Pas 12 vitesh pune, bashkëpunimi dhe përkushtimi për forcimin e kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri, projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) mbajti më 13 nëntor 2026 konferencën përmbyllëse duke mbledhur së bashku partnerët, bashkëpunëtorët dhe profesionistët e shëndetësisë që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi.
Konferenca me temë “Drejt një Kujdesi Shëndetësor Parësor më të fortë: 12 vjet mësime dhe perspektiva për të ardhmen”, ishte një rast për të reflektuar mbi ndryshimet e arritura së bashku, për të ndarë përvoja e mësime, por edhe për të shprehur mirënjohjen ndaj të gjithë atyre që, ndër vite, kanë kontribuuar në përmbushjen e misionit të projektit.
Aktiviteti u hap me përshëndetjen e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Klodiana Spahiu, Ambasadores së Zvicrës në Shqipëri, Sh.S. znj. Siri Walt, dhe Drejtorit të Institutit Zviceran të Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH), prof. Jürg Utzinger, i cili iu drejtua pjesëmarrësve përmes një videomesazhi.
Prezantimet e Zëvendësministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, znj. Eugena Tomini, Menaxherit të projektit HAP, dr. Besim Nuri, dhe Drejtorit të projektit, prof. Kaspar Wyss, e vendosën rrugëtimin 12-vjeçar të HAP në kontekstin më të gjerë të politikave dhe reformave shëndetësore në Shqipëri.
Në qendër të konferencës ishin katër fusha kryesore të kontributit të HAP:
- Zhvillimi i burimeve njerëzore përmes bashkëpunimit me institucionet akademike;
- Standardizimi i trajtimit të sëmundjeve jo të transmetueshme dhe roli i Grupeve të Kolegëve në edukimin e vazhdueshëm profesional;
- Zhvillimi dhe shtrirja e shërbimit të kujdesit shëndetësor në banesë;
- Forcimi i ekipeve multidisiplinare dhe integrimi i shërbimeve psikosociale në kujdesin shëndetësor parësor.
Përmes prezantimeve, diskutimeve dhe dëshmive të sjella në video nga pacientë, kujdestarë dhe profesionistë të shëndetësisë, pjesëmarrësit patën mundësinë të shihnin përtej shifrave dhe treguesve të arritjeve, duke u njohur me dimensionin njerëzor të ndryshimeve që projekti ka mbështetur ndër vite.
Pikërisht përvojat e atyre që ofrojnë dhe marrin shërbime shëndetësore i dhanë një kuptim të veçantë reflektimit mbi kontributin e HAP.
Përtej përmbylljes së projektit, vëmendja u përqendrua te vijimësia e punës së nisur, ruajtja e arritjeve dhe integrimi i mëtejshëm i modeleve dhe praktikave të zhvilluara me mbështetjen e HAP në sistemin shëndetësor shqiptar.
Konferenca ofroi gjithashtu mundësinë për t’u njohur me botimet e projektit ndër vite. Krahas ekspozitës së publikimeve, pjesëmarrësve iu shpërndanë koleksioni digjital i botimeve të HAP dhe materialet përmbyllëse që dokumentojnë arritjet, përvojat dhe mësimet e nxjerra gjatë 12 viteve të zbatimit.
Një rrugëtim që përmbyllet, një trashëgimi që vijon
Një moment i veçantë i konferencës ishte shprehja e mirënjohjes për ekipin e Projektit HAP përmes një certifikate mirënjohjeje e cila iu dorëzua dr. Besim Nurit, Menaxher i projektit HAP, nga presidentja e Urdhrit të Infermierit të Shqipërisë, znj. Blerina Duka.
Pas 12 vitesh, HAP përmbyll veprimtarinë e tij me mirënjohje të thellë ndaj institucioneve partnere, profesionistëve të shëndetësisë, bashkëpunëtorëve dhe komuniteteve që i dhanë jetë këtij projekti.
Pas çdo arritjeje qëndron puna e përbashkët e shumë njerëzve: mjekëve dhe infermierëve të familjes, psikologëve dhe punonjësve socialë, pedagogëve, drejtuesve të institucioneve shëndetësore, ekspertëve dhe partnerëve që ndanë me ne njohuritë, përvojën dhe përkushtimin e tyre.
Projekti përfundon, por puna e nisur së bashku vijon përmes shërbimeve të zhvilluara, njohurive të përftuara, kapaciteteve të ndërtuara dhe praktikave të integruara në sistemin shëndetësor shqiptar.
Faleminderit të gjithë atyre që ishin pjesë e këtij rrugëtimi dhe që ndanë me ne vizionin për një kujdes shëndetësor parësor më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe më pranë qytetarëve.