Masteri Profesional “Infermieri Familjeje” në qendër të Klinika 24 Podcast

Masteri Profesional “Infermieri Familjeje” i ngritur me mbështetjen e qeverisë zvicerane përmes projektit Shëndet për të Gjithë (HAP) ishte në qendër të Klinika 24 Podcast. Të ftuara ishin ish dekania e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike (FSHMT), znj. Ilirjana Zekja, infermierja Klodiana Dalipaj e diplomuar nga ky master, dhe Specialistja e Infermieristikës pranë projektit HAP, znj. Sajmira Adëraj.

I hapur për herë të parë në vitin 2021, ky master synon të formojë personel infermieror të kualifikuar që të ofrojë cilësi të lartë të kujdesit shëndetësor përmes zhvillimit të aftësive të infermierëve për këshillimin dhe edukimin e pacientëve dhe familjarëve mbi parandalimin e sëmundjeve si edhe për rehabilitimin dhe kujdesin infermieror, si në qendrat shëndetësore ashtu edhe në banesë.

Znj. Zekja shpjegoi që masteri “Infermieri Familjeje” ishte “i vetmi master që përgatit profesionistë në përputhje me nevojat e kohës dhe të shoqërisë, të cilat u evidentuan që në vitin 2016-2017 kur u bë studimi i kërkesave dhe nevojave të popullsisë nga fakulteti në bashkëpunim me HAP, i cili nxori në pah nevojën në rritje për infermierë që ishin më afër qendrave të banimit, më afër familjarëve, më afër nevojave specifike në banesë të pacientëve, veçanërisht të atyre me sëmundje jo të transmetueshme.”

Kurrikula e masterit është hartuar me ekspertizën e institucioneve arsimore të profilit të shkencave mjekësore teknike të Bazelit (Zvicër) dhe sipas znj. Adëraj është e bazuar “në 28 kompetenca themelore të infermieristikës familjare sipas orientimeve të OBSH-së dhe klasifikimit ESCO të këtyre kompentencave”. Kurrikula ofron integrimin e teorisë dhe praktikës, me një vëmendje të shtuar tek aftësitë praktike, të cilat studentët kanë mundësi t’i zhvillojnë përmes seancave praktike në Laboratorin e Simulimit Klinik pranë FSHMT-së si edhe praktikave profesionale që realizojnë në Qendrat Shëndetësore të Kujdesit Parësor.

Znj. Zekja shtoi se ndryshe nga të gjithë masterat e tjerë profesionalë pranë këtij fakulteti, “ky është i vetmi program që e përmbyll cilkin e studimit me një temë, pra studentët orientohen dhe mësojnë të punojnë një temë të vetën të pavarur në drejtim të problematikave të shërbimit të infermierisë në familje”.

E pyetur se sa ka ndikuar masteri në “Infermieri Familjeje” në përgatitjen e saj profesionale, infermierja Dalipaj tha se rëndësia e këtij masteri qëndronte tek “profilizimi i infermierit si profesionist, përmes dijeve qoftë teorike qoftë praktike, që infemieri të mund ketë pavarësinë e vet që të bëjë vlerësimin e pacientit dhe të ketë marrëdhënie terapeutike si me pacientin ashtu edhe me familjarët.”

Investimi i qeverisë zvicerane për ngritjen e këtij masteri ka qenë thelbësor dhe znj. Adëraj si përfaqësuese e projektit HAP në këtë podcast foli gjerësisht mbi përmirësimin e infrastrukturës mësimore përmes ndërtimit të Laboratorit të Simulimit Klinik, ofrimin e ekspertizës teknike ndërkombëtare për grupin multidisiplinar të punës për draftimin e kurrikulës së masterit, rritjen e kapaciteteve të lektorëve përgjegjës përmes sigurimit të literaturës, trajnimit nga ekspertë vendas e ndërkombëtarë e vizitave studimore në institucione ndërkombëtare, ofrimin pa pagesë të materialeve mësimore për studentët, si edhe përmirësimin e infrastrukturës së qendrave shëndetësore ku zhvillohen praktikat mësimore të studentëve dhe trajnimin e supervizorëve të këtyre praktikave.

Në mbyllje Znj. Zekja shtoi se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i ka dhënë përparësi këtij masteri duke u dhënë të diplomuarve të tij pesë pikë më shumë në portalin “Infermierë për Shqipërinë”, që sipas saj “nuk janë pak në renditjen e tyre për t’u përzgjedhur në vende pune.

Masteri profesional “Infermieri Familjeje” është i hapur për të gjithë ata që zotërojnë diplomë Bachelor, diplomë të ciklit të dytë të studimeve ose diplomë të sistemit të vjetër në “Infermieri e Përgjithshme” ose “Mami”.

Në përfundim të programit njëvjeçar, studentët marrin diplomën në Master Profesional “Infermieri Familjeje” dhe kualifikimin e specializuar të Infermierit të Familjes, të vlerësuar me 60 kredite.