Mbledhja e 21-të e Komitetit Drejtues: Ecuria dhe qëndrueshmëria e ndërhyrjeve të HAP

Projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) zhvilloi Mbledhjen e 21-të të Komitetit Drejtues më 5 dhjetor 2025, pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke mbledhur në një tryezë autoritetet kryesore të shëndetësisë, partnerët ndërkombëtarë dhe drejtuesit e projektit për të shqyrtuar ecurinë dhe për të diskutuar prioritetet ndërsa projekti hyn në vitin e tij të fundit.

Mbledhja u bashkëkryesua nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), dhe pati pjesëmarrjen e Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Shërbimeve Shëndetësore dhe Sociale, akademisë, organizatave profesionale, organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Në qendër të rendit të ditës ishte prezantimi i raportit gjashtëmujor të progresit të HAP për periudhën prill–shtator 2025, Raporti evidentoi përparim të konsiderueshëm në zgjerimin e shërbimeve të kujdesit në banesë, përmirësimin e menaxhimit të sëmundjeve jo të transmetueshme, shtimin e Grupeve të Kolegëve si mekanizëm i edukimit në vazhdim për profesionistët e shëndetësisë dhe forcimin e integrimit të shërbimeve të shëndetit mendor dhe psikosocial brenda kujdesit shëndetësor parësor .

Anëtarët e Komitetit Drejtues vlerësuan arritjet e rëndësishme të realizuara gjatë periudhës së raportimit, veçanërisht përqindjen e lartë të qendrave shëndetësore të mbështetura nga HAP që po zbatojnë shërbime të kujdesit në banesë, si dhe kontributin e projektit në ndërtimin e kapaciteteve të mjekëve të familjes, infermierëve dhe profesionistëve të tjerë të shëndetësisë. Komiteti miratoi raportin gjashtëmujor të progresit, duke konfirmuar se aktivitetet zhvillohen në përputhje të plotë me prioritetet kombëtare të kujdesit shëndetësor parësor .

Diskutimet u përqendruan më shumë te qëndrueshmëria dhe dorëzimi i përgjegjshëm i rezultateve, duke qenë se HAP po hyn në vitin e tij të fundit të zbatimit. Përfaqësuesit e Ambasadës Zvicerane theksuan rëndësinë e konsolidimit të modeleve, mjeteve dhe praktikave të prezantuara nga projekti, me fokus të veçantë te shërbimet e kujdesit në banesë. Nevoja për advokim të vazhdueshëm, pronësi të qartë institucionale dhe mekanizma të përshtatshëm financimi u theksua si thelbësore për të siguruar vijimësinë përtej kohëzgjatjes së projektit.

Vëmendje e posaçme iu kushtua gjithashtu cilësisë së të dhënave dhe monitorimit, veçanërisht në lidhje me raportimin e kujdesit në banesë, si dhe miratimit formal dhe institucionalizimit të udhëzimeve klinike, protokolleve dhe manualeve të zhvilluara me mbështetjen e HAP. Pjesëmarrësit rikonfirmuan rëndësinë e të dhënave të besueshme, transparencës dhe llogaridhënies si bazë për vendimmarrje të mbështetur në evidencë në sistemin shëndetësor.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale riafirmoi angazhimin e saj për të ruajtur dhe për të zgjeruar më tej shërbimet e kujdesit në banesë, duke vënë në dukje se këto shërbime përbëjnë një prioritet të rëndësishëm për adresimin e nevojave të popullatave vulnerabël brenda kuadrit të mbulimit shëndetësor universal. Ministria konfirmoi gjithashtu bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet përkatëse për të mbështetur kostimin, monitorimin dhe zhvillimin e politikave në fushën e kujdesit shëndetësor parësor.

Mbledhja u mbyll me një mirëkuptim të përbashkët se faza përfundimtare e HAP do të fokusohet gjithnjë e më shumë te konsolidimi, kapitalizimi dhe qëndrueshmëria, duke siguruar që rezultatet e projektit të integrohen në sistemin e kujdesit parësor shëndetësor në Shqipëri dhe të vazhdojnë të përfitojnë komunitetet në vitet në vijim.