Thirrje për tender: Blerje e pajisjeve për kujdesin shëndetësor në banesë

Shëndet për të Gjithë është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i cili po zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH) përmes qendrës HAP. Qëllimi i projektit është që popullsia shqiptare të përfitojë shëndet më të mirë në sajë të shërbimeve të përmirësuara dhe gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor parësor (KSHP).

Në këtë kuadër, HAP do të kontribuojë në përmirësimin e kapaciteteve të qendrave të përzgjedhura të kujdesit shëndetësor parësor në Elbasan, Tiranë, Durrës,Berat, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Kurbin, Malësi e Madhe, Fier, Lushnje, Mallakastër dhe Vlorë duke i furnizuar me pajisje për kujdesin në banesë. Kjo mbështetje do të kontribuojë në 1) zbatimin e shërbimeve të kujdesit në banesë në zonat e mbuluara nga këto qendra, 2) përmirësimin e cilësisë së shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor. Qendra HAP fton kompanitë e interesuara të dorëzojnë oferta për blerjen e pajisjeve të kujdesit në banesë, të ndara në 2 (dy) Lote. Tabela e përmbajtjes për pajisjet dhe specifikimet teknike për LOT 1 dhe LOT 2 mund të gjenden si vijon:

LOT 1: excel    pdf

LOT 2: excel   pdf

Kompanitë ofertuese duhet të përfshijnë në ofertat e tyre:

1. Propozimin Teknik (në një zarf te veçantë emërtuar “Propozimi teknik”) i cili përmban:

• Fletën përmbledhëse të pajisjeve të ofruara (e firmosur dhe vulosur), me Specifikat teknike dhe kodin përkatës të secilit produkt të propozuar.
• Katalogun përkatës, duke ngjyrosur produktin që ofrohet
• Certifikatën e cilësisë së produktit, të lëshuar nga prodhuesi, bashkëlidhur cdo produkti të propozuar
• Deklarata e përputhshmërisë, bashkëlidhur cdo produkti të ofruar
• Autorizim/Konfirmim nga Prodhuesi ose Distributori i Autorizuar nga prodhuesi, i cili autorizon aplikantin për shitjen e produkteve të propozuara/ ose Formën e autorizimit nga distributori
• Garancinë për periudhën e mirëmbajtjes së pajisjeve
• Vlefshmërinë e ofertës
• Datën ose kohën e lëvrimit të mallit të shprehur në ditë pune
2. Propozimin Financiar (në një zarf te veçantë emërtuar “Propozimi Financiar”),
3. Dokumentat e regjistrimit të kompanisë (NIPT, QKB etj.)
4. Dokumente që vërtetojnë se subjekti juaj ka:
a. paguar të gjitha detyrimet financiare (lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve)
b. paguar të gjitha kontributet shoqërore (lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve)
c. vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve për xhiron vjetore të 3 viteve të fundit

Transporti dhe instalimi i pajisjeve, për të dy LOT-et, do të sigurohet, ofrohet dhe mbulohet nga furnizuesi. Furnizuesi i përzgjedhur do të vendosë në dispozicion gjithashtu dy ose më shumë persona teknikë për demonstrimin e pajisjeve tek ofruesit e kujdesit shëndetësor.

Aplikantët mund të aplikojnë për secilën nga LOT-et veç e veç, ose për të dy LOT-et. Aplikantët e interesuar për të dy LOT-et duhet të dorëzojnë dy zarfe të ndara.

Ofertat duhet të kenë të gjithë artikujt e kërkuar. Ofertat e pjesshme nuk do të merren në konsideratë. Ofertat alternative nuk pranohen në këtë tender.Oferta financiare dhe oferta teknike duhet të jenë në zarfe të veçanta dhe të dyja bashkë të jenë brenda një zarfi të vulosur.

Ofertat duhet të dorëzohen brenda datës 2 qershor 2025, ora 16:00, në zarfe të mbyllura, (në kopje të shtypura dhe të skanuara në CD/USB), me shenimin “Blerja e pajisjeve për shërbime në banesë, LOT 1” ose “Blerja e pajisjeve për shërbime në banesë, LOT 2” në adresën më poshtë.

Qendra HAP

Rruga “Themistokli Germenji”, Pallati Helios, Kati II, Ap.5, Tiranë, Shqipëri