Vizitë në terren: Zbatimi i kujdesit shëndetësor në banesë dhe i protokolleve të mjekimit për SJT-të

Një ekip i përbërë nga drejtuesit dhe stafi teknik i Projektit HAP vizituan Operatorin Rajonal dhe Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Shkodër për të diskutuar mbi zbatimin e kujdesit shëndetësor në banesë dhe të protokolleve të mjekimit për 5 SJT-të.

Agjenda e ditës filloi me një takim me Operatorin dhe NjVKSh-në Shkodër ku përfaqësuesit e HAP – Drejtori i Projektit Prof. Kaspar Wyss, Menaxheri i Projektit Z. Besim Nuri, dhe Specialistja e Infermieristikës Znj. Sajmira Adëraj – biseduan me drejtues të rëndësishëm të kujdesit parësor – Drejtore  e Shërbimit Parësor ne Drejtorinë Rajonale të OSHKSH Shkodër Znj. Lindita Haxhija dhe Shefen e Kujdesit Parësor në NjVKSh Shkodër Znj. Megi Bilali – lidhur me mbështetjen e vazhdueshme për zbatimin e kujdesit në banesë dhe në përmirësimin e diagnostikimit dhe kontrollit të SJT-ve, kujdesin ndaj të moshuarve si edhe në menaxhimin më të mirë të çrregullimeve të shëndetit mendor.

Ky takim u pasua nga një vizitë në një qendër shëndetësore rurale, në Rrethinë. Ekipi i HAP bisedoi me drejtoreshën e qendrës, znj. Edona Tafa, koordinatoren e kujdesit në banesë dhe personelin shëndetësor lidhur me mbarëvajtjen dhe shtrirjen e kujdesit në banesë në rajon si edhe në ecurinë e zbatimit të protokolleve të mjekimit me qëllim që të sëmurët kronikë të marrin kujdes të vazhdueshëm dhe të plotë në shtëpitë e tyre. Ekipi vuri theksin gjithashtu tek rëndësia e kujdesit të specializuar ndaj të moshuarve dhe ndaj personave me çrregullime të shëndetit mendor, për të cilët shërbimi shëndetësor parësor është vija e parë e ndihmës.

Vizita të tilla në terren janë thelbësore për të vëzhguar në kohë reale ecurinë e ndërhyrjeve të Projektit dhe për të kuptuar më mirë dhe nga afër vështirësitë e zbatimit të njohurive dhe shërbimeve që janë në fokus të trajnimeve të HAP.

Përmirësimi i cilësisë së shërbimeve shëndetësore në kujdesin parësor – një ndër objektivat kryesore të HAP – është thelbësor për uljen e ngarkesës së spitaleve dhe ofrimin e shërbimeve cilësore më pranë qytetarëve dhe banesave të tyre.