Përfundon Faza II e Projektit Shëndet për të Gjithë – Ja Arritjet

Projekti Shëndet për të Gjithë përfundoi fazën e tij të dytë më 31 mars 2023 duke shënuar arritje të rëndësishme në mbështetjen për shërbimin e Kujdesit Shëndetësor Parësor në vend. Teksa kujtojnë katër vitet e frytshme që lamë pas, u jemi mirënjohës bashkëpunëtorëve e partnerëve tanë dhe ekspertëve e profesionistëve të shëndetësisë që me mbështetjen e tyre bëjnë të mundur që popullsia shqiptare të marrë shërbim mjekësor më të mirë sot e në vazhdim.

Ja disa nga arritjet më të rëndësishme të fazës së dytë që janë realizuar me mbështetjen e HAP:

U hartua dhe miratua Strategjia për Zhvillimin e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri (2020-2025). HAP i ka ofruar mbështetje teknike Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS) për hartimin e draftit të kësaj strategjie i cili u miratua nga Këshilli i Ministrave më 20 maj, 2020.

U hartuan dhe miratuan modelet e reja të shërbimeve të kujdesit në banesë për pacientët që e kanë të pamundur të dalin nga shtëpia. Paketa e kujdesit në shtëpi, e përgatitur me mbështetjen e HAP, u miratua nga MShMS në dhjetor 2021. Këto shërbime u pilotuan fillimisht në 9 qendra shëndetësore në Fier dhe Dibër dhe më pas u shtrinë në 22 qendra të tjera në 5 rajone gjeografike, ku pacientët filluan të marrin kujdes në banesë në shkurt 2023.

U hartuan dhe miratuan protokollet dhe udhëzimet e reja për kontrollin e sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT) dhe kujdesin ndaj të moshuarve në KSHP, të cilat u miratuan nga MShMS në korrik 2022. Aktualisht po punohet që zbatimi i protokolleve të shtrihet në nivel kombëtar.

U hartuan dhe miratuan profilet e reja dhe të përditësuara të ofruesve të shërbimit mjekësor parësor. HAP ka mbështetur agjencitë partnere për hartimin e 10 profileve të reja të infermierëve, mjekëve të familjes, dhe të profesioneve të tjera mjekësore, të cilat po zbatohen në mbarë vendin nën drejtimin e Operatorit dhe me mbështetjen e HAP.

U zhvillua dhe po zbatohet kurrikula e masterit të ri profesional në infermierinë familjare në bashkëpunim të ngushtë me Fakultetin e Shkencave Mjekësore Teknike. Që nga fillimi i masterit në nëntor 2021 janë regjistruar dy kohorta studentësh, nga të cilët 8 janë diplomuar në vitin 2022 dhe 17 pritet të diplomohen në vitin 2023. Programi do të vazhdojë të ofrohet në vitet në vijim nga Universiteti i Mjekësisë i Tiranës.

Edukimi në vazhdim për ekipet e mjekësisë familjare është intensifikuar përmes Grupeve të Kolegëve dhe është shtrirë në të gjitha rajonet e Shqipërisë. Grupet e kolegëve janë një mjet i mirë për të mundësuar n zbatimin e elementeve të reja të reformës në KSHP, si kujdesi në banesë, protokollet e SJT-ve, profilet e infermiereve etj. Gjatë katër viteve të fazës së dytë të HAP, janë ngritur dhe kanë funksionuar 196 grupe kolegësh, ku janë përfshirë 370 mjekë dhe 1688 infermiere familjeje. Gjithashtu, HAP ka mbështetur trajnime të ndryshme ku kanë marr pjesë rreth 2192 ofrues të shërbimit mjekësor familjar. Bazuar në këto të dhëna, HAP ka qenë burimi kryesor dhe mbështetësi më i rëndësishëm i aktiviteteve të edukimit në vazhdim për ofruesit e Kujdesit Shëndetësor Parësor në Shqipëri gjatë katër viteve të fundit.

U rindërtuan nga themelet dhe mobiluan tre godina të KSHP-së që u shkatërruan nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019. Dy prej tyre iu dorëzuan ekipeve përkatëse mjekësore në janar 2022, ndërsa e treta në qershor 2023.

U rehabilituan 12 godina të qendrave shëndetësore (4 qendra shëndetësore dhe 8 ambulanca). Investimi u krye përmes një mekanizmi bashkëfinancimi me pesë bashki, ku HAP mbuloi 70% të kostove të përgjithshme ndërsa bashkitë përkatëse 30%. Për sa kemi dijeni, kjo është hera e parë që bashkitë investojnë në rehabilitimin e godinave të qendrave shëndetësore në territoret që mbulojnë.

Këto ndërhyrje të rëndësishme të realizuara gjatë fazës së dytë të HAP kanë mundësuar përmirësimin në shkallë kombëtare të aksesimit të shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrohen nga qendrat shëndetësore dhe ambulancat përkatëse, qoftë përmes përgatitjes së ekipeve mjekësore ashtu edhe  përmes infrastrukturës së godinave të shërbimit.