HAP prezanton modelin shqiptar në konferencën ndërkombëtare të kujdesit në banesë në Ukrainë

Më 20 shkurt 2025, Act4Health Ukraine organizoi konferencën ndërkombëtare “Kujdesi gjithëpërfshirës në banesë për një person në Ukrainë,” me pjesëmarrjen e ekspertëve ndërkombëtarë për të diskutuar të ardhmen e kujdesit shëndetësor në banesë në vend. Me transmetim të drejpërdrejtë në rrjetet sociale, kjo konferencë prezantoi shembuj praktikash të mira globale në kujdesin shëndetësor dhe social në banesë, përmes fjalës së ekspertëve të rëndësishëm nga Ukraina, Zvicra, Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina.

Menaxheri i Projektit Shëndet për të Gjithë, Dr. Besim Nuri, ishte i ftuar si ekspert ndërkombëtar dhe folës, për të ndarë sfidat dhe zgjidhjet me të cilat është përballur projekti gjatë prezantimit të këtij shërbimi në Shqipëri në vitin 2021. Kjo ftesë vjen pas shkëmbimit të përvojave lidhur me shërbimin e integruar socio-shëndetësor që delegacioni ukrainas me përfaqësues të projektit Act4Health, Vseturbota dhe të autoriteteve shëndetësore ukrainase patën në Shqipëri në dhjetor 2024.

Dr. Nuri shpjegoi se kujdesi në banesë ishte një model shërbimi i cili u hartua duke vlerësuar nevojat e popullsisë dhe u bazua në praktikat e mira globale. Në modelin shqiptar shërbimi është kryesisht shëndetësor, vizitat janë të planifikuara periodikisht dhe rolin kryesor e ka infermieri jo mjeku. Dr. Nuri shtoi se integrimi i shërbimeve të kujdesit në banesë brenda sistemit ekzistues të kujdesit parësor ka ndihmuar në shmangien e kostove të larta të strukturave shëndetësore paralele. Aktualisht ky model ka në qendër personat vulnerabël me autonomi të kufizuar, të moshuarit, personat e invalidizuar si pasojë e sëmundjeve kronike dhe ata që kanë nevojë për kujdes pas hospitalizimit.

Ndër sfidat e përmendura, Dr. Nuri theksoi mungesën e trajnimit për infermierët në procedura klinike të avancuara, një problem që projekti po përpiqet ta adresojë përmes trajnimeve të vazhdueshme, si dhe nevojën për përmirësimin e komunikimit ndërmjet ofruesve të shërbimeve mjekësore dhe sociale.

Sipas Dr. Nurit, çelësi për zbatimin me sukses të një modeli të ngjashëm kërkon një angazhim të hershëm të autoriteteve shëndetësore dhe sociale si edhe bashkëpunim të vazhdueshëm dhe frytdhënës me palët e interesit.

Ekspertë nga Bosnje-Hercegovina, Ukraina dhe Zvicra ndanë gjithashtu përvoja të rëndësishme mbi nevojën në rritje për kompetenca më të larta infermierore, modele shërbimi që integrojnë aspektet shëndetësore dhe sociale, si dhe zgjidhje për krizën në rritje të stafit mjekësor.

Ndër pikat kryesore të konferencës mund të përmendim:

  • Fuqizimi i infrastrukturës lokale: Qeveritë duhet të forcojnë shërbimet e kujdesit në komunitet për të reduktuar varësinë nga kujdesi institucional.
  • Zhvillimi i fuqisë punëtore: Adresimi i mungesës së profesionistëve të trajnuar përmes edukimit të vazhdueshëm dhe pagave të drejta.
  • Modele të kujdesit të integruar: Kombinimi i shërbimeve mjekësore dhe sociale për një kujdes më gjithëpërfshirës ndaj pacientit.
  • Qëndrueshmëria financiare: Diversifikimi i burimeve të financimit dhe integrimi i buxheteve të kujdesit mjekësor dhe social.
  • Zgjerimi i përdorimit të teknologjisë: Përdorimi i telemjekësisë dhe mbledhja dixhitale e të dhënave për të përmirësuar efikasitetin dhe aksesin në kujdes.

Konferenca ofroi një platformë të shkëlqyer për shkëmbimin e përvojave në modelet e kujdesit në banesë duke u mundësuar vendeve me sfida të ngjashme që të mësojnë nga sukseset dhe vështirësitë e njëri-tjetrit.

Ky shkëmbim përvojash mund t’i shërbejë Ukrainës që të zhvillojë një model të kujdesit shëndetësor në banesë më të qëndrueshëm dhe më efikas në përshtatje me rrethanat me të cilat po përballet.