Ka përfunduar me sukses cikli i trajnimeve dy-ditore për aftësimin në monitorimin e zbatimit të protokolleve të mjekimit për 5 Sëmundjet Jo të Transmetueshme (SJT): hipertensionin arterial, diabetin mellitus tip II, dislipideminë, astmën dhe SPOK-un.
Trajnimet u zhvilluan gjatë periudhës 4–19 dhjetor 2025 në Vlorë, Shkodër dhe Kurbin, me pjesëmarrjen e 37 profesionistëve të kujdesit shëndetësor parësor në Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor dhe të ekipeve menaxheriale të 11 qendrave shëndetësore.
Programi i trajnimit kishte në fokus forcimin e kapaciteteve monitoruese të Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, NJVKSH-ve dhe Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor për të garantuar zbatim të qëndrueshëm, cilësor dhe të standardizuar të protokolleve të mjekimit në Kujdesin Shëndetësor Parësor. Trajnimi kombinoi sesione teorike me punë praktike në qendra shëndetësore, duke përfshirë kqyrjen e kartelave mjekësore, intervista me ekipet MF–IF dhe pacientët, si dhe observim të mjediseve të konsultës.
Trajnimi u drejtua nga Dr. Sosela Rrusho dhe Dr. Klarida Papaqako, dhe ishte i akredituar nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Kujdesin Shëndetësor (ASCK) me katër kredite për mjekë dhe infermierë.
Vlerësimet e pjesëmarrësve treguan se trajnimi ishte tejet i dobishëm për praktikën e përditshme, duke qartësuar më tej treguesit e zbatimit të protokolleve dhe rëndësinë e monitorimit mbështetës si instrument për përmirësimin e cilësisë së kujdesit.