
Sot, në ambientet e Hotel Iliria në Tiranë, u zhvillua një takim konsultues për Manualin e Psikologut në Qendrat Socio-Shëndetësore me pjesëmarrës përfaqësues të qendrave të ndryshme shëndetësore në vend.
Ky manual synon të shërbejë si një mjet praktik dhe didaktik për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve psikologjike në kujdesin parësor, duke përfshirë qasje të strukturuara për adresimin e çështjeve si depresioni, ankthi, varësitë, sëmundjet kronike dhe sfidat e përditshmërisë që lidhen me shëndetin mendor.
Takimi u hap me një prezantim nga Prof. Asoc. Artemis Shehu, e cila paraqiti strukturën paraprake të manualit. Gjatë diskutimeve në grup, u trajtuan temat kryesore që përbëjnë përmbajtjen themelore të dokumentit, duke përfshirë:
- Identifikimin e situatave më të shpeshta psikologjike në QSHP
- Algoritme, pyetësorë dhe instrumente të vlerësimit për përdorim praktik
- Format e këshillimit dhe ndërhyrjeve psikologjike më të përshtatshme
- Puna në ekip, komunikimi ndërprofesional dhe ndjekja e rasteve
- Format e përdorimit të manualit për trajnimin e vazhdueshëm profesional
Në takim morën pjesë psikologë nga Tirana, Fieri, Shkodra dhe Elbasani si dhe përfaqësues të mjekëve dhe infermierëve të familjes, duke kontribuar me përvoja konkrete nga terreni.
Ky proces është një hap thelbësor për rritjen e kapaciteteve profesionale dhe për përmirësimin e shërbimeve psikologjike pranë qytetarëve, në kuadër të reformimit të kujdesit shëndetësor parësor në Shqipëri.