Seminari i Planifikimit Vjetor: HAP përcakton prioritetet për 2024-2025

Përfaqësuesit dhe palët e interesit të Projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP) u mblodhën për Seminarin e Planifikimit Vjetor më 20 shkurt 2024. Seminari u mbajt në përputhje me dokumentin e miratuar të projektit dhe planin afatshkurtër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) me qëllim dakordësimin për prioritetet dhe aktivitetet për vitin e ardhshëm, 1 prill 2024 deri më 31 mars 2025.

Seminari u hap me fjalën përshëndetëse të znj. Sabine Piccard nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe znj. Mira Rakacolli, zëvendësministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Në vijim u mbajtën prezantime të rëndësishme nga Z. Besim Nuri, Menaxher i Projektit HAP, i cili parashtroi prioritetet strategjike të HAP për 2024-2025 dhe Z. Kaspar Wyss, Drejtor i Projektit HAP, i cili shtjelloi planin vjetor të punës duke u fokusuar në shtrirjen e kujdesit në banesë.

Diskutimi i hapur që pasoi u përqendrua në tema kyçe si strategjitë dhe qasjet për përshpejtimin e procesit të shtrirjes së shërbimeve të prezantuara nga HAP, masat praktike për të bërë të mundur zbatimin e “qasjes kaskade” për zbatimin e trajnimit të infermierëve në një shkallë më të gjerë, dhe përfshirja e kujdesit shëndetësor në banesë në paketën bazë të shërbimeve me synimin për të përmirësuar qasshmërinë dhe gjithëpërfshirjen në shërbimet kujdesit parësor.

Formati i seminarit parashikon përdorimin e grupeve të punës si një mënyrë për të mbledhur propozime mbi aktivitetet e ardhshme të projektit në përputhje me dokumentin e projektit dhe prioritetet vjetore të MShMS-së. U krijuan tri grupe, secili duke u fokusuar në produkte specifike të projektit, përfshirë këtu shtrirjen e modeleve të përditësuara të KSHP-së dhe përmirësimin e zhvillimit organizativ të institucioneve kryesore të varësisë, zbatimin e shërbimeve të kujdesit në banesë dhe fuqizimin e rolit të organizatave të shoqërisë civile (OSHC-të) dhe mediave për avokim, dhe shtrirjen e përdorimit të protokolleve për kontrollin e sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT) dhe përmirësimin e shërbimeve për popullatat e cenueshme.

Në seancën plenare u prezantuan dhe u diskutuan rezultatet e punës në grup me ndihmën e moderatorëve dhe raportuesve të grupit që lehtësuan dialogun. Disa nga propozimet që u shtruan kishin të bënin me nevojën për më shumë mbështetje për shërbimet e shëndetit mendor, forcimin e kapaciteteve të edukimit në vazhdim, rishikimin e paketës bazë të kujdesit parësor për të përfshirë kujdesin në banesë, përdorimin e produkteve digjitale për trajnimin e procedurave infermierore, zhvillimin e një aplikacioni për të lehtësuar vendimmarrjen klinike dhe shumë të tjera.

Seminari përfundoi duke nënvizuar angazhimin e të gjithë aktorëve për përmirësimin e aksesit dhe cilësisë së kujdesit shëndetësor në Shqipëri.