Aktivitetet e HAP për periudhën shtator-dhjetor 2025

Nga shtatori deri në dhjetor 2025, HAP po zbaton një sërë aktivitetesh që synojnë forcimin e kujdesit shëndetësor parësor, si trajnime për mjekë dhe infermierë, mbështetje për vizitat monitoruese të kujdesit në banesë, forcim të elementit pedagogjik në trajnimet për trajnerë etj.

Aktualisht, mjekë dhe infermierë nga 19 qendra shëndetësore në vend po trajnohen mbi zbatimin e protokolleve për sëmundjet jo të transmetueshme dhe shëndetin mendor, me qëllim përmirësimin e parandalimit dhe menaxhimit të këtyre sëmundjeve në komunitet. Një risi e rëndësishme në këtë drejtim, është mbështetja e HAP për hartimin e “Manualit të Psikologut në Kujdesin Shëndetësor Parësor”, i cili është në proces përgatitjeje për publikim. Ky manual është një hap i rëndësishëm në integrimin e një perspektive biopsikosociale në kujdesin parësor e cila ndërthur elemente të shëndetit fizik dhe mendor për të krijuar një mirëqenie të qëndrueshme.

Nga ana tjetër, projekti vijon të mbështesë fuqimisht shtrirjen e kujdesit shëndetësor në banesë. Në këtë fundvit, infermierë të 30 qendrave shëndetësore po marrin pjesë në trajnimet për trajnerë mbi procedurat standarde infermierore të cilat janë të domosdoshme për aftësimin e tyre për ofrimin e këtij shërbimi të shumëpritur për të gjithë të sëmurët kronikë të invalidizuar që e kanë të pamundur të vizitojnë qendrat shëndetësore. Deri në dhjetor 2025, HAP do të ketë trajnuar infermierë nga 150 qendra shëndetësore në mbarë vendin.

Për të siguruar që njohuritë të përcillen me efikasitet te pjesa tjetër e stafit përmes qasjes kaskadë, HAP do të mbështesë edhe trajnimin pedagogjik të infermierëve-trajnerë pranë katër Operatorëve Rajonalë të Kujdesit Shëndetësor. Këta trajnerë do të luajnë një rol kyç në përhapjen e standardeve të reja përmes Grupeve të Kolegëve, duke garantuar që praktikat më të mira të bëhen pjesë e punës së përditshme.

Kontrolli i cilësisë mbetet një element thelbësor. Në këtë kuadër, HAP do të mbështesë 35 vizita monitoruese të kujdesit shëndetësor në banesë deri në fund të vitit, ndërkohë që janë duke u përpunuar edhe të dhënat e Studimit të Cilësisë së Kujdesit Shëndetësor. Ky studim vlerëson ndikimin e ndërhyrjeve të projektit dhe ofron bazë për përmirësime të mëtejshme.

Njëkohësisht, HAP vijon të mbështesë aktivitetet e advokimit për përfshirjen e kostove të kujdesit shëndetësor në banesë në buxhetet e qendrave shëndetësore, në mënyrë që ky shërbim të jetë më i qëndrueshëm në vijimësi.

Përmes këtyre ndërhyrjeve të shumanshme, HAP synon të garantojë një kujdes shëndetësor më cilësor, më gjithëpërfshirës dhe më pranë nevojave reale të qytetarëve, duke rritur profesionalizmin e stafit mjekësor dhe duke forcuar rolin e kujdesit parësor në Shqipëri.