
Dr. Edona Tafa është mjeke familjeje në ambulancën Shtoj i Ri, Shkodër, e cila mbulon rreth 5000 banorë, dhe njëkohësisht drejtoreshë e Qendrës Shëndetësore Rrethina, pjesë e së cilës është edhe kjo ambulancë. Ajo është diplomuar si mjeke e përgjithshme në Universitetin e Tiranës dhe gjatë karrierës së saj ka punuar në fushën e administrimit shëndetësor, në shërbimin e urgjencës dhe në shërbimin shëndetësor parësor.
A mund të na përshkruani shkurtimisht rolin tuaj në identifikimin dhe ofrimin e kujdesit shëndetësor për pacientë me SJT?
Quhem Edona Tafa dhe para 5 vjetësh jam diplomuar në Universitetin e Mjekësisë si mjeke e përgjithshme. Gjatë karrierës sime 5 vjeçare në fushën e mjekësisë, kam punuar në fushën e administrimit shëndetësor, në shërbimin e urgjencës dhe në shërbimin shëndetësor parësor. Aktualisht, jam mjeke familjeje në ambulancën “Shtoj i Ri”, e cila mbulon 5000 banorë, dhe ndodhet rreth 4 kilometër larg qytetit të Shkodrës. Njëkohësisht, jam Drejtore e Qendrës Shëndetësore “Rrethina” ku bën pjesë ambulanca ku punoj.
Gjatë punës së përditshme, së bashku me stafin, unë kujdesem dhe ndjek të gjithë pacientët e diagnostikuar me patologji kronike ku përfshihen dhe 5SJT-të. Përpos trajtimit periodik me terapi, sipas diagnozës dhe ekzaminimeve, ne kujdesemi dhe për këshillimin e përmirësimit të stilit të jetesës së pacientëve. Lidhur me identifikimin e tyre, këto tre vitet e fundit kemi punuar shumë për depistimet e grupmoshave të riskuara, sidomos ato të mesme, për patologjitë si HTA, DM tip 2, dislipidemi, astmë bronkiale dhe SPOK. Kontrolli mjekësor bazë, kontaktet e shpeshta me pacientët, por dhe ekzaminimet e tjera janë disa nga mekanizmat që ne përdorim për identifikimin në kohë dhe në stade fillestare të patologjive, me qëllim prognozën më të mirë në plan afatgjatë.
Cilat mendoni se janë vështirësitë më të mëdha në ofrimin e shërbimit shëndetësor në komunitetin tuaj?
Mendoj që dy janë sfidat më të mëdha me të cilat përballemi aktualisht, të kushtëzuara nga ndryshimet demografike dhe nga incidenca e patologjive. E para, shtimi i çrregullimeve të shëndetit mendor dhe shtrirja e tyre në të gjithë grupmoshat. Qendra Shëndetësore “Rrethina” nuk ka akoma në strukturë një psikolog apo punonjës social dhe kjo e vështirëson diagnostikimin dhe trajtimin siç duhet të pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor. E dyta, rritja e incidencës së SJT-ve në grupmoshën 35-50 vjeç ose ndryshe popullata më aktive, por në të njëjtën kohë dhe më neglizhente ndaj shëndetit të tyre.
Si do ta përshkruanit marrëdhënien ndërmjet stafit mjekësor dhe komunitetit? A kanë besim qytetarët tek stafi mjekësor? A vijnë tek ju për këshilla dhe udhëzime?
Aktualisht, në ambulancën “Shtoj i Ri”, ku unë jap shërbimin si mjeke familjeje, bashkëpunoj me një staf prej katër infermieresh, të cilat janë të pozicionuara një me mjekun e familjes, një në konsultorin e fëmijës, një në konsultorin e gruas, dhe një në komunitet.
Megjithatë, përtej shërbimeve bazë – jo vetëm ato që lidhen me kujdesin shëndetësor në banesë por edhe të gjitha shërbimet që ofron ambulanca – stafi mjekësor i përmbush të gjitha detyrat dhe është në kontakt të vazhdueshëm me komunitetin.
Është pikërisht falë përkushtimit të stafit ndaj ofrimit të një shërbimi cilësor që tashmë komuniteti paraqitet vetë pranë ambulancës për shumicën e shërbimeve, si hallka e parë e shërbimit mjekësor.
