
Dr. Erion Hamiti është mjek familjeje pranë Ambulancës Gjyrale, Qendra Shëndetësore Gostimë, Elbasan që prej vitit 2008. Prej një viti, Dr. Hamiti mbulon gjithashtu edhe Ambulancën Shtëpanjë duke ofruar shërbim shëndetësor për 5765 qytetarë në total. Ai është gjithashtu vullnetar pranë Kryqit të Kuq Elbasan dhe dhurues i rregullt i gjakut. Dr. Hamiti ka mbështetur ngritjen e Grupeve të Kolegëve për menaxhimin e sëmundjeve jo të transmetueshme dhe kujdesin ndaj të moshuarve duke shërbyer si facilitator. Biseduam së bashku mbi rolin e trajnimeve të realizuara me mbështetjen e HAP në përmirësimin e praktikës së përditshme klinike dhe rezultatet në shëndetin e pacientëve.
Sa i vlefshëm mendoni se ka qenë trajnimi mbi zbatimin e protokolleve të SJT-ve? Si ka ndikuar ky trajnim në praktikën klinike dhe kujdesin ndaj pacientëve me SJT?
Ky trajnim ka qenë një nga trajnimet më të veçanta dhe më të mira që ne kemi pasur mbi tema që ne i ndeshim gjithmonë në praktikën tonë të përditshme. Duke pasur shumë pacientë me sëmundje jo të transmetueshme si hipertensioni, dislipidemia, diabeti, astma bronkiale, SPOK-u, ky trajnim na ka ndihmuar të gjithëve si personel për të përmirësuar punën tonë. Sa i vlefshëm ka qenë? Për ne ka qenë shumë i vlefshëm pasi tashmë kemi filluar t’i shohim më me kujdes pacientët tanë, duke filluar që nga përdorimi i mjeteve të vendim-marrjes klinike/formularët që na japin akoma më shumë të dhëna dhe na e fokusojnë punën në asepektet kyçe të këtyre sëmundjeve. Pjesa e depistimit dhe e parandalimit të këtyre sëmundjeve është përmirësuar. Shërbimi që ne u japim pacientëve është më i mirë, pasi trajtimi dhe këshillimi bazuar në protokollet e reja është përmirësuar. Tani referojmë më pak pacientët tanë për një mendim tek specialisti sepse mund ta japim vetë duke pasur dhe ndihmën e protokolleve dhe manualeve.
Çfarë vështirësish mendoni që do të ketë zbatimi i këtyre protokolleve në punën e përditshme?
Për sa i përket zbatimit të protokolleve, një nga vështirësitë kryesore lidhet me parandalimin e sëmundjeve jo të transmetueshme nëpërmjet këshillimit/edukimit për ndryshimin e sjelljeve dhe stilit të jetesës. Kështu p.sh. ndalimi i duhanpirjes. Duhanpirja ka si rrezik kryesor zhvillimin e aterosklerozës, SPOK-ut dhe rëndimin e astmës. Kur u thua pacientëve që të bëjnë kujdes dhe ta lënë duhanin për shkak të pasojave dhe në lidhje me ecurinë e sëmundjes, pacienti e ka të vështirë ta pranojë. Një vështirësi tjetër është edhe modifikimi i terapisë së pacientëve të cilët janë mësuar me marrjen e së njëjtës skemë ilaçesh prej disa kohësh. Kur i thua këtyre pacientëve që protokollet e reja sugjerojnë që një medikament duhet marrë në një mënyrë/dozë ndryshe nga ajo që merr, ato e kanë shumë të vështirë për ta pranuar dhe këtu lind një “konflikt” ndërmjet mjekut specialist dhe mjekut të familjes i cili kërkon të zbatojë këto protokolle. Si mund të zgjidhet? Zgjidhja do të ishte që edhe mjekët specialistë të njihen me këto protokolle në mënyrë që të gjithë të jemi në të njëjtën linjë dhe të përmirësohet bashkëpunim mjek specialist – pacient – mjek familjeje.
