Drejt forcimit të rolit të punonjësit social: mbahet takim konsultues për manualin praktik në KSHP

Më 26 mars 2026, u zhvillua një takim konsultues për Manualin Praktik të Punonjësit Social në Kujdesin Shëndetësor Parësor (KSHP), me pjesëmarrjen e një game të gjerë aktorësh nga sistemi shëndetësor dhe social.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, institucioneve të varësisë, Operatorit të Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor, drejtues të qendrave shëndetësore, mjekë familjarë, infermierë, punonjës socialë dhe profesionistë të tjerë të kujdesit shëndetësor parësor.

Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i draft-manualit dhe mbledhja e komenteve nga profesionistët e terrenit, me synim përmirësimin e përmbajtjes dhe sigurimin e zbatueshmërisë së tij në praktikë. Diskutimet u fokusuan në identifikimin e sfidave dhe mundësive për zbatim, si dhe në përafrimin e manualit me kuadrin ligjor dhe organizativ të KSHP.

Takimi u zhvillua përmes një metodologjie pjesëmarrëse, duke kombinuar prezantimet me punën në grupe dhe diskutimet plenare. Pjesëmarrësit, të ndarë në grupe të vogla të përbëra nga profesionistë dhe përfaqësues institucionesh të ndryshme, diskutuan mbi çështje kyçe si:

  • roli dhe funksionet e punonjësit social në KSHP;
  • bashkëpunimi në ekipet multidisiplinare;
  • koordinimi dhe referimi ndërinstitucional;
  • si dhe dokumentimi dhe menaxhimi i rasteve.

Diskutimet sollën në vëmendje përvoja konkrete nga terreni, duke ndihmuar në identifikimin e elementeve që funksionojnë mirë dhe atyre që kërkojnë përmirësim. Në veçanti, u theksua rëndësia e qartësimit të roleve në ekip, forcimit të mekanizmave të koordinimit ndërinstitucional dhe sigurimit të mjeteve praktike për dokumentimin dhe ndjekjen e rasteve.

Ky proces konsultimi përbën një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të një dokumenti praktik që synon të mbështesë punonjësit socialë në ofrimin e shërbimeve më të koordinuara, cilësore dhe të orientuara drejt nevojave të komunitetit në kujdesin shëndetësor parësor.