
Delina Ceca është Specialiste e Shëndetit Publik dhe Shefe e Kujdesit Shëndetësor Parësor pranë Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Berat. Si pjesëmarrëse e rregullt në trajnimet e mbështetura nga HAP dhe mbajtëse e një pozicioni të rëndësishëm për shtrirjen e reformës në kujdesin parësor, biseduam me të mbi rëndësinë e trajnimeve për parandalimin dhe menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme për mjekët dhe infermierët e familjes dhe monitorimin e zbatimit të protokolleve përkatëse në praktikën e tyre të përditshme klinike.
A mund të na përshkruani se si po aftësohet ekipi monitorues i Njësisë Vendore të Kujdesit Shëndetësor Berat (NjVKSh) për monitorimin e zbatimit të protokolleve të sëmundjeve jo të transmetueshme (SJT) nga mjekët dhe infermieret e familjes?
Ekipi ynë monitorues është trajnuar dhe është përfshirë drejtpërdrejt në të gjitha aktivitetet që lidhen me përmirësimin e menaxhimit të SJT-ve në qendra shëndetësore, që nga planifikimi i këtyre aktiviteteve e deri tek zbatimi e monitorimi i tyre, për të mbështetur mjekët dhe infermierët e familjes në zbatimin e protokolleve të mjekimit të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale (MShMS). Sigurisht ky është një proces i vazhdueshëm dhe ekipi përfshihet vazhdimisht në aktivitete me karakter trajnues dhe përgatitor për ta optimizuar këtë proces.
Gjithçka nisi, fillimisht, me aftësimin e ekipit të mjekësisë familjare për zbatimin e protokolleve të 5 SJT-ve. Për këtë qëllim u realizua një Trajnim për Trajnerë i mbështetur nga HAP me temë “Zbatimi i protokolleve të mjekimit për Hipertensionin, Dislipidemitë, Diabetin, Astmën, dhe SPOK-un (5 SJT) në KSHP”, ku morën pjesën tre mjekë familjeje, dy infermiere, dhe një specialist i shëndetit publik të përzgjedhur nga NjVKSh Berat. Më pas, vetë NjVKSh Berat organizoi dhe ofroi Trajnime për Trajnerë për një mjek dhe një infermier familjeje nga të 14 Qendrat Shëndetësore (QSh) që ka në varësi. Në vijim, me mbështetjen tonë, ata ngritën Grupe Kolegësh në QSh-të përkatëse me qëllim që njohuritë që u morën gjatë trajnimit mbi zbatimin e protokolleve të mjekimit për 5 SJT-të t’i përcilleshin pjesës tjetër të ekipit të mjekësisë familjare.
Ndërkohë, HAP mbështeti trajnimin e ekipit tonë monitorues për realizimin e vizitave në QSh për monitorimin e zbatimit të protokolleve në fjalë nga mjeku dhe infermieri I familjes. Këto janë monitorime që ne i quajmë monitorime mbështetëse pasi kanë si qëllim mbështetjen dhe motivimin e ekipit të mjekësisë së familjes për t’i zbatuar me sa më përpikëri protokollet e 5 SJT-ve.
Me t’u mbyllur këto trajnime të rëndësishme, si për ekipin e mjekësisë familjare ashtu dhe për ekipin monitorues, ishte koha e duhur për realizimin e vizitave monitoruese. Kështu, ne si NjVKSh e Beratit planifikuam dhe realizuam dy vizita të tilla me mbështetjen e drejtëpërdrejtë nga HAP, pas të cilave krijuam një model të qartë të procesit monitorues. Nga ky moment, ekipi ynë monitorues ka vijuar rregullisht me monitorimin mbështetës pranë qendrave shëndetësore lidhur me zbatimin e protokolleve të 5 SJT-ve.
Në ç’mënyrë ndryshon ky proces monitorimi nga ai që është zbatuar më parë?
Ky proces monitorimi është një mbikqyrje mbështetëse që synon të përmirësojë cilësinë e shërbimit të kujdesit parësor, të identifikojë dhe të zgjidhë problemet e mundshme si edhe të promovojë standarde të larta, punën në ekip dhe komunikimin më të mirë ndërmjet QSH-së dhe NJVKSH-së.
Ky monitorim i ka të gjitha mjetet e nevojshme për t’u realizuar. Manuali i monitorimit i hartuar nga HAP është një ndihmesë praktike për realizimin e vizitave monitoruese sepse përshkruan hap pas hapi dhe me shembuj konkretë procesin e monitorimit mbështetës. Ai jep gjithashtu mjetet/listë-kontrollet për monitorim, përfshirë dhe modelet e shkresave të lajmërimit të QSH-së që do të monitorohet, të axhendës dhe të raportit të vizitës monitoruese.
Të gjitha këto i bëjnë vizitat monitoruese më të lehta për t’u organizuar nga ana e NjVKSh-së dhe më konkrete e më të dobishme për qendrat shëndetësore që e përfitojnë këtë mbështetje lidhur me zbatimin e protokolleve të 5 SJT-ve.
Cilat janë problemet që keni identifikuar gjatë monitorimeve dhe si i keni zgjidhur ato?
