskutimeve. Zëvendësministrja Rakacolli informoi të pranishmit se brenda MShMS-së është ngritur një sektor i dedikuar për shëndetin mendor dhe se do të vijohet me shtrirjen e trajnimeve të ekipeve të mjekësisë familjare mbi menaxhimin e shëndetit mendor. Në këtë mënyrë, qendrat shëndetësore parësore do të fuqizohen për të ofruar dhe menaxhuar të gjitha aspektet e kujdesit mjekësor për të gjithë anëtarët e familjes.

Sa i përket digjitalizimit të proceseve shëndetësore, Drejtoresha e Kujdesit Parësor dhe Spitalor pranë Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Marsida Mulaj, informoi pjesëmarrësit mbi përfshirjen e gjashtë mjeteve të vendimmarrjes klinike për 5 SJT-të në aplikacionin e-vizita, të cilat tashmë janë gati për përdorim. Ajo theksoi gjithashtu se aplikacioni bën të mundur gjurmimin e procedurave mjekësore që infermierja realizon gjatë vizitës në banesë, çka mundëson mbledhjen efektive të të dhënave, në përputhje me objektivat e monitorimit të MShMS-së.

Diskutimet prekën gjithashtu sfidat, ku u fol gjerësisht mbi rezistencën e stafit ndaj praktikave të reja, vështirësitë e transportit për ofrimin e kujdesit në banesë dhe kufizimet financiare. Menaxheri i Projektit HAP, Dr. Besim Nuri, shprehu rëndësinë e mbështetjes financiare për shtrirjen e shërbimeve dhe fuqizimin e stafit mjekësor si edhe forcimin e bashkëpunimit midis institucioneve drejtuese shëndetësore dhe ofruesve të kujdesit shëndetësor.

Komiteti Drejtues miratoi raportin gjashtëmujor të progresit të HAP-it dhe vendosi mbajtjen e Seminarit të Planifikimit të Aktiviteteve në shkurt 2025 për të përcaktuar aktivitetet e vitit të tretë të fazës së konsolidimit.

Ndërsa projekti shkon drejt fundit, HAP vazhdon të mbështesë qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve gjë do ta ndihmonte Shqipërinë të përmbushte objektivat për transformimin e kujdesit shëndetësor.