Hapja e regjistrimeve për masterin profesional në Infermieri Familjeje: Një mundësi e shkëlqyer për infermierët në Shqipëri

Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike (FSHMT) ka hapur aplikimet për programin pasuniversitar Master Profesional në “Infermieri Familjeje” për të tretin vit radhazi, një program kyç për përgatitjen e infermierëve të specializuar në kujdesin shëndetësor të familjes dhe komunitetit. Deri më 4 tetor, ky program unik në Shqipëri mirëpret aplikimet nga të gjithë studentët apo infermierët që duan të thellojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre në këtë degë kaq të kërkuar të infermieristikës.

Përse ofrimi i këtij masteri është një mundësi e shkëlqyer për infermierinë shqiptare?

Programi është krijuar për të përmbushur nevojën në rritje për kujdes infermieror të kualifikuar për shërbim shëndetësor në shtëpi dhe për parandalimin dhe menaxhimin më të mirë të sëmundjeve kronike si pasojë e  moshimit të popullsisë shqiptare dhe rritjes së barrës së sëmundjeve jo të transmetueshme.

lnfermieri i Familjes është një model i ri i profesionistit të shërbimit parësor për shëndetësinë shqiptare, por jo për atë evropiane, ku kërkesa për infermierë të këtij profilizimi është gjithnjë në rritje. Kjo pasi infermierët e familjes pritet të luajnë një rol kyç në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP), duke qenë linja e parë e ndërhyrjes për parandalimin e sëmundjeve kronike dhe rehabilitimin e pacientëve në banesë.

Formim i avancuar dhe praktikë klinike

Masteri “Infermieri Familjeje” është ndërtuar mbi bazën e një kurrikule bashkëkohore dhe praktike, e cila është hartuar me mbështetjen e ekspertëve ndërkombëtarë të profilit të shkencave mjekësore teknike nga Universiteti i Bazelit, Zvicër, dhe Leuvenit, Belgjikë. Kurrikula mbështetet gjithashtu në kompetencat e përshkruara nga OBSH dhe BE mbi rolin e infermierit të familjes. Studimet do të zhvillohen me kohë të plotë dhe përfshijnë 60 kredite duke kombinuar njohuri teorike dhe praktikë intensive. Laboratori simulues i praktikës klinike i pajisur me teknologji moderne do të jetë në dispozicion të studentëve për të zhvilluar aftësitë e tyre praktike, ndërkohë që praktikat profesionale do të kryhen në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor.

Pjesë kyçe e këtij formimi është edhe stafi pedagogjik i cili është plotësisht me formim infermieror (çka përbën një nga risitë e këtij programi) dhe i trajnuar nga ekspertë të universiteteve zvicerane dhe belge, të specializuar në programe infemieristike.

Ky formim i avancuar synon të pajisë infermierët me kompetenca të larta në menaxhimin e sëmundjeve kronike, këshillimin dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore për popullatën e moshuar dhe ata me nevoja të veçanta. Infermierët e familjes që përfundojnë këtë program do të jenë të përgatitur për të përballuar sfidat e shëndetit publik dhe për të kontribuuar në përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në komunitetet ku ata shërbejnë.

Mundësi karriere dhe punësimi

Me përfundimin e Masterit “Infermieri Familje”, studentët fitojnë 60 kredite dhe marrin diplomën “Infermieri Familjeje”, e njohur zyrtarisht nga Universiteti i Mjekësisë, Tiranë. Të diplomuarit e këtij masteri gjithashtu përfitojnë 5 pikë shtesë në platformën Infermierë për Shqipërinë, çka u shton ndjeshëm mundësitë e punësimit. Këto përparësi u mundësojnë atyre të punësohen jo vetëm në qendrat shëndetësore të kujdesit parësor, një sektor ku kërkesa për infermierë familjarë është në rritje të vazhdueshme, por edhe më gjerë.

Programi është krijuar për të ofruar një qasje gjithëpërfshirëse në kujdesin infermieror, duke u përqendruar në përgatitjen e profesionistëve që mund të punojnë jo vetëm në mjedise të ndryshme, në shtëpi dhe në qendër shëndetësore, por edhe në nivele të ndryshme të kujdesit, që nga këshillimi dhe edukimi e deri tek realizimi i procedurave standarde e të avancuara infermierore për parandalimin, trajtimin dhe menaxhimin më të mirë të sëmundjeve jo të transmetueshme. Ky formim jo vetëm që rrit shanset për punësim, por edhe i përgatit infermierët për një karrierë me potencial të lartë zhvillimi në sektorin e shëndetësisë.

Mbështetje nga Projekti “Shëndet për të Gjithë”

Ky program masteri profesional është ngritur me mbështetjen ekskluzive të Projektit “Shëndet për të Gjithë” (HAP), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. HAP ka ndërtuar laboratorin simulues të praktikës klinike dhe ofron materialet e nevojshme mësimore falas për studentët. Gjithashtu, HAP ka angazhuar ekspertë ndërkombëtarë nga universitetet zvicerane dhe belge për draftimin e kurrikulës dhe trajnimin e stafit pedagogjik, supervizorëve dhe ekipeve infermierore ku studentët do të realizojnë praktikën profesionale. Jo vetëm kaq, por HAP ka investuar dhe në përmirësimin e infrastrukturës së qendrave shëndetësore ku do të realizohet praktika, duke përmirësuar ndjeshëm trajnimin cilësor të infermierëve të ardhshëm.

Procesi i aplikimit dhe tarifat

Aplikimet për programin Master “Infermieri Familjeje” bëhen pranë sekretarisë mësimore të Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike deri më 4 tetor, 2024 në orarin 9:00 – 16:00. Tarifa totale e shkollimit është 76,000 lekë, e cila përfshin tarifën e aplikimit dhe regjistrimit. Kandidatët që kanë përvojë në Kujdesin Shëndetësor Parësor do të kenë përparësi në përzgjedhje. Dokumentet e nevojshme për aplikim mund t’i gjeni këtu.

Kriteret përzgjedhëse

Ky program masteri ofrohet për studentë apo të punësuar në kujdesin shëndetësor parësor që zotërojnë diplomë “Bachelor” ose diplomë të ciklit të dytë të studimeve apo diplomë të sistemit të vjetër në “Infermieri e përgjithshme” dhe “Mami”.

Përparësi do t’i jepet përvojës së punës, konferencave ose trajnimeve që studenti mund të ketë ndjekur dhe mesatares së notave të studimeve të kryera. Listën e plotës të kritereve mund ta lexoni këtu.

* * *

Masteri “Infermieri Familje” përfaqëson një mundësi të domosdoshme për zhvillimin e profesionit të infermierisë në Shqipëri dhe për përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve dhe familjeve të tyre, duke kontribuuar ndjeshëm në përmirësimin e kujdesit shëndetësor në Shqipëri.