Një nga problemet më të shpeshta që kemi hasur gjatë monitorimit është vijimësia e furnizimit të mjekëve dhe infermierëve të familjes me kopje fizike të mjeteve të vendim-marrjes klinike për rastet e reja. Këto mjete duhet të jenë pjesë e kartesës së pacientit dhe duhen fotokopjuar në vazhdimësi për përdorimin e tyre të përditshëm sipas nevojës. Në disa raste, vetë ne si NjVKSh e Beratit i kemi ndihmuar qendrat shëndetësore me kopje fizike të mjeteve për të cilat kanë patur mungesa.
Në ç’mënyrë mendoni se vizitat monitoruese do të ndikojnë në cilësinë e shërbimit shëndetësor që u ofrohet pacientëve me sëmundje kronike?
Pas çdo vizite monitoruese, qendrës shëndetësore i dorëzohet një raport me udhëzime dhe rekomandime lidhur me mangësitë e konstatuara gjatë monitorimit si edhe afate kohore realiste për përmbushjen e tyre. Kjo mendoj se është një qasje që nxit dhe motivon ekipet e QSH-ve për menaxhimin e 5SJT-ve sipas protokolleve të mjekimit të miratuara nga MSHMS, çka ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve me sëmundje kronike.
Monitorimi gjithashtu nxit mjekun dhe infermieren e familjes të përdorë mjetet e vendimmarrjes klinike dhe, në mënyrë të tërthortë, t’i kushtojë më shumë kohë pacientit gjatë konsultës, qoftë në marrjen e anamnezës apo të vlerësimit objektiv, ashtu edhe në këshillimin dhe edukimin e pacientit apo në planifikimin e vizitës së radhës. Kjo ndikon në diagnostikimin dhe menaxhimin më të mirë të rastit dhe i bën më racionale referimet te specialisti duke rritur besueshmërinë tek mjeku dhe infermieri i familjes, gjë e cila ka qënë në zbehje këto kohë.
A kanë ndikuar këto monitorime në bashkëpunimin e NJVKSH-së me qendrat shëndetësore që ka në varësi? Në ç’mënyrë?
Realizimi i monitorimeve mbështetëse ka ndikuar pozitivisht në bashkëpunimin tonë me qendrat shëndetësore. Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me ta që në fazën e planifikimit të vizitës, kur biem dakord për datën dhe axhendën e vizitës monitoruese. Kjo qasje bën që të jemi më të mirëpritur nga ta gjatë realizimit të vizitës dhe vetë ekipi mjekësor të jetë më bashkëpunues.
Vetë vizita na ka ndihmuar të njohim më mirë realitetin e ofrimit të kujdesit parësor, sfidat dhë vështirësitë që ndeshin mjekët dhe infermierët e familjes. Gjithashtu, takimi përmbyllës i vizitës monitoruese ka rritur mirëkuptimin e të dyja palëve mbi problematikat që ekzistojnë, vështirësitë dhe zgjidhjet e mundshme. Duhet të theksoj që raporti i vizitës monitoruese, i cili i dërgohet qendrës shëndetësore brenda dhjetë ditëve nga data e vizitës monitorues, e ka ngritur komunikimin zyrtar ndërmjet NjVKSh-së me QSh-të në një nivel më të lartë profesional.
Pas sa kohësh mendoni se do të jenë më të dukshme rezultatet e këtyre ndryshimeve reformuese në kujdesin shëndetësor parësor?
Nuk besoj se është koha elementi më i rëndësishëm sesa gjetja dhe zbatimi në nivel sistemi i mekanizmave për motivimin e mjekëve për menaxhimin e SJT-ve sipas protokolleve të reja dhe për të punuar si ekip me infermierët e familjes. Mendoj se vetë procesi i monitorimit mbështetës që po zbatojmë është një ndër mekanizmat që nxit përdorimin e protokolleve nga ana e profesionistëve shëndetësorë në kujdesin parësor.
Çfarë këshille do t’u jepnit mjekëve dhe infermiereve pas vizitave monitoruese që keni bërë?
E vetmja këshillë që do u jepja është që t’i kushtonin më shumë kohë pacientit gjatë konsultës në ambientet e QSH-së apo gjatë vizitave në shtëpi. Koha më e gjatë përkthehet në komunikim më të mirë dhe më efektiv me pacientët, vendimmarrje klinike bazuar në evidencat që prodhojnë mjetet përkatëse, si dhe këshillim më të përshtatshëm për fuqizimin e pacientit në menaxhimin e sëmundjes së tij, çka rrit cilësinë e jetës së pacientit..
Çfarë mbështetjeje tjetër do t’ju duhej për t’i realizuar sa më mirë vizitat monitoruese?
Mbështetja e HAP ka qënë maksimale. Aktualisht mendoj që është shumë e rëndësishme që herë pas here të kishim takime grupi me të gjithë autoritetet e tjera shëndetësore lokale/rajonale/qendrore, pushtetin lokal ose me ndonjë institucion tjetër jopublik në kuadrin e përmirësimit të të gjithë procesit monitorues me qëllim që t’u ofronim qendrave shëndetësore mbështetjen e duhur për të përmbushur rekomandimet e vizitës monitoruese dhe për të përballuar vështirësitë dhe mangësitë që ato kanë lidhur lidhur me zbatimin e protokolleve, sidomos ato që lidhen me infrastrukturën fizike, me pajisjet, mungesën e stafit, etj.