Puna e bërë ndër vite, jo vetëm nga ana ime, por edhe nga i gjithë stafi i ambulancës, ka bërë që si kontrolli mjekësor bazë, imunizimi i fëmijëve dhe i gripit sezonal dhe depistimet e ndryshme ashtu edhe konsultat për rastet akute e kronike dhe terapitë mjekësore të kryhen pranë ambulancës “Shtoj i Ri’.
Kjo patjetër na gëzon dhe motivon sepse tashmë kemi konsulta dhe aplikime të planifikuara në çdo ditë të javës në të cilat ndjekim si grupmoshën adulte ashtu edhe atë pediatrike.
Cilët janë faktorët që ndikojnë në cilësinë e shërbimit shëndetësor që ofrohet për komunitetin sidomos për sa u përket SJT-ve?
Faktori kryesor mendoj se është ardhja e pacientëve për të kërkuar shërbim në ambulancë dhe kontakti më i shpeshtë me stafin mjekësor, qoftë në ambulancë dhe qoftë në komunitet.
Për ne është shumë i rëndësishëm kontakti me pacientin, sepse na lejon jo vetëm të realizojmë ekzaminime objektive, por dhe të sigurojmë një anamnezë të plotë lidhur me ecurinë e sëmundjes. Në këtë drejtim, theksoj sërish se i gjithë stafi ka punuar dhe punon shumë për të ndërtuar një marrëdhënie besimi të ndërsjellë me të gjithë komunitetin.
Sa i përket rritjes së konsultave në ambulancë lidhur me disa patologji, rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe pajisjet specifike që një pjesë e pacientëve nuk i kanë, si glukometri apo pikflometri.
Sa i vlefshëm mendoni se ka qenë trajnimi mbi zbatimin e protokolleve të SJT-ve? Si ka ndikuar ky trajnim në praktikën klinike dhe kujdesin ndaj pacientëve me SJT?
Ngritja dhe funksionimi i Grupeve të Kolegëve për protokollet e parandalimit dhe mjekimit të 5SJT-ve si dhe pajisja e mjekëve dhe infermierëve të familjes me mjetet e nevojshme për ekzaminimin nga koka te këmbët kanë qenë ndërhyrjet e para me mbështetjen e HAP në qendrën tonë shëndetësore. Si të tilla, ato u mirëpritën nga i gjithë stafi dhe tani, dy vite më vonë, ndihet qartë efekti i tyre, sidomos në rolin e infermierit të familjes dhe në cilësinë e shërbimit që u ofrojmë pacientëve.
A ndiheni se keni më shumë njohuri dhe aftësi për të menaxhuar SJT-të në komunitet?
Patjetër që po! Jo vetëm që kemi më shumë njohuri në aspektin teorik si staf mjekësor dhe infermieror, por edhe praktika jonë mjekësore është standardizuar falë zbatimit të protokolleve, si në aspektin e diagnostikimit dhe/ose stadifikimit, ashtu dhe të trajtimit që ofrojmë sipas rastit.
Me shumë rëndësi në praktikën tonë të përditshme është edhe informacioni në lidhje me edukimin shëndetësor të pacientit për menaxhimin e 5SJT-ve, i dhënë në manualin përkatës.
Çfarë vështirësish mendoni që do të ketë zbatimi i këtyre protokolleve në punën e përditshme?
Unë besoj që, siç ndodh në prezantimin e çdo risie apo qasjeje ndryshe, ka elementë “mikpritës” por dhe “kundërshtues”. Në përvojën time, përtej dëshirës dhe përqafimit të protokolleve të reja nga stafet mjekësore, ka edhe disa vështirësi: së pari, shkalla e tolerancës dhe marrja në konsideratë e këtyre protokolleve klinike nga ana e supervizuesve të Drejtorive të Fondit; së dyti, shpeshherë infrastruktura apo ambientet e disponueshme për vizitën mjekësore janë tejet të rëndësishme për zbatimin me sukses të këtyre protokolleve. Për shembull, ekzaminimi i një pacienti diabetik patjetër që kërkon ambient që siguron privatësinë e duhur. Po ashtu, këshillimi dhe edukimi shëndetësor i një pacienti nuk mund të realizohet në ambiente ku ofrohen në të njëjtën kohë edhe shërbime të tjera mjekësore.
