Prill-shtator 2025: Ja arritjet e HAP

Gjashtë mujori i parë aktiviteteve të planifikuara për periudhën prill 2025-mars 2026 shënoi hapa të rëndësishëm në ofrimin e kujdesit në banesë, menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme dhe forcimin e kapaciteteve të personelit shëndetësor në KSHP.

Gjatë semestrit të parë të zbatimit të Planit Vjetor të Aktiviteteve 2025–2026, projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) realizoi me sukses të gjitha aktivitetet e synuara, duke përforcuar kontributin e tij në ndërtimin e një sistemi shëndetësor parësor më të aksesueshëm dhe të integruar për qytetarët shqiptarë në përgjithësi dhe për grupet vulnerabël në veçanti.

Zgjerimi i shërbimeve të kujdesit në banesë

Një arritje kyçe gjatë periudhës së raportimit ishte zgjerimi i i shërbimeve të kujdesit në banesë. Deri në fund të shtatorit 2025, 140 nga 150 qendrat shëndetësore të mbështetura drejtpërdrejt nga HAP raportuan vizita të kujdesit në banesë, çka përfaqëson 93% të qendrave të synuara nga projekti. Këto qendra shtrihen në 20 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NVKSh) dhe 11 qarqe, duke përbërë mbi dy të pestat e qendrave shëndetësore në nivel kombëtar.

Ky zgjerim pasqyron përpjekje të qëndrueshme për ndërtimin e kapaciteteve dhe zbatim të koordinuar me autoritetet shëndetësore. Deri në mars 2206, HAP do të ketë përfunduar paketën e plotë të mbështetjes për të gjitha 150 qendrat shëndetësor.

Forcimi i bashkëpunimit me autoritetet shëndetësore vendore

HAP vijoi bashkëpunimin e ngushtë me Operatorin në nivelin qendror dhe rajonal, si dhe me NVKSh-të, për të zgjeruar shërbimet e kujdesit në banesë dhe për të zbatuar protokollet për sëmundjet jo të transmetueshme (SJT). Ndërsa përparimi ka qenë i konsiderueshëm, periudha e raportimit evidentoi gjithashtu nevojën për përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe forcimin e kapaciteteve monitoruese, veçanërisht në lidhje me raportimin e kujdesit në banesë.

Integrimi i shërbimeve socio-shëndetësore dhe i shëndetit mendor në KSHP

Projekti kontribuoi gjithashtu në integrimin e shërbimeve shëndetësore dhe sociale brenda KSHP-së. Me mbështetjen e HAP, u zhvillua një manual praktik për psikologët që punojnë në kujdesin parësor, përmes bashkëpunimit të ngushtë me aktorët kyç dhe ofruesit e shërbimeve. Ky përbën një hap të rëndësishëm drejt kujdesit të koordinuar dhe multidisiplinar në nivel komuniteti.

Paralelisht, HAP forcoi më tej menaxhimin e shëndetit mendor brenda KSHP-së. Që nga viti 2022, pothuajse 400 profesionistë shëndetësorë janë trajnuar për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor, duke kontribuuar në integrimin gradual të shërbimeve të shëndetit mendor në sistemin e kujdesit parësor.

Aftësimi i personelit të kujdesit shëndetësor parësor

Zhvillimi i aftësive të personelit të KSHP-së është një ndër objektivat e HAP. Që nga viti 2022, projekti ka mbështetur trajnimin e 1018 infermierëve-trajnerë dhe 52 profesionistëve të NJVKSH-së. Gjatë periudhës së raportimi, projekti ofroi mbështetje për të përmirësuar aftësitë pedagogjike të trajnerëve infermierorë në dy rajone, duke u mundësuar atyre të udhëheqin proceset e trajnimit kaskadë për shërbimet e kujdesit në banesë.

HAP vijoi gjithashtu zgjerimin e zbatimit të protokolleve për SJT-të. Gjatë periudhës 2021–2025, pothuajse një e treta e mjekëve dhe infermierëve të familjes që punojnë në ekipet e KSHP-së në Shqipëri janë trajnuar drejtpërdrejt nga projekti. Këto përpjekje po forcojnë praktikën klinike dhe po standardizojnë kujdesin për sëmundjet kronike në mbarë vendin.

Mbështetja për Grupet e Kolegëve

Grupet e Kolegëve vazhdojnë të mbështesin shkëmbimin profesional dhe të nxënit e vazhdueshëm. Vetëm gjatë periudhës së raportimit, u krijuan 94 Grupe të reja Kolegësh, duke përfshirë afërsisht 900 ofrues të KSHP-së, si mjekë, infermierë, psikologë dhe punonjës socialë. Në total, më shumë se një në dhjetë ofrues të KSHP-së në nivel kombëtar tashmë janë pjesëmarrës në këto grupe.

Prioritetet në vijim

Në gjashtë muaj e ardhshëm, HAP do të përqendrohet në forcimin e autonomisë së NJVKSH-ve në ofrimin e trajnimeve përmes Grupeve të Kolegëve, përfundimin e furnizimit me pajisje për qendrat shëndetësore të mbështetura rishtazi dhe përmirësimin e monitorimit të shërbimeve të kujdesit në banesë. Dialogu i vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe mbështetja e aktiviteteve të advokacisë mbeten thelbësore për mobilizimin e burimeve shtesë për kujdesin në shtëpi.