Integrimi i shëndetit mendor në kujdesin parësor: Misioni i Dr. Rembrant Aarts në Shqipëri

Në kuadër të mbështetjes që po i ofron Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për integrimin e shëndetit mendor në kujdesin parësor, HAP ftoi ekspertin ndërkombëtar të shëndetit mendor Dr. Rembrant Aarts për një vizitë pune në Shqipëri gjatë datave 16–20 qershor 2025. Qëllimi i vizitës ishte analizimi i mënyrës sesi këto shërbime janë integruar në nivelin e kujdesit parësor, përfshirë edhe ofrimin e tyre gjatë kujdesit shëndetësor në banesë, me fokus të veçantë te grupet vulnerabël dhe të moshuarit.

Gjatë misionit, Dr. Aarts u angazhua në takime intensive me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Operatorit Qendror dhe Rajonal të Kujdesit Shëndetësor, Njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësor si dhe me anëtarë të stafit multidisiplinar të qendrave shëndetësore socio-shëndetësore, specializantë të mjekësisë familjare dhe ekspertë nga Instituti i Shëndetit Publik.

Takimet u përqendruan në:

– Vlerësimin e kapaciteteve të qendrave shëndetësore për menaxhimin e çrregullimeve të shëndetit mendor, përfshirë gjatë vizitave të kujdesit në banesë, veçanërisht për grupet e cenueshme.
– Rolin dhe potencialin e psikologëve për të ofruar shërbime cilësore të shëndetit mendor si dhe bashkëpunimin e tyre me mjekë, infermierë dhe punonjës socialë;
– Vlerësimin e kapaciteteve të autoriteteve lokale për të vijuar trajnimet dhe monitorimin e  zbatimit të udhëzuesve për shëndetin mendor të miratuar nga MSHMS pas përfundimit të projektit;

Në përfundim të vizitës, u zhvillua një seancë reflektimi me ekipin e HAP ku u hodhën bazat për përgatitjen e raportit përfundimtar, i cili do të ofrojë rekomandime praktike për konsolidimin e shërbimeve të shëndetit mendor në sistemin e kujdesit parësor në Shqipëri.

Në kuadër të realizimit të Planit të Veprimit për Shëndetin Mendor 2023-2026, MSHMS ka punësuar staf psiko-social në 102 nga 365 qendra shëndetësore në mbarë vendin. Që prej vitit 2024, HAP po mbështet kapacitetet e Operatorit dhe NJVKSH-ve për integrimin e shërbimit të shëndetit mendor në KSHP përmes ofrimit të trajnimeve të posaçme për mjekë, infermierë dhe psikologë nga qendra të përzgjedhura shëndetësore. Në mbështetje të këtyre trajnimeve është hartuar edhe manuali “Menaxhimi i Çrregullimeve të Shëndetit Mendor në KSHP”. Ndërkaq, është në proces hartimi i një manuali të posaçëm për psikologun në kujdesin parësor i cili pritet të vihet të publikohet në muajt në vijim.