
Kristi Kola është mjek i specializuar në psikiatri dhe punon në Spitalin Psikiatrik ‘Sadik Dinçi’ në Elbasan. Përveç përvojës klinike, ai është lektor i lëndëve Psikopatologji, Psikofarmakologji dhe Psikiatri. Së fundi, ka qenë bashkëtrajner në trajnimet për trajnerë “Përdorimi i udhëzuesit për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në Kujdesin Shëndetësor Parësor”. Biseduam mbi rëndësinë e ofrimit të shërbimeve të shëndetit mendor në kujdesin parësor dhe vështirësitë për t’u kapërcyer për integrimin e këtij shërbimi krahas shërbimit shëndetësor tradicional.
A mund të na tregoni për përvojën tuaj në fushën e shëndetit mendor?
Përvoja ime në fushën e shëndetit mendor ka nisur me specializimin afatgjatë në psikiatri pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’ në Tiranë. Duke qenë një shërbim i specializuar me shtretër, pjesë e një spitali terciar, rastet kanë qenë të vështira dhe të shumta, por në të njëjtën kohë, kam pasur mundësinë të punoj pranë një ekipi specialistësh të përzgjedhur, nga të cilët kam mësuar shumë.
Më pas, kam punuar në shërbimin konsulent ambulator, në qendrat e rehabilitimit psikiatrik dhe në shërbimin e veçantë për personat me masë mjekësore të cilët ndodhen në Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Këto përvoja kanë qenë të dobishme për të kuptuar gjerësisht strukturat e ofrimit të shërbimeve për shëndetin mendor në vendin tonë, sistemin e referimit dhe mundësitë që ka një pacient për të marrë ndihmën e përshtatshme në gjendjen ku ndodhet.
Gjithashtu jam angazhuar në sferën akademike në disa institute të arsimit të lartë brenda dhe jashtë vendit si lektor për lëndët e Psikiatrisë, Psikopatologjisë dhe Psikofarmakologjisë.
Cilat janë objektivat kryesore të trajnimit që po zhvilloni me ekipin e mjekësisë familjare?
Statistikat nga studimet e OBSH-së na mësojnë se një pjesë e madhe (69%) e pacientëve të cilët vuajnë nga çrregullime të shëndetit mendor paraqiten fillimisht tek mjeku i familjes me ankesa fizike. Kjo na ka nxitur që të theksojmë si objektiv kryesor gjatë trajnimit rëndësinë e vlerësimit klinik dhe të identifikimit të simptomave të çrregullimeve të shëndetit mendor, në mënyrë që të arrihet një diagnostikim në kohë dhe një trajtim multidisiplinar sipas nevojës që paraqet secili rast.
Një objektiv po aq i rëndësishëm ka qenë pajisja dhe udhëzimi për përdorimin e mjeteve klinike vendimmarrëse, të cilët ndihmojnë në vlerësimin dhe ndjekjen e rasteve në vijimësi.
A mund të na jepni një përmbledhje të temave ose moduleve kryesore që mbulohen në këtë program trajnimi?
Duke pasur një pjesëmarrje multidisiplinare me mjekë, infermierë, punonjës socialë dhe psikologë, programi i trajnimit ka synuar të mbulojë koncepte që nga parimet e përgjithshme të kujdesit dhe komunikimit e deri tek identifikimi, diagnostikimi dhe trajtimi/referimi i diagnozave specifike. Jemi kujdesur që në program të trajtohen rolet e veçanta që ka secili profesionist në qendrat socio-shëndetësore dhe bashkërendimin e këtyre roleve për një shërbim sa më të plotë për pacientët.
Sa e rëndësishme është që ekipi i mjekësisë familjare të trajnohet për shëndetin mendor dhe pse?
Statistikat e përmendura më lart na ndihmojnë të kuptojmë rëndësinë që ka ekipi i mjekësisë familjare si ofrues i parë i kujdesit shëndetësor. Përveç kësaj, roli i ekipit të mjekësisë familjare në promocionin e shëndetit, në depistimin e rasteve që në fazat e para dhe në psikoedukim është strategjik për një shëndet të mirë mendor të popullatës. Ndaj e vlerësojmë si jetik trajnimin dhe fuqizimin e këtij ekipi.
