HAP shpërndan 564 çanta mjekësore për mjekë dhe infermierë familjeje

Në muajin dhjetor, projekti “Shëndet për të Gjithë” (HAP) shpërndau 564 çanta mjekësore për mjekët dhe infermierët e familjes, duke forcuar kapacitetet e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor për një kujdes më cilësor më pranë komuniteteve.

Çantat mjekësore u dorëzuan në 31 qendra shëndetësore në 11 Njësi Vendore të Kujdesit Shëndetësor duke përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Beratin, Vlorën, Lezhën, Shkodrën, Kurbinin, Mirditën, Malësinë e Madhe dhe Tropojën. Ky kontribut shënon edhe përfundimin e mbështetjes me pajisje për grupin e fundit të qendrave shëndetësore të përfshira në fazën aktuale të zbatimit të projektit.

Çdo çantë është konceptuar për të mbështetur praktikën e përditshme klinike në mjediset e kujdesit shëndetësor parësor dhe të kujdesit në banesë. Pajisjet përfshijnë instrumente thelbësore për ekzaminim, si stetoskop, aparat për matjen e tensionit arterial, otoskop, oftalmoskop, termometër digjital, pulsoksimetër, matës të fluksit maksimal respirator, çekiç neurologjik dhe instrumente të tjera bazë. Gjithashtu, çanta përfshin mjete praktike referuese, si tabela e indeksit të masës trupore dhe kalendari i shtatzënisë, për të mbështetur kujdesin parandalues dhe ndjekës.

Përmes pajisjes së mjekëve dhe infermierëve të familjes me mjete mjekësore të standardizuara, HAP synon të përmirësojë cilësinë, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e shërbimeve të ofruara në nivel komuniteti. Kompletet mbështesin vlerësimin në kohë, identifikimin e hershëm dhe menaxhimin e vazhdueshëm të gjendjeve shëndetësore, veçanërisht për pacientët me akses të kufizuar në shërbimet e qendrës shëndetësore.

Çdo dorëzim u shoqërua me shpjegime praktike mbi përdorimin e instrumenteve, duke nxitur zbatimin e tyre të menjëhershëm si edhe besimin dhe gatishmërinë profesionale të ekipeve të kujdesit parësor shëndetësor.