Pra, është shumë e rëndësishme që personeli i të gjitha njësive funksionale të shërbimit parësor të ketë jo vetëm njohuritë dhe pajisjet e duhura mjekësore (të cilat janë ofruar nga HAP dhe për të cilat jemi shumë mirënjohës), por dhe ambientet dhe infrastrukturën e duhur për të ofruar shërbime cilësore.
Ç’lloj mbështetjeje mendoni se do të ishte e nevojshme për të siguruar integrimin e suksesshëm të protokolleve në kujdesin parësor?
Integrimi i protokolleve në praktikën klinike është një përpjekje e përbashkët: nëse detyra jonë si qendër shëndetësore është t’i kthejmë këto protokolle në praktikë të qëndrueshme të punës së mjekëve dhe infermierëve të familjes, është detyrë e instancave më lart që të krijojnë lehtësira për zbatimin e tyre. Mbështetja e parë pritet nga Fondi, që të rrisë kompetencat e mjekut të familjes në diagnozë dhe fillim mjekimi. Shumë i rëndësishëm është gjithashtu bashkëpunimi/koordinimi me mjekët specialistë të këtyre patologjive, me qëllim njohjen dhe zbatimin e protokolleve për 5SJT-të edhe nga ana e tyre, duke siguruar ecjen në të njëjtën linjë me mjekët e familjes. Do të ishte gjithashtu e nevojshme të pakësoheshin procedurat administrative apo statistikat që përgatisim për raportime në NjVKSh/DROShKSh me qëllim që stafit t’i krijohet hapësira e nevojshme kohore për t’iu dedikuar siç duhet pacientëve kronikë, ashtu si e kërkojnë këto protokolle.
Si mendoni t’i angazhoni dhe edukoni pacientët rreth menaxhimit të SJT-ve përkatëse në kuadrin e këtyre protokolleve?
Përpos edukimit shëndetësor, i cili kryhet rutinë me pacientët sidomos gjatë dhënies së recetave me rimbursim, ne kemi marrë prej kohësh një nismë lidhur me edukimin dhe promocionin shëndetësor. Përafërsisht një herë në muaj, në një nga ambulancat tona, ekipi – kryesisht infermieri i edukimit dhe promocionit shëndetësor – realizon takime me target grupe të ndryshme, ku patjetër një vëmendje e veçantë u kushtohet 5SJT-ve. Gjatë këtyre takimeve, ndahen jo vetëm informacione dhe këshilla mjekësore nga stafi, por edhe eksperienca nga vetë pacientët, me qëllim që të promovohen shembuj pozitivë të përshtatjes/ndryshimit të stilit të jetesës dhe, për pasojë, të kontrollit më të mirë të sëmundjes kronike nga ana e pacientëve.
A keni vënë re ndryshime në gjendjen shëndetësore dhe cilësinë e jetës së pacientëve pas fillimit të zbatimit të këtyre protokolleve?
Po, është vënë re një përmirësim i dukshëm sidomos te pacientët me Diabet Mellitus tip 2, HTA dhe Dislipidemi. Ne besojmë se për shkak të punës që bëhet nga i gjithë stafi bazuar në protokollet e 5SJT-ve, kemi rezultate më të mira në shëndetin e pacientëve. Sfida më e madhe mbetet tek pacientët me SPOK dhe Astmë bronkiale, pasi ata janë më rezistentë ndaj lënies së duhanit ose shmangies së faktorëve rëndues.
A mendoni se ka vend për përmirësim në këto trajnime? Në cilat aspekte?
Për ne mbështetja e HAP dhe e të gjitha ndërhyrjeve të tij ka qenë një mekanizëm transformues për shërbimin parësor. Konkretisht, protokollet mjekësore janë të përmbledhura qartë dhe të lehta për t’u zbatuar në praktikë si nga mjekët edhe nga infermierët, prandaj janë shumë të dobishëm në punën tonë të përditshme. Pa dyshim, në planin afatgjatë shpresojmë që përditësimi i tyre të vijojë rregullisht. Por në tërësi, trajnimet kanë qenë një vlerë e shtuar dhe një mbështetje shumë e madhe ndaj nesh. Shumë faleminderit!