Çfarë vështirësish parashikoni në zbatimin e njohurive të trajnimit në praktikën e përditshme klinike nga ekipi i mjekësisë familjare (MF, IF, Psikolog/Punonjës social)?
Vështirësia e parë ka të bëjë me rezistencën dhe refuzimin e pacientëve për të marrë shërbime për çrregullimet e shëndetit mendor. Kjo vjen kryesisht për shkak të paragjykimeve dhe stigmës që i bashkëngjitet këtyre çrregullimeve.
Vështirësitë e tjera lidhen me aspektin logjistik në qendrat socio-shëndetësore. Intervista psikiatrike zhvillohet më së miri në ambiente të qeta, ku sigurohet privatësia e pacientit në raport me profesionistin që zhvillon intervistën. Nevojitet gjithashtu një hapësirë kohore e mjaftueshme dhe një vëmendje e plotë nga ana e profesionistit, ku pacienti të ketë mundësi të shprehë shqetësimet e veta. Nisur nga referimet e pjesëmarrësve në trajnim, kuptojmë se fluksi i madh i pacientëve dhe ambientet e kufizuara në qendrat socio-shëndetësore i bëjnë këto vështirësi konkrete.
Cilat janë sfidat kryesore të shëndetit mendor me të cilat përballen aktualisht komunitetet në Shqipëri?
Ofrimi i shërbimeve të shëndetit mendor has sfida të shumta në vendin tonë, ashtu si në shumë vende të botës. Sigurimi dhe ruajtja e një mirëqenieje psiko-emocionale është një nga angazhimet madhore të OBSH-së. Por, pavarësisht vëmendjes dhe studimeve të shumta në këtë fushë, statistikat flasin për shifra në rritje të çrregullimeve të shëndetit mendor në nivel global.
Një ndër sfidat kryesore në vendin tonë është stigma. Personat që vuajnë nga problemet e shëndetit mendor trajtohen me paragjykim dhe shpesh u kufizohen të drejtat në shoqëri. Kjo krijon tek pacienti një ndjesi turpi dhe refuzimi për të folur për shqetësimet që mund të jetë duke përjetuar. Stigma vjen kryesisht për shkak të mungesës së informacionit në lidhje me shkaqet, diagnozat dhe mënyrën e veprimit të medikamenteve dhe/ose trajtimeve me natyrë psiko-sociale.
Një sfidë tjetër është numri i kufizuar i specialistëve që ofrojnë shërbime për shëndetin mendor, kryesisht në shërbimet për fëmijë dhe adoleshentë, çka i detyron përfituesit e shërbimit të udhëtojnë distanca të largëta për të marrë kujdesin e nevojshëm. Për më tepër, prezantimi me struktura të amortizuara dhe me kushte minimale ku shpesh ofrohen këto shërbime, përforcon paragjykimet në popullatë dhe rezistencën për të kërkuar ndihmë në strukturat shtetërore.
Së fundi, sfidat e përmendura më lart e shtyjnë pacientin t’u drejtohet ofruesve të shërbimit në sektorin privat, ku kostoja e lartë e këtij shërbimi bëhet shpesh shkak për ndërprerjen e parakohshme të trajtimit.
Çfarë trajnimesh/mbështetjeje do të sugjeronit për aftësimin e mëtejshëm të ekipit të mjekësisë familjare (MF, IF, Psikolog/Punonjës social) në menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor në kujdesin shëndetësor parësor (KSHP)?
Në trajnimet e ardhshme sugjerojmë t’i jepet vëmendje fuqizimit të stafit psiko-social. Integrimi i psikologëve dhe punonjësve socialë në strukturën e qendrave socio-shëndetësore është një vlerë e shtuar në gamën e shërbimeve që mund të ofrohen për kujdesin e popullatës. Aktivizimi i plotë në rolin e tyre dhe bashkërendimi i punës me pjesën tjetër të ekipit do të sigurojë një qasje multidisiplinore në trajtimin e problemeve shëndetësore në tërësi, jo vetëm ato të shëndetit mendor.
Një sugjerim tjetër është përqendrimi në çrregullimet psikosomatike dhe në vlerësimin e faktorëve psiko-socialë tek pacientët që vuajnë nga sëmundje kronike.