
Ka nisur puna për ngritjen e Grupeve të Kolegëve në qendra shëndetësore të përzgjedhura në Tiranë, Kavajë, Shkodër, Pogradec, Mirditë, Kukës, Lezhë dhe Elbasan. HAP po mbështet nga afër Njësitë Vendore të Kujdesit Shëndetësor për këtë proces përmes workshopeve me facilitatorët e Grupeve të Kolegëve të cilët udhëzohen mbi ngritjen dhe rregullat e mirëfunksionimit të këtyre aktiviteteve të edukimit në vazhdim.
Gjatë këtyre workshopeve, facilitatorët përgatisin setin e dokumenteve për aplikim për akreditim pranë Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor dhe Shoqëror (ASCKSH), hartojnë agjendat e takimeve, dhe njihen me rolin e tyre si facilitatorë gjatë takimeve të grupit. Facilitatorët bëjnë të mundur përfshirjen e të gjithë anëtarëve të grupit në diskutimet e rasteve klinike, në përdorimin e mjeteve të vendim-marrjes klinike dhe edukimit shëndetësor për secilën nga pesë sëmundjet jo të transmetueshme (SJT), si dhe në praktikën që realizohet me plotësimin e dokumenteve të raportimit pranë ACSKSH-së para dhe pas çdo takimi.
Grupet e Kolegëve synojnë rritjen e njohurive dhe të shprehive të personelit për zbatimin në praktikë të udhëzuesve dhe protokolleve të trajtimit te SJT-ve në kujdesin shëndetësor parësor. Ngritja e këtyre grupeve vjen pas mbylljes së ciklit të trajnimeve për trajnerë mbi zbatimin e protokolleve të parandalimit dhe të trajtimit për pesë sëmundjet kronike kryesore: dislipidemia, hipertensioni, diabeti, astma, dhe SPOK (Sëmundja Pulmonare Obstruktive Kronike) të cilat u zhvilluan gjatë periudhës maj-tetor 2024 me mbështetjen e HAP. Në 50 trajnimet e mbajtura morën pjesë 190 mjekë/infermierë familjeje dhe specialistë të Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor nga Tirana, Kavaja, Shkodra, Elbasani, Pogradeci, Lezha, Mirdita, dhe Kukësi. Trajnimet synuan jo vetëm aftësimin e pjesëmarrësve në zbatimin e protokolleve në praktikën e përditshme por edhe në përçimin e këtyre njohurive te kolegët e tjerë nëpërmjet Grupit të Kolegëve.
Pjesëmarrësit shprehën vlerësim të lartë për përmbajtjen dhe materialet e trajnimeve të cilat u dhanë mundësi të përditësonin njohuritë e tyre për parandalimin, diagnostikimin, vlerësimin dhe monitorimin e secilës prej 5 sëmundjeve. Ata gjithashtu vlerësuan mundësinë për t’u ushtruar gjatë trajnimit me përdorimin e mjeteve për vendim-marrje klinike përkatëse si të mjekëve ashtu edhe infermierëve, duke fituar kështu aftësi praktike për parandalimin dhe menaxhimin e çdo sëmundjeje.
Trajnimet përfshinë gjithashtu seanca të dedikuara për edukimin shëndetësor të pacientëve dhe familjarëve ku u realizuan demonstrime reale të këtij procesi përmes përdorimit të “Manualit të edukimit shëndetësor për sëmundjet jo të transmetueshme”.
Trajnimet u realizuan nga Fondacioni ABC dhe bartin vlerën e 6 krediteve nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim.
* * *
Trajnimet e mjekëve dhe infermierëve të familjes për zbatimin e protokolleve të 5 SJT-ve janë një hap shumë i rëndësishëm për pakësimin e referimeve të pacientëve te mjeku specialist dhe parandalimin dhe menaxhimin më të mirë të komplikacioneve nga mjeku i familjes. Kjo bën që të lindë nevoja për koordinim më të mirë të kujdesit nga mjeku specialist me atë të mjekut të familjes në lidhje me linjën e trajtimit që do të ndiqet dhe barnat që rekomandohen për përdorim.
Me rëndësi mbetet vazhdimi i trajnimeve praktike dhe monitorimi i zbatimit të protokolleve për të siguruar që njohuritë e marra të kthehen në rezultate konkrete në përmirësimin e menaxhimit të SJT-ve dhe të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri.