Dëshmi nga përfituesit

Që prej vitit 2015 bashkëpunojmë me mjekët dhe infermierët e familjes në mbi 100 qendra të kujdesit shëndetësor parësor në qarqet e Fierit, Dibrës, Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Beratit, Elbasanit dhe Korçës ku kemi kontribuuar në përmirësimin e infrastrukturës, pajisjen me mjete mjekësore, dhe trajnimin e ekipit mjekësor. Është kënaqësi për ne të shohim përmirësimin e punës së përditshme klinike dhe rritjen e cilësisë së shërbimit që i ofrohet popullsisë shqiptare si rezultat i mbështetjes sonë.

Dr. Bajram LamiMjek Familjeje
Qendra Shëndetësore Zall Mner
Qarku Tiranë

Falë rindërtimit të qendrës sonë shëndetësore, jo vetëm që është rritur numri i vizitave, por edhe i gamës së shërbimeve që u ofrohen pacientëve. Falënderime pafund jo vetëm nga personeli shëndetësor por mbi të gjitha nga pacientët për ambasadën e Zvicrës dhe qeverinë zvicerane që bënë të mundur këtë investim të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore në komunitetin tonë.

Dr. Shkëndije KuçiDrejtore dhe Mjeke Familjeje
Qendra Socio-Shëndetësore Vorë
Qarku Tiranë

HAP ka qenë dhe vazhdon të jetë një suport i vazhdueshëm për qendrën tonë. Pajisja e të gjithë stafit me çanta mjekësore ka lehtësuar punën për realizimin e ekzaminimeve objektive dhe procedurave mjekësore, si edhe ka ndihmuar infermierët në veçanti  për të qenë më pranë pacientëve. Trajnimet e ekipit të mjekësisë familjare dhe pajisja me protokollet dhe instrumentet përkatëse për 5 SJT-të u kanë dhënë mjekëve orientimin e duhur për mirëmenaxhimin e këtyre sëmundjeve dhe u kanë lehtësuar depistimin nëpërmjet pyetësorëve përkatës që janë shumë praktikë. Mjekët tashmë kanë një plan ndjekjeje standarde çka i ndihmon në parandalimin e komplikacioneve, pasi pacienti monitorohet periodikisht.

Eleni TafaInfermiere e Kujdesit Shëndetësor në Banesë
Qendra Shëndetësore Gostima
Qarku Elbasan

Trajnimi mbi procedurat standarde infermierore pa dyshim që ka përmirësuar aftësitë e mia si infermiere dhe mendoj se është mjaft i vlefshëm edhe për pacientët. Unë tani kam vetëbesim profesional më të lartë dhe ndihem më e aftë për shpjegimin dhe realizimin e procedurave infermierore, si në aspektin teorik, ashtu edhe në atë praktik. Gjithashtu, pajisja me mjetet e nevojshme për ofrimin e shërbimit na ka mundësuar ofrimin e një shërbimi më cilësor e dinjitoz për pacientët tanë.

Krisalda SauliPsikologe
Qendra Shëndetësore Nr. 3
Qarku Fier

Trajnimi mbi menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor i ofruar nga HAP ka qenë një përvojë shumë e mirë profesionale ku jam ndier e orientuar dhe e mbështetur. Pas trajnimit pati ndryshime domethënëse në praktikën e përditshme të qendrës sonë të cilat kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të pacientëve tanë. Ata shpeshherë janë shprehur falënderues dhe besimplotë në ndihmën që marrin pranë qendrës. Madje ka ndodhur që vetë pacientët kanë referuar dhe sjellë familjarë me probleme të shëndetit mendor për t’u trajtuar nga ne.

Eriona PetroShefe e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Durrës

Implementimi i  protokolleve të përditësuara për menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme apo edhe implementimi i shërbimit në banesë, i cili do të shtrihet në të 18 qendrat shëndetësore në Durrës falë mbështetjes teknike dhe logjistike të HAP, kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara për pacientët  deri më tani, por edhe kanë adresuar një përqasje më korrekte në dokumentimin e tyre. Ofrimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor në banesë i planifikuar dhe i standardizuar me të gjitha proceduarat standarde infermierore është një hallkë shumë e rëndësishme që rrit aksesin e shërbimeve shëndetësore për pacientët vulnerabël.

Etleva QyliInfermiere
Qendra Shëndetësore Bulgarec
Qarku Korçë

Projekti HAP ka qenë një mbështetje shumë e madhe për ne. Kujdesin në banesë ne e kemi ofruar qysh në krye të herës, po tani, HAP i ka dhënë një qasje të re. Më përpara ne shkonim tek pacienti kur na informonte familjari që diçka nuk shkonte, por tani ne kemi një plan pune të detajuar i cili përditësohet rregullisht sipas kushteve e gjendjes së pacientit. Është e rëndësishme të theksohet që të gjitha infermieret janë rritur profesionalisht duke u trajnuar për procedura të avancuara infermierore për t’ju përgjigjur sa më mirë nevojave të këtyre pacientëve.