
Gjatë javës së fundit të shtatorit, projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) priti dy vizita ekspertësh që kishin për synim të njihnin nga afër dhe të vlerësonin ecurinë e projektit si edhe të diskutonin rreth aktiviteteve dhe ndërhyrjeve të ardhshme të fazës së konsolidimit.
Më 22–23 shtator, z. Alexander Schulze, Drejtor i Shërbimeve në Institutin Zviceran të Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Tropikale (SwissTPH), zhvilloi një vizitë dyditore e cila përfshinte takime me ekspertët dhe drejtuesit e HAP për të shqyrtuar aktivitetet në vazhdim dhe sfidat e prioritetet e fazës së konsolidimit të projektit.
- Z. Schulze vizitoi gjithashtu Qendrën Shëndetësore Sauk në Tiranë, ku bisedoi me ekipin drejtues për t’u njohur nga afër me rezultatet e mbështetjes së HAP. QSH Sauk ka qenë një partner afatgjatë i projektit, duke përfituar nga një sërë ndërhyrjesh, si:
- trajnime për sëmundjet jo të transmetueshme, kujdesin për të moshuarit, shëndetin mendor dhe kujdesin shëndetësor në banesë;
- pajisja me çantat e mjekut dhe infermieres, si dhe me aparatura për shërbimet komunitare;
- rikonstruksioni i ambienteve të qendrës.
Gjatë vizitës, të pranishmit ndanë përvojat e tyre mbi ndikimin e mbështetjes së HAP në praktikën e përditshme, përmirësimin e kujdesit ndaj pacientëve dhe adresimin e nevojave të komunitetit. Diskutimet evidentuan gjithashtu sfidat që mbeten për ruajtjen dhe zgjerimin e këtyre arritjeve.
Ndërkaq, më 26 shtator, përfaqësuesi i SwissTPH dhe njëkohësisht drejtori i projektit HAP, Prof. Kaspar Wyss, zhvilloi një vizitë në terren në Vlorë, i shoqëruar nga Menaxheri i Projektit, Dr. Besim Nuri, dhe Specialistja e Infermieristikës, Znj. Sajmira Adëraj.
Vizita nisi në Qendrën Shëndetësore Novoselë, ku delegacioni u takua me drejtorin, koordinatoren e kujdesit në banesë, mjekë dhe infermierë familjeje për të diskutuar mbi zbatimin e shërbimeve të kujdesit në banesë dhe përdorimin e protokolleve klinike për sëmundjet jo të transmetueshme, kujdesin për të moshuarit dhe shëndetin mendor.
Vizita vijoi në Drejtorinë Rajonale të Operatorit, ku u zhvilluan takime me Drejtoreshën Olta Gani dhe drejtues të tjerë të kujdesit parësor për të shqyrtuar bashkëpunimin ndërinstitucional për forcimin e shërbimeve të kujdesit në banesë dhe zbatimin e qëndrueshëm të udhëzuesve në nivel rajonal. Vizita u mbyll me vëzhgimin e një seance trajnimi për infermierët-trajnues mbi procedurat standarde infermierore.
Të dyja vizitat risollën në vëmendje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet HAP, qendrave shëndetësore dhe operatorëve rajonalë për të siguruar shërbime parësore cilësore dhe të aksesueshme për komunitetin.