Thirrje për tender: Blerje e pajisjeve për ekzaminim fizik

Shëndet për të Gjithë është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) që po zbatohet nga Instituti Zviceran i Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (Swiss TPH) përmes qendrës HAP. Qëllimi i projektit është që popullsia shqiptare të përfitojë shëndet më të mirë në sajë të shërbimeve të përmirësuara dhe gjithëpërfshirëse të kujdesit shëndetësor parësor.

Në këtë kuadër, HAP do të vijojë të kontribuojë në përmirësimin e kapaciteteve të Qendrave të Kujdesit Shëndetësor Parësor të përzgjedhura në Durrës, Elbasan, Berat, Lezhë, Mirditë, Kurbin, Kukës, Shkodër, Malësi e Madhe, Tropojë dhe Tiranë duke i pajisur me instrumente për ekzaminimin fizik.

Qendra HAP fton kompanitë të dërgojnë oferta për blerjen e pajisjeve të ekzaminimit fizik që do të përdoren nga Mjekët dhe Infermierët që punojnë në këto qendra.

Lista me pajisjet e ekzaminimit fizik dhe specifikat teknike për ofertuesit mund të shkarkohet në EXCEL ose PDF.

Kompanitë ofertuese duhet të përfshijnë në ofertat e tyre:
1. Propozimin Teknik (në një zarf te veçantë emërtuar “Propozimi teknik”) i cili përmban:
• Fletën përmbledhëse të pajisjeve të ofruara (e firmosur dhe vulosur), me Specifikat teknike dhe kodin përkatës të secilit produkt të propozuar.
• Katalogun përkatës, duke ngjyrosur produktin që ofrohet
• Certifikatën e cilësisë së produktit, të lëshuar nga prodhuesi, bashkëlidhur cdo produkti të propozuar
• Deklarata e përputhshmërisë, bashkëlidhur cdo produkti të ofruar
• Autorizim/Konfirmim nga Prodhuesi ose Distributori i Autorizuar nga prodhuesi, i cili autorizon aplikantin për shitjen e produkteve të propozuara/ ose Formën e autorizimit nga distributori
• Garancinë për periudhën e mirëmbajtjes së pajisjeve
• Vlefshmërinë e ofertës
• Datën ose kohën e lëvrimit të mallit të shprehur në ditë pune
2. Propozimin financiar. Oferta financiare duhet të jetë e firmosur dhe vulosur, në Lekë, TVSH*=0. (në një zarf të veçantë emërtuar “Propozimi Financiar”).
3. Dokumentat e regjistrimit të kompanisë (NIPT, QKB etj.)
4. Dokumente që vërtetojnë se subjekti juaj ka:
a. paguar të gjitha detyrimet financiare (lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve)
b. paguar të gjitha kontributet shoqërore (lëshuar nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve)
c. vërtetim nga Drejtoria Rajonale e Tatimeve për xhiron vjetore të 3 viteve të fundit

Transporti i pajisjeve duhet të sigurohet dhe të mbulohet nga furnizuesi. Furnizuesi i përzgjedhur do të vendosë gjithashtu dy ose më shumë persona teknikë për ndjekjen e demonstrimit të pajisjeve tek ofruesit e kujdesit shëndetësor. Ofertat duhet të jenë të nënshkruara dhe të vulosura dhe të kenë të gjithë artikujt e kërkuar. Ofertat e pjesshme nuk do të merren në konsideratë.Oferta financiare dhe oferta teknike duhet të jenë në zarfe më vete dhe të dyja bashkë të jenë brenda një zarfi të vulosur.  Ofertat duhet të dorëzohen brenda datës 8 tetor 2025, ora 16.00, në zarfe të mbyllura, (në kopje të shtypura dhe të skanuara në CD/USB), me shënimin “Blerja e pajisjeve për ekzaminim fizik” në adresën më poshtë.

Qendra HAP

Rruga “Themistokli Germenji”, Pallati Helios, Kati II, Ap.5, Tiranë, Shqipëri

*Ju informojmë se në zbatim të Udhëzimit nr.6, datë 30.01.2015 “Për tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë (ndryshuar me udhëzimin nr. 6/1, datë 17.3.2015; nr. 6/2, datë 19.3.2015; nr. 6/8, datë 5.6.2015; nr. 6/4, datë 4.9.2015; nr. 6/5, datë 5.10.2015; nr. 13, datë 17.5.2016; nr. 15, datë 18.5.2017; nr. 16, datë 5.7.2017; nr. 22, datë 11.12.2017; nr. 5, datë 22.2.2019; nr. 34, datë 5.12.2019; nr. 32, datë 25.8.2020; nr. 11, date 13.4.2023; nr. 27, datë 13.9.2023; nr. 32, datë 15.12.2023; nr. 6, datë 24.2.2025)”, Neni 63/1 – “Proçedura e përjashtimit në import dhe trajtimit si furnizim i përngjashëm me eksportet për marrëveshjet e donacionit/grantit”, të gjithë furnizuesit e mallrave/shërbimeve të Projektit HAP (Qendra HAP) duhet të lëshojnë faturë me TVSH zero. (Për qëllime të TVSh-së, çdo furnizim i mallrave dhe shërbimeve të destinuara për realizimin e projekteve te financuara me fonde të marra në bazë të një marrëveshjeje donacioni/granti të lidhur mes donatorëve të huaj dhe Këshillit të Ministrave/Republikës së Shqipërisë, trajtohet si furnizim i ngjashëm me eksportet.)