Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) organizoi më 25 shkurt 2026 një Mini-Konferencë Ndërkombëtare me ekspertë dhe përfaqësues projektesh nga vende të ndryshme të Evropës për të diskutuar përparimet dhe sfidat e integrimit të shërbimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP).
Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) u përfaqësua në këtë forum nga Menaxheri i Projektit, Dr. Besim Nuri, i cili prezantoi përvojën e Shqipërisë në forcimin e integrimit të shërbimeve të shëndetit mendor në KSHP, si dhe rolin mbështetës të HAP në këtë proces reformues.
Konteksti në Shqipëri
Shqipëria, me një popullsi prej rreth 2.4 milion banorësh, ofron shërbime të shëndetit mendor në:
- 2 spitale psikiatrike
- 2 shërbime të shtrimit psikiatrik
- 13 shtëpi mbështetëse
- 9 qendra komunitare të shëndetit mendor
- 1 Qendër Kombëtare Terapeutike dhe Rehabilituese për Fëmijë
Kujdesi Shëndetësor Parësor aktualisht përbëhet nga:
- 362 qendra të KSHP me 1167 mjekë familjeje dhe 6636 infermierë familjeje, nga të cilat
- 102 janë Qendra Socio-Shëndetësore me staf psiko-social
Ndërkaq, kuadri rregullator shqiptar e mbështet integrimin e shëndetit mendor në KSHP. Dokumentet kyçe për këtë qëllim përfshijnë:
- Paketën e Shërbimeve në KSHP (VKM nr. 101, 04.02.2015)
- Strategjinë për Zhvillimin e Shërbimeve të KSHP-së në Shqipëri 2020–2025 (VKM nr. 405, 20.05.2020)
- Planin e Veprimit për zhvillimin e shërbimeve të shëndetit mendor në Shqipëri 2013-2022 (2013)
- Rregulloren për Shërbimet e Shëndetit Mendor (2013)
Megjithatë, forcimi i strukturave, qartësimi i roleve dhe trajnimi i vazhdueshëm mbeten thelbësore për zbatimin efektiv të integrimit.
Kontributi i HAP në integrimin e shëndetit mendor në KSHP
Shëndeti mendor është një ndër prioritetet e Projektit HAP, me rreth 20,000 persona me çrregullime të shëndetit mendor të përfshirë ndër përfituesit kryesorë të projektit.
Ndërhyrje kryesore:
2021
HAP mbështeti hartimin e raportit “Zhvillimi i KSHP-së në Shqipëri dhe Shëndeti Mendor”, nga eksperti ndërkombëtar Rembrant Aarts.
2022
U mbështet hartimi dhe miratimi i dokumentit kyç: “Udhëzues mbi menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në KSHP”, miratuar më 15 korrik 2022 për përdorim nga mjekët dhe infermierët e familjes, si edhe nga stafi psikosocial i qendrave shëndetësore.
2022–2025
389 profesionistë të KSHP-së nga 20 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) u trajnuan si trajnerë për menaxhimin e çrregullimeve mendore në KSHP, përfshirë:
- 163 mjekë familjeje
- 130 infermierë
- 55 psikologë/punonjës socialë
- 41 personel i NJVKSH-ve
2026
U mbështet hartimi dhe miratimi i “Manualit të Psikologut në Kujdesin Shëndetësor Parësor”, miratuar më 2 shkurt 2026, dhe trajnimet që do të pasojnë për zbatimin e tij.
Mesazhi i Dr. Nurit në konferencë
Në fjalën e tij, Dr. Besim Nuri theksoi se integrimi i shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor në Shqipëri është një proces i qëndrueshëm institucional, i ndërtuar në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë brenda kuadrit të Planit të Veprimit për Shëndetin Mendor 2023–2026. Ai nënvizoi se krahas përgatitjes së udhëzuesve profesionalë për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në KSHP, përdorimi i një modeli trajnimi kaskadë ndihmon që ndërhyrjet e projektit të shtrihen në shkallë kombëtare.
Dr. Nuri theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit ndërprofesional në nivel parësor, duke evidentuar se përfshirja e psikologëve në qendrat shëndetësore ka rritur ndjeshëm vetëbesimin dhe aftësinë e mjekëve dhe infermierëve të familjes për trajtimin e rasteve të çrregullimeve të shëndetit mendor. Në këtë drejtim, ai përmendi mbështetjen e HAP për hartimin e Manualit të Psikologut në KSHP si instrument jo vetëm klinik, por edhe organizativ për integrimin efektiv të punës së psikologut në ekip. Njëkohësisht, puna me punonjësit socialë dhe zhvillimi i instrumenteve dhe manualit përkatës synon kombinimin e plotë të të gjitha burimeve profesionale në kujdesin parësor.
Në përfundim, Dr. Nuri nënvizoi se megjithëse ekziston vullneti politik dhe janë hedhur bazat normative dhe profesionale drejt integrimit të shëndetit mendor në KSHP, nevojitet ende forcim i mëtejshëm i burimeve dhe një fazë e strukturuar monitorimi dhe vlerësimi për të matur ndikimin real të integrimit të këtij shërbimi relativisht të ri në KSHP.