Forcimi i sistemit shëndetësor: HAP investon në zhvillimin profesional të drejtuesve

HAP është krenar që mbështet forcimin e kapaciteteve të institucioneve kyçe shëndetësore përmes investimeve të vazhdueshme në trajnime ndërkombëtare me qëllim përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në vend. Si pjesë e këtij angazhimi, znj. Marsida Mulaj, në cilësinë e Drejtoreshës së Kujdesit Parësor dhe Spitalor pranë Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor, dhe z. Markens Shllaku, në cilësinë e zv. Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë Qendrore të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor përfunduan kurse pretigjioze mbi menaxhimin në shëndetësi të ofruara nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Tropikal.

Këto kurse u ofrojnë pjesëmarrësve një bazë të fortë mbi strategjitë globale të shëndetit dhe zhvillimit të politikave në nivel kombëtar e lokal, risitë kryesore në financimin dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore, dinamikat e ofertës dhe kërkesës,  sistemet dhe mekanizmat e pagesës, si edhe si ndikon organizimi i sistemeve shëndetësore në financimin, matjen e performancës dhe alokimin e burimeve. Kurset përqendrohen në zhvillimin e të menduarit kritik dhe i fuqizojnë pjesëmarrësit të vlerësojnë në mënyrë kritike strukturat e financimit të shëndetësisë, matjen dhe monitorimin e performancës me qëllim që të mund të propozojnë përmirësime që forcojnë performancën e sistemit shëndetësor.

Znj. Mulaj e cilësoi pjesëmarrjen në kursin “Health Economics and Health Financing” (Ekonomia dhe Financimi i Shëndetësisë) si “tejet të dobishme dhe plot sfida intelektuale” ku ndër aspektet më mbresëlënëse ishte “mënyra si analizoheshin implikimet financiare të shëndetësisë në kontekst global” veçanërisht “mekanizmat që përmirësojnë barazinë dhe efikasitetin e sistemit”. Ajo shtoi se njohuritë e marra gjatë kursit ishin mjaft të vlefshme për të menaxhuar më mirë sfidat me të cilat përballet FSDKSh, si “balancimi i qëndrueshmërisë financiare me mbulimin universal, ku financimi i shëndetësisë duhet të sigurojë akses të barabartë për të gjithë”.

Ndërkohë, i pyetur se si ka ndikuar kursi “Health Policy and Systems Analysis” (Politikat Shëndetësore dhe Analiza e Sistemeve) në mënyrën e të menduarit për financimin dhe zhvillimin e sistemeve shëndetësore, z. Shllaku tha se është koha që “profesionistët më të kualifikuar të marrin vendime bazuar në të dhënat dhe udhëzimet më të përditësuara ndërkombëtare”. Ai pranoi se pavarësisht strategjive vizionare, menaxherët e sistemeve shëndetësore “nuk ngrihen në nivelin e qëllimeve të tyre, por zbresin në nivelin e sistemit që kanë“, çka e bën të domosdoshme që “ne të adoptojmë një qasje shkencore dhe sistematike në këtë moment”.

Ndër risitë që kursi ofroi, z. Shllaku përmend procesin e hartëzimit të sistemit të cilin ai e implementoi menjëherë pas kthimit “duke krijuar një hartë të të gjithë ofruesve të shërbimeve shëndetësore private dhe publike duke përfshirë dhe hartëzimin e ndërveprimit ndërmjet tyre në nivel horizontal dhe vertikal”. Ai shton se risi të tilla, “nën lidershipin e duhur, i nxisin profesionistët të krijojnë një mentalitet të ri”. Z. Shllaku nuk harron t’i shprehë mirënjohje projektit HAP që mundësoi pjesëmarrjen në këtë kurs “pasi kështu kontribuon jo vetëm në zhvilllimin tim profesional por edhe në kapacitete më të mira për sistemin shëndetësor në vend, pasi çdo punonjës i shëndetësisë ka dy detyra, e para të bëjë mirë detyrën që i është ngarkuar dhe, e dyta, të përmirësojë vendin e punës ku është punësuar”.

Duke mundësuar që drejtues të institucioneve të rëndësishme shëndetësore të zhvillojnë ekspertizën e tyre, HAP po ndihmon në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më të fortë dhe më efikas në Shqipëri – një sistem i aftë për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore dhe të qëndrueshme.

*  *  *

Znj. Marsida Mulaj është mjeke e përgjithshme dhe specialiste e shëndetit publik me përvojë 16 vjeçare në menaxhimin e sistemit shëndetësor pranë FSDKSh-së me synim ofrimin e shërbimeve shëndetësore të përballueshme dhe cilësore.

Z. Markens Shllaku është një profesionist klinik, menaxher, konsulent, lektor i çështjeve të shëndetësisë me mbi një dekadë përvojë në kujdesin shëndetësor parësor si edhe president i Shoqatës Shqiptare të Neurorehabilitimit.