Gjatë fazës së tij të parë të Projektit Shëndet për të Gjithë (e finalizuar më 31 mars 2019), Ambasada Zvicerane në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale investoi rreth 3.3 Milionë franga zvicerane për rikonstruksionin e 16 godinave ku janë strehuar 17 qendra shëndetësore të kujdesit parësor dhe një poliklinikë specialitetesh në qarqet Dibër, Fier dhe Tiranë. Mirëmbajtja e infrastrukturës në këto ndërtesa dhe rinovimi i QSH-ve të tjera, është një problem që po adresohet gjatë fazës së dytë të Projektit. Në këtë kuadër, HAP organizoi më 17 janar 2020, takimin e parë konsultues me  përfaqësues të  MSHMS dhe autoriteteve shëndetësore rajonale e lokale,  pushtetit vendor dhe OJF-ve, për të diskutuar mbi rolet, përgjegjësitë dhe sfidat lidhur me rinovimin dhe mirëmbajtjen e infrastrukturës së qendrave shëndetësore të kujdesit parësor. Më herët, HAP mbështeti anketimin e kryer për mirëmbajtjen e infrastrukturës së KSHP-së, rezultatet e të cilit u prezantuan dhe diskutuan gjatë takimit.

Më konkretisht, mbështetja e HAP për rehabilitimin e infrastrukturës së qendrave të KSHP-së po fokusohet në hartimin dhe zbatimin e një mekanizmi bashkëfinancimi për mirëmbajtjen e infrastrukturës së QSH-ve me pjesëmarrjen e pushtetit vendor, autoriteteve shëndetësore vendore dhe rajonale, Fondit dhe OJF-ve. Ky mekanizëm ndër të tjera do të mundësojë: 1) hartimin e planeve vendore për rehabilitimin e infrastrukturës; 2) ndarjen e përgjegjësive financiare të aktorëve të ndryshëm që do të mundësonin një qasje bashkëfinancuese; 3) ndërtimin e modaliteteve të mirëmbajtjes së infrastrukturës me përgjegjësi të qarta. Elementë të këtij mekanizmi u diskutuan gjatë takimit konsultues dhe do të vijojë puna deri në krijimin e një mekanizmi funksional e gjithë-përfshirës.