Shtrirja e Kujdesit Shëndetësor në Banesë – Ecuria, sukseset dhe sfidat

Kujdesi Shëndetësor në Banesë (KShB) është ndër ndërhyrjet më të rëndësishme të Projektit HAP në Shqipëri. I pilotuar me sukses në Maj 2021 në 9 qendra shëndetësore në Dibër dhe Fier, ky model i ri shërbimi u miratua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) në dhjetor 2021 me synimin për t’u shtrirë në gjashtë Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSh) brenda vitit 2025. Megjithatë, nevoja në rritje për këtë shërbim si pasojë e moshimit të popullsisë dhe rritjes së barrës së sëmundjeve jo të transmetueshme bëri që shtrirja e KShB-së të tërhiqte më tepër vëmendje nga  MShMS, e cila në prill 2024 i kërkoi Projektit HAP mbështetjen për ta shtrirë këtë shërbim në 62 qendra të reja shëndetësore në 6 NjVKSh. Aktualisht HAP po punon për shtrirjen e KShB-së në 120 qendra shëndetësore në 17 NjVKSh të vendit.

Po çfarë është Kujdesi Shëndetësor në Banesë?

Kujdesi Shëndetësor në Banesë është një shërbim i ri i cili u ofrohet pacientëve të invalidizuar si pasojë e sëmundjeve kronike dhe të moshuarve që e kanë të pamundur të vizitojnë qendrat shëndetësore. Pacientët përfitues përzgjidhen përmes një vlerësimi individual të autonomisë së pacientit bazuar në sistemin e Karnofskit.

KSHB ofrohet nga infermierja e familjes në koordinim me mjekun e familjes sipas një plani të standardizuar i cili parashikon vizita periodike tek pacientët me synim trajtimin dhe monitorimin e gjendjes së tyre shëndetësore si edhe edukimin shëndetësor për menaxhimin më të mirë të sëmundjes kronike nga e cila ata vuajnë.

Sa të informuar janë qytetarët për ekzistencën e kujdesit në banesë dhe si ka evoluuar kërkesa për këtë shërbim?

 Të dhënat dëshmojnë se falë ndërhyrjeve të HAP ndërgjegjësimi për shërbimet e kujdesit në shtëpi dhe marrja e këtij informacioni nga personeli shëndetësor në qarqet e Dibrës dhe Fierit, ku ndërhyrja është më e hershme, është rritur ndjeshëm. Nga viti 2021 në vitin 2023 ndërgjegjësimi i popullsisë së këtyre dy qarqeve mbi kujdesin në banesë është rritur përkatësisht nga 57.3% në 70.1%.  Ndërkaq, 89,7% e pacientëve në vitin 2023 janë informuar për shërbimet e kujdesit në shtëpi nga infermierët (nga 66% në vitin 2021), ndërsa 60.1% janë informuar nga mjekët, një përmirësim i ndjeshëm nga 39.3% në vitin 2021.

Një analizë e kërkesës dhe shfrytëzimit të kujdesit në banesë dëshmon gjithashtu rritje të ndjeshme. Në vitin 2023, 82.4% e pacientëve kanë kërkuar ndihmë shëndetësore në shtëpi, krahasuar me 66.1% në vitin 2021. Gjithashtu, 84.8% e pacientëve të grupit të ndërhyrjes kanë marrë shërbim në shtëpi, krahasuar me 65.0% të grupit referencë.

Cila ka qenë mbështetja e HAP për prezantimin dhe shtrirjen e KShB-së?

Përgatitja e bazës materiale: HAP ka mbështetur hartimin e të gjitha dokumenteve mbi të cilat mbështetet ofrimi i KShB-së duke përfshirë kuadrin rregullator për riorganizimin e punës në qendra shëndetësore, dokumentet për identifikimin dhe monitorimin e pacientëve përfitues, dokumente mbështetëse për vizitën në banesë, dokumentet për raportimin dhe monitorimin e zbatimit të KShB-së, kurrikullën trajnuese për personelin mjekësor, si edhe një sërë dokumentesh (manuale, udhërrëfyes, udhëzues etj) që mbështesin aftësimin e infermierëve për ofrimin e shërbimit.

Trajnime të personelit shëndetësor: Deri në shtator 2024, HAP ka mbështetur trajnimin e 792 infermierëve për realizimin e procedurave standarde dhe të avancuara infermierore të nevojshme për ofrimin e KShB-së.

Pajisja me mjete: 58 qendra shëndetësore janë furnizuar me pajisjet e nevojshme mjekësore dhe para-mjekësore për ofrimin e KSHB-së dhe me çanta mjekësore personale për mjekët dhe infermierët e familjes. Këto mjete janë ndër më të rëndësishmet për të përmirësuar diagnostikimin, trajtimin dhe monitorimin e pacientëve përfitues të kujdesit në banesë.

