Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Infermierëve dhe Ditës Botërore të Mjekëve të Familjes, rrjetet sociale të HAP u kthyen në një hapësirë të veçantë virtuale për të festuar profesionalizmin, përkushtimin dhe vlerat njerëzore të mjekëve dhe infermierëve në të gjithë vendin.
Përmes një thirrjeje publike të hapur për të gjithë ekipin e mjekësisë familjare, projekti ftoi mjekë dhe infermierë të ndanin histori reale, reflektime personale dhe mesazhe mirënjohjeje për kolegët e tyre që, përmes punës së përditshme, janë kthyer në burim frymëzimi për ata që i rrethojnë.
Dëshmitë e mbledhura u shndërruan në një kolazh të ngrohtë mesazhesh që nxorën pah vlerat që kishin lënë më tepër gjurmë tek kolegët si pasioni për punën, përgjegjshmëria, përkushtimi, empatia, bujaria etj. si në marrëdhënie me kolegët ashtu edhe me pacientët.
“Qëllimi i kësaj nisme ishte të nxirrnim të pah pikërisht vlerat njerëzore që shpalosen gjatë ushtrimit të këtij profesioni human – përtej emrave e pozicioneve – dhe mendoj se ia dolëm me sukses”, u shpreh Specialistja e Komunikimeve të HAP. “Ndonjëherë mjafton një fjalë e mirë, një vlerësim i ndarë publikisht për të ngritur moralin e për t’i bërë ata të kuptojnë se kontributi i tyre nuk kalon i pavënëre”, shtoi ajo.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të projektit Health for All për të mbështetur jo vetëm përmirësimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, por edhe nxitjen dhe promovimin e një kulture profesionale të bazuar në respekt, motivim dhe bashkëpunim të ndërsjellë.