“Menaxhimi i sëmundjeve kronike kërkon bashkëpunim” – Geraldo Krasi flet për rëndësinë e besueshmërisë në raportin mjek-pacient

Geraldo Krasi është mjek familjeje i sapoemëruar në ambulancën Duhanas, në Qendrën Shëndetësore Velabisht, Berat, i cili njihet për përgatitjen dhe përkushtimin e tij gjatë trajnimeve të realizuara me mbështetjen e HAP, veçanërisht në rolin e facilitatorit të Grupeve të Kolegëve.

A mund të na përshkruani shkurtimisht rolin tuaj në identifikimin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor për pacientë me sëmundje jo të transmetueshme (SJT)?

Unë punoj si Mjek Familjeje për të gjitha grupmoshat në Qendrën Shëndetësore (QSH) Ura Vajgurore, ambulanca “4-Shtatori”. Prej tre vitesh ofroj shërbim shëndetësor për rreth 2600 banorë në total, pjesërisht në lagjen me të njëjtin emër dhe pjesërisht në fshatrat Konezbaltë dhe Pashalli. Numri i pacientëve kronikë është rreth 350, dhe pjesa më e madhe e tyre janë të prekur nga një ose më shumë sëmundje jo të transmetueshme si hipertension (HTA), diabet mellitus (DM), dislipidemi, astmë bronkiale dhe SPOK. Këta janë pacientë që kryesisht trajtohen me barna sipas skemës së rimbursimit dhe marrin receta kryesisht në harkun kohor të dy muajve. Kjo periudhë korrespondon edhe me vizitat e kontrollit që këta pacientë marrin në QSH. Një pjesë e rëndësishme e punës time është e lidhur me ndjekjen e banorëve që kryejnë Kontrollin Mjekësor Bazë, ku në mënyrë të rastësishme zbulohet ndoshta një HTA, dislipidemi apo DM. Këta individë gjatë vizitës sqaruese për rezultatet e check-up-it kërkojnë të dinë më shumë mbi gjendjen e tyre dhe mundësitë e trajtimit.

Cilat mendoni se janë vështirësitë më të mëdha në ofrimin e shërbimit shëndetësor në komunitetin tuaj?

Vështirësitë mund të përmblidhen si më poshtë. Për pacientët që diagnostikohen rishtazi me një SJT, problemet mund të jenë: përshtatja me terapinë dhe ndryshimi i stilit të jetesës; rikontrollet më të shpeshta në fillim për të vlerësuar efektet e trajtimit dhe kontrollin e sëmundjes; mungesa e mjeteve,  p.sh. e fishave për matjen e glicemisë rutinë, dhe  e pajisjeve dhe kiteve të nevojshme për analiza biokimike në QSH; barnat e rimbursueshme, ose më mirë akoma, kufizimet e Librit të Barnave e rregulloret, të cilat pacientët e sapodiagnostikuar e kanë të vështirë t’i kuptojnë. Për mua si mjek familjeje, vështirësi është sipërfaqja e madhe e territorit që mbuloj me shërbim dhe, së fundmi, gjithnjë e më tepër, personat e moshës së tretë që jetojnë vetëm. Këta janë njëkohësisht edhe pacientët me më shumë se një SJT që kanë nevojë për më shumë rikontrolle tek  mjekët specialistë, kanë nevoja të shumëfishta dhe shpeshherë probleme sociale që bashkëekzistojnë me ato shëndetësore dhe që përkthehen të gjitha në vështirësi për Mjekun dhe Infermieren e familjes, pasi ata janë më pranë pacientit se institucionet e tjera. Theksoj se problemet sociale për t’u zgjidhur nuk varen nga ne, por vështirësojnë punën tonë.

 Si do ta përshkruanit marrëdhënien ndërmjet stafit mjekësor dhe komunitetit? A kanë besim qytetarët tek stafi mjekësor? A vijnë tek ju për këshilla dhe udhëzime?

