
Në kuadër të forcimit të shërbimeve shëndetësore në banesë, projekti HAP ka pajisur 60 Qendra Shëndetësore në 14 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor me mjetet e nevojshme për ofrimin e një kujdesi më cilësor dhe më dinjitoz në shtëpi për pacientët përfitues të këtij shërbimi.
Ky investim është një hap i rëndësishëm në zgjerimin e këtij shërbimi të ri dhe paraprin programin e trajnimeve për mjekët dhe infermierët e familjes, të cilët do të aftësohen për të ofruar Kujdes Shëndetësor në Banesë për pacientët kronikë që nuk kanë mundësi të paraqiten fizikisht në qendra shëndetësore.
Qendrat përfituese janë përzgjedhur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe shtrihen në Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan, Berat, Shkodër, Lezhë, Mirditë, Kurbin, Malësi e Madhe, Fier, Lushnjë, Mallakastër dhe Vlorë.
Seti i pajisjeve të shpërndara përmban 25 mjete të domosdoshme, duke përfshirë: karrocë me rrota, karrige tualeti/dushi, paterica, mbështetëse për ecje, dyshek dhe jastëk me ajër, manshetë limfedeme, aparat nebulizator, set mikrokirurgjie, teste të shpejta urine, sonda nazogastrike, kateter urinar, qese për klizmë, set për lavazh veshi e shumë të tjera. Secila Qendër Shëndetësore u pajis edhe me një aparat elektrokardiograme dhe një oksigjenator.
Ky investim jo vetëm që rrit cilësinë e shërbimit shëndetësor në vend, por gjithashtu përmirëson jetën e pacientëve që kanë nevojë për kujdes të vazhdueshëm në shtëpi. Me këto pajisje, mjekët dhe infermierët do të jenë më të përgatitur për të ofruar shërbim profesional, të sigurt dhe të përshtatur me nevojat e çdo pacienti.