Shqipëri-Ukrainë: Shkëmbim përvojash mbi modelet e integruara të Kujdesit në Banesë

Një delegacion ukrainas i përbërë nga anëtarë të Projektit Act4Health dhe nismës Vseturbota, si dhe përfaqësues nga Ministria e Politikave Sociale dhe Ministria e Shëndetësisë, vizitoi Shqipërinë për të shkëmbyer përvoja me Projektin HAP, duke u fokusuar te kujdesi i integruar mjekësor dhe social në banesë.

Qëllimi i këtij turi studimor ishte ndarja e praktikave të mira, nxitja e bashkëpunimit dhe zhvillimi i strategjive inovative për përmirësimin e shërbimeve të kujdesit në banesë për individë me lëvizshmëri të kufizuar dhe sëmundje kronike.

Ky tur tre-ditor ishte një mundësi për ekipin ukrainas që të takohej dhe të diskutonte me ekspertë të shëndetit nga HAP, zyrtarë shqiptarë, profesionistë të shëndetësisë dhe punonjës socialë. Pjesëmarrësit shkëmbyen ekspertizë mbi modelet e ofrimit të shërbimeve dhe rëndësinë e tyre në vende me burime të kufizuara, diskutuan mekanizmat e ndarjes dhe mbrojtjes së të dhënave personale dhe zhvilluan vizita në terren për të parë nga afër shërbimin e kujdesit ndaj pacientëve dhe koordinimin e punës brenda qendrës shëndetësore.

Programi filloi një përmbledhje panoramike të projekteve Act4Health dhe HAP. Pjesëmarrësit ndanë njohuri mbi shërbimet e kujdesit në shtëpi, përfshirë një analizë krahasuese të modeleve të kujdesit në Shqipëri dhe Ukrainë. Diskutimet vunë në dukje modelin e ofrimit të shërbimeve në Shqipëri dhe u pasuan nga një takim me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe zëvendësministren, znj. Mira Rakacolli.

Vizitat në terren u zhvilluan në dy grupe. Një grup vizitoi Qendrën Shëndetësore në Patos, Fier, ku bashkëbisedoi me ekipet lokale të kujdesit shëndetësor dhe diskutoi mbi modelet e ofrimit të shërbimeve. Vizita përfundoi me një ndalesë në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Grupi tjetër eksploroi Qendrën Shëndetësore në Dajç, e ndjekur nga një vizitë në Kalanë e Shkodrës. Të dyja grupet fituan njohuri të vlefshme mbi punën e përditshme dhe bashkëpunimin brenda ekipit të mjekësisë familjare.

Dita e fundit u përqendrua në modele të specializuara të kujdesit, përfshirë mbështetjen paliative dhe psikosociale. Delegatët vizituan organizatën joqeveritare Ryder Albania, e cila ofron kujdes paliativ në banesë. Aktiviteti përfundoi me një tryezë të rrumbullakët, ku pjesëmarrësit reflektuan mbi mësimet e nxjerra dhe rekomandimet e mundshme për përshtatjen e praktikave shqiptare në Ukrainë.

Delegacioni ukrainas shprehu mirënjohje të thellë për mësimet e ndara, të cilat padyshim u dhanë atyre njohuri të vlefshme për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve për pacientët.