Prill-shtator 2024: Mbyllen trajnimet për procedurat standarde infermierore në 10 NjVKSh

Gjatë periudhës prill-shtator 2024 u zhvilluan trajnime për trajnerë mbi procedurat standarde infermierore të nevojshme për ofrimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB) për 32 qendra shëndetësore të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh) Tiranë, Elbasan, Peshkopi, Bulqizë, Mat, Pogradec, Kavajë, Kukës, Lezhë, dhe Mirditë.

200 infermierë dhe specialistë nga këto 10 NjVKSh morën pjesë në trajnime intensive pesëditore të cilat kanë si synim trajnimin e infermierëve për kryerjen e procedurave standarde infermierore gjatë ofrimit të KShB-së si edhe aftësimin e tyre për t’i transferuar këto aftësi klinike tek pjesa tjetër e kolegëve të tyre në qendrat shëndetësore përkatëse përmes ngritjes së Grupeve të Kolegëve.

Në këto trajnime infermieret aftësohen të ofrojnë, ndër të tjera, kujdes për plagët malinje,  kujdes për trakeostominë, lavazh veshi, vendosje të tubit nazo-gastrik, kujdes për stomat, performim të klizmës, kateterizim urinar, trajtim të limfedemës, performim të elektrokardiografisë e të tjera.

Trajnimet përdorin një kombinim aktivitetesh që ndërthurin teorinë dhe praktikën – si lojë me role, diskutim në grupe, prezantime në powerpoint, praktikë me dokumentacionin, praktikë me mulazhe, manekinë, pajisje mjekësore etj. – për të optimizuar përvetësimin e njohurive dhe aftësive të reja për pjesëmarrësit.

Baza materiale e këtyre trajnimeve përbëhet nga “Manuali i procedurave standarde infermierore”, “Kartela infermierore”, “Formulari i vlerësimit infermieror”, “Udhëzuesi i Grupit të Kolegëve”, mulazhe e manekina, si edhe seti i pajisjeve mjekësore të nevojshme për ofrimin e kujdesit në banesë (stetoskop, sfigmanometër, pulsoksimetër, bronkodilatatori, nebulizatori, aparati i ushtrimeve të frymëmarrjes, aparati i klizmës, EKG, aparat për lavazhin e veshit, sondë gastrike, aparat pneumatik për limfedemë etj.)

Këto trajnime, pasuar edhe nga ngritja e Grupeve të Kolegëve në qendrat shëndetësore përkatëse, janë thelbësore për aftësimin e stafit mjekësor dhe shtrirjen e shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë.

Tashmë, 32 qendra të reja shëndetësore i bashkohen rrjetit të qendrave shëndetësore që mundësojnë shërbim shëndetësor periodik për pacientët kronikë që e kanë të pamundur të vizitojnë qendrat shëndetësore.