Përmirësimi i kujdesit shëndetësor: Bashkëpunimi i suksesshëm i NJVKSH Durrës me HAP

Mbledhje e NJVKSH Durrës

Në qytetin bregdetar të Durrësit, mbi 100,000 banorë po përjetojnë një transformim të kujdesit shëndetësor parësor nën udhëheqjen e Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NjVKSH). Biseduam me Eriona Petron, Shefe e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor që nga viti 2016, për të mësuar më shumë se si bashkëpunimi me Projektin Shëndet për të Gjithë (HAP) ka fuqizuar kapacitetet dhe shërbimet shëndetësore lokale duke përmirësuar në mënyrë të konsiderueshme mirëqenien e komunitetit dhe qasjen e grupeve të cenueshme ndaj kujdesit shëndetësor.

A mund të na përmblidhni me pak fjalë ndërhyrjet kryesore që NjVKSH Durrës ka zbatuar në bashkëpunim me projektin Shëndet për të Gjithë?

Në këto vite bashkëpunimi me projektin HAP është punuar shumë sidomos në drejtim të rritjes së kapaciteteve të stafeve mjekësore në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP). Përmend këtu Trajnimet për Trajnerë (ToT) që HAP ofroi për ekipin e trajnerëve të NJVKSH Durrës lidhur me zbatimin e protokolleve të mjekimit për  Diabet Mellitus, Hipertension, Dislipidemi, Astma dhe SPOK në KSHP.  Më pas Trajnerët tanë ofruan ToT për një çift MF-IF nga çdo Qendër Shëndetësore (QSH) e Durrësit, të cilët vijuan me ngritjen e Grupeve të Kolegëve (GK) në të 18 QSH-të për të vazhduar trajnimet me kolegët e tyre për zbatimin e protokolleve të përditësuara të pesë sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT). Një hallkë shume e rëndësishme e procesit të zbatimit të protokolleve për 5SJT ka qenë trajnimi që realizuam në bashkëpunim me HAP për aftësimin e kapaciteteve monitoruese  për supervizimin mbështetës të zbatimit nga MF dhe IF të protokolleve të përditësuara, sepse kjo mundëson qëndrueshmëri në zbatimin e tyre. Një tjetër ndërhyrje e suksesshme e realizuar në zbatim të “Strategjisë së Zhvillimit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor në Shqipëri 2020-2025” të Ministrisë së Shëndetit dhe Mbrojtjes Sociale (MSHMS) është edhe implementimi i shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë (KSHB) në QSH Nr. 2, QSH Nr. 4, QSH Rrashbull dhe QSH Xhafzotaj. Përgjatë gjithë procesit, që nga prezantimi i ndërhyrjes, miratimi i rregullores së brendshme të KSHB-së, krijimi i databazës për pacientët me sëmundje kronike që do të përfitonin nga kjo ndërhyrje si dhe trajnimi i IF mbi procedurat standarde infermierore në KSHB, kemi pasur mbështetjen teknike dhe logjistike të projektit HAP.  Tashmë po vijojmë me shtrirjen e KSHB-së në QSH Nr. 1, QSH Shijak, QSH Manëz dhe QSH Ishëm.

Ndërkohë, për të zbatuar protokollin e kujdesit mjekësor për të moshuarit në KSHP pas trajnimit për trajnerë nga HAP me NJVKSH-në dhe mjekët dhe infermierët e familjes nga 4 QSH, është bërë ToT nga ekipi i trajnerëve të Durrësit për një çift MF-IF nga 14 QSH-të e tjera të Durrësit të cilët vijuan me ngritjen e Grupeve të Kolegëve në QSH-në e tyre.  Kështu u ngritën dhe kanë përfunduar Grupin e Kolegëve “Kujdesi Mjekësor për të Moshuarit në KSHP” në të 18 QSH.

Si kanë ndikuar këto ndërhyrje në përmirësimin e shëndetit dhe mirëqenies së komunitetit tuaj? Po në përmirësimin e aksesit ndaj shërbimeve të kujdesit shëndetësor për grupet vulnerabël?

Patjetër që të gjitha ndërhyrjet e realizuara të cilat kanë pasur në fokus rritjen profesionale të stafeve mjekësore përkthehen në ofrimin e shërbimeve shëndetësore më cilësore në komunitet. Shërbimet më cilësore në komunitet si pasojë e përditësimit të njohurive të stafit në mënyrë të drejtpërdrejtë përmirësojnë gjendjen shëndetësore duke rritur edhe mirëqenien e komunitetit. Ndërsa për sa i përket implementimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë në ato QSH të përzgjedhura deri me tani është përmirësuar ndjeshëm aksesi ndaj shërbimeve shëndetësore i grupeve vulnerabël.

Çfarë rezultatesh apo përmirësimesh të matshme janë vërejtur që nga zbatimi i këtyre ndërhyrjeve? Cilat janë shërbimet e reja që sot ofrohen në sajë të mbështetjes së HAP?

Implementimi i  protokolleve të përditësuara për menaxhimin e 5SJT-ve  apo edhe implementimi i shërbimit në banesë në 8 QSH, i cili do të shtrihet  hap pas hapi në të 18 QSH-të falë mbështetjes teknike dhe logjistike të HAP, kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve të ofruara për pacientët  deri më tani, por edhe kanë adresuar një përqasje më korrekte në dokumentimin e tyre. Ofrimi i shërbimit të kujdesit shëndetësor në banesë i planifikuar dhe i standardizuar me të gjitha proceduarat standarde infermierore është një hallkë shumë e rëndësishme që rrit aksesin e shërbimeve shëndetësore për pacientët vulnerabël.