Në këndvështrimin tim, marrëdhënia me komunitetin është shumë e mirë, pavarësisht se ka gjithmonë pacientë apo familjarë problematikë, por angazhimi i stafit mjekësor është padyshim i lartë, duke ruajtur korrektësinë dhe duke synuar mirëqenien e pacientit. Duhet nënvizuar që besimi më i lartë tek stafi mjekësor është nga pacientët kronikë. Kjo sepse për të ndërtuar një marrëdhënie besueshmërie nevojitet kohë dhe pacientët kronikë, me kalimin e kohës, i  kanë parë qëllimet e stafit mjekësor kundrejt tyre. Pacientët vijnë për këshilla dhe udhëzime dhe kërkojnë ndihmë për trajtimin e gjendjes së tyre. Kur kanë problematika akute i referohen shpesh infermierit ose mjekut dhe kjo dëshmon besueshmërinë që ata kanë ndaj stafit mjekësor, gjë që na jep kënaqësi për punën e kryer.

Cilët janë faktorët që ndikojnë në cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrohet për komunitetin, sidomos për sa u përket SJT-ve?

Disa nga faktorët që më vijnë në mendje janë këta: ngarkesa e punës së mjekut dhe infermierit së familjes; numri i madh i vizitave ditore i cili rezulton në më pak kohë efektive për çdo vizitë; mënyra e organizimit të punës në QSH, ku vërtet ka disa infermierë me funksione të caktuara, por asnjëra nuk ka një funksion të qartë për edukimin e pacientit, gjë që është sidomos problematike në ambulanca me ambiente të vogla ku pjesa e edukimit të pacientit që mund të bëhet nga infermieri thuajse mungon, pasi mjeku dhe infermieri ndajnë të njëjtin ambient; detyrat gjithnjë e më të shumta që i ngarkohen mjekut dhe infermierit të familjes në raport me zonën që mbulojnë, të cilat shpesh marrin kohë nga menaximi i pacientit me SJT, si p.sh angazhimi për depistimin e syve nëpër shkolla, plotësimin e dokumetacioneve për raportime gjithnjë e më të shumta për drejtoritë qendrore, etj.

Sa i vlefshëm mendoni se ka qenë trajnimi mbi zbatimin e protokolleve të SJT-ve? Si ka ndikuar ky trajnim në praktikën klinike dhe kujdesin ndaj pacientëve me SJT?

Trajnimi ka qenë shumë i vlefshëm. Ka përditësuar njohuritë e stafit mjekësor dhe, në një farë mënyre, edhe ka standardizuar punën e stafit mjekësor, pavarësisht se punojmë në ambulanca të ndryshme. Njohuritë e përmirësuara kanë rritur profesionalizmin e stafit mjekësor. Zbatimi i protokolleve të mjekimit bën që pacientët tani të marrin të njëjtin trajtim duke shmangur ndryshimet midis përgatitjes së secilit pjesëtar të stafit apo dhe vendndodhjes në qytet apo fshat.

Çfarë vështirësish mendoni që do të ketë zbatimi i këtyre protokolleve në punën e përditshme?

Vështirësitë mendoj se janë të lidhura në radhë të parë me pacientët, angazhimin e tyre në trajtimin jomedikamentoz të një sëmundjeje të caktuar dhe marrjen e rregullt të medikamenteve. Por vështirësi do të ketë edhe për stafin të cilët duhet të shpenzojnë më shumë kohë për edukimin e pacientëve, ndryshimin e rutinës së mëparshme në trajtimin e SJT-ve, dhe së fundmi edhe me pjesën e barnave të rimbursueshme apo kufizimet që ka mjeku i familjes për të ndryshuar llojin e medikamenteve apo dozën pa kaluar më parë pacienti në konsultë me mjekun specialist.

Ç’lloj mbështetjeje mendoni se do të ishte e nevojshme për të siguruar integrimin e suksesshëm të protokolleve në kujdesin parësor?

