Në Shqipëri është e nevojshme rritja e kapaciteteve në kërkimet operacionale me fokus tek Kujdesi Shëndetësor Parësor dhe Shëndeti Publik. Në kurrikulat e arsimit shëndetësor mungon formimi për punë kërkimore si dhe materiale mësimore në gjuhën shqipe për çështjet kërkimore. Gjithashtu mungojnë burimet financiare për të praktikuar dhe zbatuar aktivitete kërkimore në kuadër të kurrikulës universitare. “Gjatë studimeve universitare, në Fakultetin e Farmacisë, unë kam bërë vetëm statistikë dhe kjo ishte e vetmja lëndë e lidhur me kërkimin, jo leksione të tilla lidhur me procesin e kërkimit. Ndaj ka qenë shumë e vështirë të merrja trajnimin e duhur mbi punët kërkimore’- thotë Joana, një kërkuese e re në fushën e shëndetësisë.

Projekti Shëndet për të Gjithë po zbaton një program intensiv trajnimi i cili synon një prezantim në Metodat e Kërkimit Shkencor Operacional dhe aspekte të tjera që lidhen me të. Programi konstiston në 12 module dhe çështjet variojnë nga hartimi i protokollit të kërkimit tek përkthimi i të dhënave në njohuri dhe politika në mënyrë që të kenë ndikim në përmirësimin e sistemit shëndetësor, organizimin e shërbimit dhe menaxhimin e tij.

Të gjitha modulet trajtohen në gjuhën shqipe në përgjigje të nevojës së identifikuar nga kërkuesit e rinj. Një prej pjesëmarrëseve në program shprehet: ‘E vlerësoj shumë faktin që i gjithë programi ofrohet në shqip, ndryshe nga trajnime të tjera që kam ndjekur. Gjithashtu, edhe materialet mësimore janë thuajse të gjitha në shqip çka e bën më të lehtë që të kuptojmë pjesën teknike.’

Programi ka në fokus kërkuesit e rinj të cilët janë të interesuar për të zhvilluar kërkime operacionale në Kujdesin Shëndetësor Parësor dhe Shëndetin Publik. Kohorta e parë e kërkuesve që po ndjekin programin përbëhet nga profesionistë që vijnë nga formime të ndryshme, që nga mjekësia e shëndeti publik deri tek shkencat ekonomike. ‘Programi ka qënë shumë i dobishëm për mua pasi më ka ndihmuar të qartësoj pasiguritë që kisha lidhur me kërkimin shkencor– thotë një prej pjesëmarrësve-Dua të theksoj faktin që modulet janë përzgjedhur me shumë kujdes dhe janë interaktive, përfshijnë raste studimore dhe ofrohen nga lektorë me eksperiencë të cilët sjellin shembuj praktikë.’

HAP planifikon ofrimin e programit të trajnimit tek kohorta të tjera studentësh dhe profesionistë të rinj në mënyrë që të rrisë interesin dhe kapacitetet për të kryer kërkime operacionale në shëndetësi dhe të krijojë një grup kërkuesish të rinj që të mund të përfitojnë nga mundësitë e financimit si dhe të prodhojnë një bazë të dhënat për një vendimarrje të bazuar në evidenca në fushën e shëndetësisë. HAP shpreson që programi të adaptohet nga njësitë përkatëse të Edukimit në Vazhdim të Fakultetit të Mjekësisë dhe fakulteteve të tjera të interesuara.

Në kuadër të qëllimit që HAP ka për forcimin e kapaciteteve kërkimorë në Shqipëri, Projekti po mbështet iniciativën për mikro-financime për kërkuesit e rinj për zhvillimin e kërkimeve operacionale në shëndetësi.