Dr. Shkëndije Kuçi: HAP, mbështetje e vazhdueshme për mjekësinë familjare

Qendra Shëndetësore Vorë është një nga qendrat e rinovuara plotësisht me mbështetjen e projektit HAP. Në këtë qendër ku po zbatohen disa ndërhyrje të rëndësishme të projektit si përdorimi i protokolleve të përditësuara për trajtimin e 5 SJT-ve, ofrimi i kujdesit shëndetësor në banesë, zbatimi i profileve të reja të infermierit të familjes në qendër shëndetësore dhe ambulancë si edhe angazhimi i personelit në Grupet e Kolegëve si mjet i edukimit në vazhdim në vendin e punës.

Biseduam me Dr. Shkëndije Kuçi, drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore Vorë, mbi impaktin e ndërhyrjeve të projektit në cilësinë e shërbimit që ekipi i mjekësisë familjare të kësaj qendre ofron për rreth 20,000 banorë të zonës.

A mund të na tregoni për përmirësimet e bëra në infrastrukturën e Qendrës Shëndetësore Vorë dhe si kanë ndikuar ato në ofrimin e shërbimeve shëndetësore për banorët e zonës?

Qendra shëndetësore Vorë ka përfunduar rikonstruksionin në shtator të vitit 2019 dhe është transformuar rrënjësisht duke mundësuar ofrimin e shërbimeve bashkëkohore prë qytetarët e Vorës. Me godinën e re janë eliminuar problematikat e lagështirës dhe të të ftohtit falë sistemit kapot, i cili mundëson ambiente të ngrohta gjatë dimrit dhe të freskëta gjatë verës. Godina tashmë ka dritare të mëdha dopjo xham për çdo dhomë dhe korridor duke ofruar jo vetëm një ndriçim të mirë natyral  dhe minimizim të zhurmave, po edhe ajrosje të mjaftueshme. Restaurimi i rrjetit elektrik ka lehtësuar mirëfunksionimin e aparaturave mjekësore si aparaturat e laboratorit, të grafisë apo të gjitha pajisjeve të tjera elektronike. Gjithashtu, prania e gjeneratorit na vjen në ndihmë në rastet e defekteve apo ndërprerjes së energjisë elektrike. Në godinë nuk mungon prania e ujit të ftohtë apo të ngrohtë 24 orë pa ndërprerje. Sistemi i ri hidraulik ka përmirësuar ndjeshëm kushtet për kryerjen e veprimeve gjatë punës së përditshme. Gjithashtu ambientet e pritjes së pacientëve ofrojnë hapësira të bollshme, të qeta dhe shumë komode. Kushtet e mira na bëjnë të ndihemi më të motivuar dhe më dinjitozë në punën tonë të përditshme dhe pacientët janë shumë të kënaqur me kushtet dhe shërbimet e ofruara.

HAP ka pajisur stafin tuaj mjekësor me çanta mjekësore. A mund të na tregoni se si e kanë ndihmuar ato stafin tuaj në ofrimin e një kujdesi shëndetësor më cilësor?

HAP ka qenë dhe vazhdon të jetë një suport i vazhdueshëm për qendrën tonë. Pajisja e të gjithë stafit me çanta mjekësore ka lehtësuar punën për realizimin e ekzaminimeve objektive dhe procedurave mjekësore, si edhe ka ndihmuar infermierët në veçanti  për të qenë më pranë pacientëve. Trajnimet e zhvilluara për përdorimin e mjeteve kanë qenë tejet të dobishme edhe për mjekët pasi kanë ndihmuar në rifreskimin e njohurive dhe në realizimin më të mira të vizitave të pacientëve.

HAP është fokusuar gjithashtu në trajnimin e stafit tuaj për përdorimin e protokolleve për pesë sëmundjet jo të transmetueshme. Si ka ndikuar ky trajnim në aftësinë e mjekëve për të diagnostikuar dhe menaxhuar këto sëmundje për banorët e zonës?

Trajnimet e ekipit të mjekësisë familjare dhe pajisja me protokollet dhe instrumentet përkatëse për 5 SJT-të u kanë dhënë mjekëve orientimin e duhur për mirëmenaxhimin e këtyre sëmundjeve dhe u kanë lehtësuar depistimin nëpërmjet pyetësorëve përkatës që janë shumë praktikë. Mjekët tashmë kanë një plan ndjekjeje standarde çka i ndihmon në parandalimin e komplikacioneve, pasi pacienti monitorohet periodikisht. Gjithashtu, pyetësorët kanë zhvilluar edhe aftësitë e infermierëve për të vlerësuar pacientin në përdorimin e instrumenteve që rekomandohen nga protokollet e mjekimit.

Kujdesi shëndetësor në banesë është një shërbim i ri që ju keni prezantuar. A mund të shpjegoni se si funksionon kjo nismë dhe përfitimet që i ka sjellë komunitetit dhe stafit mjekësor?

Ky shërbim ofrohet për të gjithë të sëmurët kronikë në stadet e avancuara dhe të sëmurët me kancer në stade terminale të cilët e kanë të pamundur të vijnë në qendër. Ky shërbim ofrohet kryesisht nga infermierët e mjekut të familjes me një standard tjetër, të planifikuar. Infermieri realizon vizitën e përgjithshme, e dokumenton në një kartelë personale, dhe e ndjek në mënyrë periodike sipas një plani të përcaktuar me datë dhe orë sipas nevojës së pacientit. Ka një databazë me të gjithë personat që përfitojnë këtë shërbim, të cilët janë përcaktuar sipas një pikëzimi të dakordësuar nga mjekët dhe infermierët. Në kartelën e infermierit përfshihet formulari i vlerësimit ku infermieri gjatë vizitë së pacientit jep informacion për vizitat e kryera në banesë dhe, në rast nevoje, e referon tek mjeku i familjes për shërbime shëndetësore sekondare apo terciale apo në bashkinë Vorë për shërbime sociale. Gjithashtu, projekti HAP na ka mbështetur edhe me pajisje mjekësore si aparat EKG-je, karroca, barrela etj në shërbim të pacientëve. Në komunitet kjo sigurisht sjell rritje të cilësisë së shërbimit të përfituar ndërkohë që edhe stafi rritet profesionalisht.

Çfarë sfidash apo vështirësish keni hasur në zbatimin e këtyre ndërhyrjeve dhe si i keni trajtuar ato?

Ndër vështirësitë që kemi hasur lidhur me zbatimin e kujdesiti shëndetësor në banesë është numri i personelit pasi shërbimi që ofrojmë është i integruar dhe jo i dedikuar, pra stafi e ofron këtë shërbim krahas shërbimeve të tjera që realizon në qendrën shëndetësore. Për këtë arsye, koha që ka stafi në dispozicion nuk është e mjaftueshme. Megjithatë, jemi përpjekur që vizitat t’i realizojmë përmes një plani të detajuar. Një tjetër vështirësi janë edhe pacientët që banojnë 3-4 km larg qendrave shëndetësore, për të cilët duhet edhe mjeti i transportit. Sigurisht, deri tani janë realizuar nga personeli mjekësor duke përdorur mjetet e veta.

Cilat janë planet tuaja të ardhshme për të mbështetur dhe përmirësuar më tej shërbimet e kujdesit shëndetësor bazuar në nismat e HAP?

Aktualisht po punojmë për sistemin e planifikimit të vizitave të mjekut të familjes. Kjo pasi duke planifikuar të gjitha vizitat do të mund ta menaxhojmë më mirë kohën në dispozicion.