Fuqizimi i institucioneve qendrore dhe rajonale: 58 profesionistë nga NjVKSh-të dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSh) janë trajnuar për monitorimin e KShB-së me qëllim përmirësimin e vazhdueshëm të cilësisë së shërbimit dhe qëndrueshmërinë e organizimit në punës në qendra shëndetësore.

Cila është situata aktuale me ofrimin  e KShB-së?

Aktualisht, KShB ofrohet në 52 qendra shëndetësore në 11 NjVKSh në 9 qarqe të vendit. Rreth 2000 pacientë janë identifikuar si përfitues të KSHB-së, 1650 pacientë kanë marrë kujdes shëndetësor në banesë dhe, vetëm gjatë dy viteve të fundit, janë realizuar mbi 20.000 vizita në banesë për pacientët me autonomi të kufizuar.

Ndërkaq, HAP po punon për shtrirjen e KShB-së në 62 qendra shëndetësore, duke përmbushur kështu objektivin e ofrimit të këtij shërbimi në 120 qendra shëndetësore në 17 NjVKSh, konkretisht në Shkodër, Kukës, Lezhë, Mirditë, Dibër, Bulqizë, Mat, Durrës, Tiranë, Kavajë, Elbasan, Lushnjë, Fier, Berat, Malakastër, Pogradec, dhe Korçë.

Krahas shtrirjes së shërbimit, HAP po punon edhe përfshirjen e KShB-së në paketën bazë të shërbimeve të kujdesit parësor, çka do të shërbejë edhe për rritjen e buxhetit të qendrave shëndetësore.

Një tjetër zhvillim pozitiv është edhe mbështetja e HAP për integrimin e kujdesit në banesë me shërbimet sociale. MSMSh ka vendosur të punësojë punonjës socialë dhe psikologë në 104 qendra shëndetësore (nga 358 në vend) dhe HAP po mbështet hartimin e instrumenteve profesionale të punonjësit social në kujdesin parësor si edhe është angazhuar të zhvillojë dhe pilotojë një model/metodologji për përpunimin e informacionit në Rrjetin e Shërbimeve Socio-Shëndetësore të Bashkisë si një mjet mbështetës për referimin e rasteve të cilat nuk mund të zgjidhen nga kujdesi parësor.

Harta e shtrirjes së Kujdesit Shëndetësor në Banesë me mbështetjen e projektit HAP

Kënaqshmëria e pacientëve përfitues

Sipas Vlerësimit të Cilësisë së Jetës dhe nevojave për Kujdes Shëndetësor në Banesë në Fier dhe Dibër”, nga viti 2021 në 2023 ka një rritje të ndjeshme si të pacientëve që kanë besim tek aftësitë profesionale të personelit shëndetësor ashtu edhe në cilësinë e përkujdesjes që ata ndiejnë nga shërbimi në banesë.

Cilat kanë qenë vështirësitë në shtrirjen e këtij shërbimi?

 Shtrirja e kujdesit në banesë përballet me disa sfida kryesore. Megjithëse teorikisht MShMS ka shprehur vullnetin politik për shtrirjen e shërbimit në mbarë vendin, në praktikë ndihet mungesa e një udhëheqjeje të fortë si nga MShMS ashtu edhe nga Operatori Qendror dhe Rajonal dhe NjVKSh-të, çka vështirëson shtrirjen e shërbimit përtej zonave ku vepron HAP. Për më tepër, MoHSP nuk po ndërmerr hapat e nevojshme për caktimin e burimeve financiare shtesë për mbështetjen e kujdesit në banesë të cilat janë të domosdoshme si për realizimin efikas të shërbimit ashtu edhe për motivimin e stafit. Megjithëse burimet e Kujdesit Parësor Shëndetësor (PHC) janë rritur, kjo rritje mbetet e pamjaftueshme për të përmbushur nevojat e popullsisë, veçanërisht të grupeve më vulnerabël. Duhet theksuar gjithashtu se besimi i publikut në sektorin shëndetësor mbetet i ulët, i tronditur nga një seri skandalesh. Për më tepër, zgjedhjet legjislative të vitit 2025 paraqesin një sfidë shtesë, duke ndikuar potencialisht në stabilitetin dhe fokusin e reformave në këtë fushë.

 Hapat e mëtejshme

 HAP do të vijojë mbështetjen e 62 qendrave shëndetësore shtesë për shtrirjen e kujdesit në banesë duke mbajtur gjithashtu nën vëzhgim të gjitha qendrat që janë mbështetur që nga fillimi i kësaj ndërhyrjeje. Gjithashtu, projekti do të mbështesë hartimin e një Manuali për Zbatimin e Kujdesit Shëndetësor në Banesë duke përmbledhur të gjitha materialet dhe dokumentet që janë prodhuar deri më tani lidhur me këtë shërbim.