A mund të na tregoni se si është angazhuar NJVKSH Durrës për mbështetjen QSH-ve në zbatimin e ndërhyrjeve të reja, shtrirjen e këtyre ndërhyrjeve përtej QSH-ve të përzgjedhura për mbështetje nga HAP dhe monitorimin dhe vlerësimin e progresit?

Në zbatimin e ndërhyrjeve të reja, siç edhe ishte Kujdesi Shëndetësor në Banesë në NJVKSH, u angazhuan ekipe të dedikuara për të qenë mbështetëse gjatë gjithë fazave të  implementimit të tij në 4 QSH e përzgjedhura fillimisht, e më pas ekipet e këtyre qendrave mbështetën teknikisht shtrirjen e ndërhyrjes më tej në qendrat e përzgjedhura. NJVKSH ka ofruar  Trajnime për Trajnerë përtej trajnimit për trajnerë fillestar që u ofroi projekti dhe kemi mbështetur dhe bërë funksional Grupet e Kolegëve në të gjitha QSH-të e NJVKSH-së Durrës.

Në të njëjtën kohë kemi monitoruar periodikisht progresin që kanë bërë Qendrat Shëndetësore përgjatë zbatimit të këtyre ndërhyrjeve. Monitorimi i vazhdueshëm gjatë fazave të implementimit na ka krijuar mundësinë të përmirësohemi më tej gjatë zbatimit.

A keni hasur sfida apo pengesa  gjatë zbatimit të ndërhyrjeve dhe si i keni kapërcyer ato?

Përgjatë viteve të bashkëpunimit me projektin HAP një nga sfidat kryesore ka qenë gjetja e formave të përshtatshme për motivimin e stafeve mjekësore për të pasur një përqasje të re ndaj shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë. Nuk kemi hasur vështirësi në kapërcimin e kësaj sfide pasi sapo ndërhyrjet që do të implementoheshin kanë qenë të qarta në prezantim dhe të mirë organizuara në hapat që do të ndiqeshin më tej, stafet kanë qenë të gatshme t’i zbatojnë. Mbështetja logjistike e projektit HAP ka lehtësuar implementimin e ndërhyrjeve si për NJVKSH-në po ashtu edhe për QSH-të.

Cilat kanë qenë mësimet kryesore dhe praktikat më të mira që keni nxjerrë nga suksesi i këtyre ndërhyrjeve të cilat, sipas jush, mund të jenë të vlefshme për NjVKSH-të e tjera që kërkojnë të kenë po aq sukses sa edhe ju?

Mendoj se arsyeja kryesore që ndërhyrjet kane rezultuar të suksesshme kanë qenë dy. E para dhe më e rëndësishmja është puna e organizuar në ekip dhe komunikimi i vazhdueshëm midis personave përgjegjës në QSH dhe e personave përgjegjës në shërbimin e kujdesit parësor për implementimin e ndërhyrjeve të caktuara. Kur stafet janë të mirinformuara mbi detyrat e përcaktuara, atëherë edhe implementimi bëhet më i thjeshtë. E dyta është nxjerrja e mësimeve përkatëse për çdo hallkë që ka dështuar gjatë implementimit dhe gjetja e alternativave më praktike për kapërcimin e vështirësive. Kur urat e komunikimit mbahen të hapura gjendet gjithmonë një zgjidhje për problemet që hasim gjatë rrugës.

Qëndrueshmëria është një aspekt kritik i suksesit të çdo projekti. Çfarë strategjie mendoni të ndiqni për të siguruar vazhdimësinë e rezultateve të këtyre ndërhyrjeve përtej kohëzgjatjes së projektit?

Çdo rezultat i arritur kërkon punë e përkushtim për të vijuar me tej, prandaj monitorimi i punës se bërë deri më tani dhe rritja e kapaciteteve të vetë stafeve të QSH-ve dhe të NJVKSH-së për monitorimin e ndërhyrjeve do të jetë synimi kryesor. Në të njëjtën kohë, trajnimi i vazhdueshëm i stafeve mjekësore sipas nevojave nga ekipet e QSH-ve dhe NJVKSH-së tashmë të trajnuara mbi ndërhyrjet e realizuara. Këto janë dy komponentët më të rëndësishëm për të siguruar qëndrueshmërinë e ndërhyrjeve të realizuara.

Duke parë drejt të ardhmes, cilat janë planet apo synimet e NjVKSH Durrës për të shpënë më tej arritjet e projektit Shëndet për të Gjithë?

Plani më i afërt është shtrirja e shërbimit të Kujdesit Shëndetësor në Banesë edhe në Qendrat Shëndetësore në të cilat akoma nuk eshtë implementuar duke u bazuar tashmë në eksperiencën e bashkëpunimit me projektin HAP dhe në kapacitetet e stafeve tona mjekësore të kualifikuara. Kemi përfunduar tashmë fazën e ngritjes dhe zbatimit të Grupeve të Kolegëve në të 18 QSH-të mbi protokollin e Kujdesit Mjekësor për të Moshuarit në Kujdesin Shëndetësor Parësor dhe në vijim do të monitorojmë zbatimin e tij.

 

Eriona Petro mban postin e Shefes së Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës që nga viti 2016 dhe është lektore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës që nga viti 2012. Znj. Petro ka marrë gradën e Masterit në Farmaci nga Universiteti i Tiranës dhe ka kualifikime në Analizën e Politikave Farmaceutike, Epidemiologji, dhe në Cilësinë e Kujdesit Shëndetësor nga Universiteti i Utrechtit, Instituti i Shëndetit Publik dhe Shoqata Ndërkombëtare për Cilësinë në Kujdesin Shëndetësor, respektivisht.