Mbështetje e madhe ka qenë nga HAP ofrimi i materialeve mbështetëse që mundësojnë zbatimin e protokolleve të trajtimit dhe dokumentimin më të mirë të kujdesit në kartelë. Gjithashtu, mjetet e punës në çantën e mjekut ndihmojnë në menaxhimin më të mirë të pacientit. Mendoj që ndihmë mund të jetë ndarja e përvojave konkrete të disa mjekëve që kanë pasur sukses me integrimin e këtyre protokolleve në praktikën e tyre të përditshme, shkëmbime këto që mund të bëhen në QSH në mënyrë sistematike..

Si mendoni t’i angazhoni dhe edukoni pacientët rreth menaxhimit të SJT-ve përkatëse në kuadrin e këtyre protokolleve?

Angazhimi i pacientëve mendoj se varet kryesisht nga transmetimi i informacionit në një mënyrë sa më profesionale, të saktë dhe bindëse, por gjithashtu holistike dhe empatike. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, që pacienti të kuptojë që stafi mjekësor po i jep këto informacione sepse ai është i rëndësishëm, i vlefshëm, jo vetëm për sëmundjen specifike që ka, por për gjithë qenien njerezore që përfaqëson. Fillimisht, kështu mendoj se fitohet besueshmëria e pacientit, çka e bën më të lehtë më pas angazhimin e tij në menaxhimin e SJT-ve. Sigurisht që nuk duhen anashkaluar informacionet mbi ecurinë e sëmundjes, pra çfarë komplikacionesh sjell sëmundja në trupin e pacientit, por edhe mbi të mirat që mund t’i vijnë pacientit nga ndryshimi i stilit të jetesës dhe kontrollimi i sëmundjes. Të gjitha këto duhet të ndodhin gradualisht, në vizitat periodike të kontrollit, ku pacientëve u sugjerohet dhe u kërkohet të ndryshojnë stilin e tyre të jetesës hap pas hapi. Një ndryshim radikal dhe i menjehershëm, në bindjen time, mendoj se e streson shumë pacientin dhe nuk sjell ndonjë përfitim të vërtetë në terma afatgjatë.

A keni vënë re ndryshime në gjendjen shëndetësore dhe cilësinë e jetës së pacientëve pas fillimit të zbatimit të këtyre protokolleve?

Do të thoja patjetër që po! Tek pacientët që kanë pasur një bashkëpunim të mirë në menaxhimin e SJT-ve, zbatimi i protokolleve ka sjellë një përmirësim të dukshëm të gjendjes shëndetësore dhe, më vonë, edhe të cilësisë së jetës. Me një ndjekje më të mirë, me njohuritë e përditësuara dhe me zbatimin e protokolleve pacientët janë më të qartë rreth asaj që ata vetë duhet të bëjnë. Vetë pacientët referojnë përmirësim të dukshëm kur vijnë në vizitat e kontrollit, por edhe analizat laboratorike konfirmojnë përmirësimin ose edhe mbajtjen nën kontroll të sëmundjes së tyre kronike.

A mendoni se ka vend për përmirësim në këto trajnime? Në cilat aspekte?

Trajnimet kanë qënë vërtetë një ndihmë e madhe për stafin mjekësor. Këtu do të theksoja rëndësinë që në trajnimet për Trajnerë dhe Grup Kolegësh për protokollet për SJT të marrin pjesë mjekët dhe infermierët që në praktikën e tyre të përditshme menaxhojnë këto sëmundje kronike tek të rriturit. Mendoj se do të ndikonte në zbatimin konkret të protokollit nëse do të mundësohej që pas trajnimit, për shembull, një infermiere të merrte pjesë në një ditë të zakonshme pune me mjekun që ka bërë trajnimet dhe kështu infermierja ka më shumë gjasa që të vendosë menjëherë në praktikë njohuritë e marra.