Si mendoni t’i angazhoni dhe edukoni pacientët rreth menaxhimit të SJT-ve përkatëse në kuadrin e këtyre protokolleve?
Ne kemi rritur bashkëpunimin me infermieret sepse ato merren kryesisht me depistimin dhe këshillimin për parandalimin dhe menaxhimin më të mirë të këtyre sëmundjeve. Infermierja për situata të caktuara konsultohet me mjekun e familjes dhe kështu infermierja dhe ne si ekip MF-IF po bëhemi më bindës për këta pacientë. Jo të gjithë pacientët sillen njësoj kundrejt këshillimit për parandalimin dhe menaxhimin e SJT-ve, por ne mundohemi të bëjmë tonën deri në fund, dhe me durim besojmë se do ia arrijmë.
A keni vënë re ndryshime në gjendjen shëndetësore dhe cilësinë e jetës së pacientëve pas fillimit të zbatimit të këtyre protokolleve?
Po, kam vënë re ndryshime konkrete p.sh. tek dy pacientë me sëmundjen pulmonare obstruktive kronike (SPOK) në terrenin e një bronkiti kronik. Pikësëpari këto dy pacientë i kam këshilluar për të lënë duhanin. Më kanë dëgjuar deri diku, e kanë rralluar dhe synojnë ta lënë. Nga rrallimi i duhanpirjes kanë parë realisht që simptomat e tyre janë lehtësuar dhe janë ndier më mirë; një pacienti tjetër po me SPOK i kam këshilluar ndërprerjen e pompave (nuk përbënin indikacion për të sipas protokolleve të reja) dhe ai pas ndërprerjes së tyre ka parë përmirësim të diabetit. Kjo ka ndihmuar shumë në mirëqenien e pacientit, e para, sepse ka ulur sasinë e medikamenteve që ai merr dhe e dyta ai është ndier më mirë dhe ankesat e lidhura me diabetin janë zhdukur; shembulli tjetër lidhet me pacientët të cilët mjekoheshin për dislipidemi. Bazuar në protokollin e ri, mjekimi nuk duhet ndërprerë pas normalizimit të nivelit të yndyrnave në gjak. Më përpara, kur pacientët matnin yndyrnat dhe vinin re se niveli i tyre ishte normalizuar, ata e ndërprisnin mjekimin. Mirëpo pas një farë kohe ata vinin re përsëri rritje të yndyrnave në gjak. Tashmë pacientët këshillohen që ta vazhdojnë marrjen e medikamenteve dhe te këta pacientë, përveç normalizimit të qëndrueshëm të vlerave të yndyrnave është përmirësuar edhe hipertensioni dhe diabeti që shpesh shoqërohen me dislipidemi. Prandaj, mendoj se ka qenë një cikël trajnimesh shumë dobidhënës në praktikën tonë të përditshme dhe në cilësinë e jetës së pacientëve.
A mendoni se ka vend për përmirësim në këto trajnime? Në cilat aspekte?
Unë mendoj që do të ishte e domosdoshme të kishim një trajnim në lidhje me interpretimin e elektrokardiogramës që është një instrument i rëndësishëm i mjekut të familjes. Një mjek familjeje që interpreton mirë EKG-në do të parandalonte shumë referime te specialisti dhe do të referonte rastet me të vërtetë në nevojë për mendimin e specialistit. Një diçka tjetër … tashmë ka ardhur koha që Mjeku i Familjes të përdorë ekografinë ashtu si edhe mjekët e vendeve të tjera evropiane. Kjo do të na ndihmonte që të rriteshim nga ana profesionale, por do të ndihmonte edhe pacientin sidomos atë në zonat rurale, larg qendrave të qyteteve, siç është zona ku punoj unë që është një orë e gjysmë larg nga Elbasani, qendra më e afërt, për të bërë një eko abdominale.
Keni ndonjë gjë tjetër për të shtuar?
Gjej rastin të falënderoj HAP që ka sjellë shumë përmirësime jo vetëm nëpërmjet trajnimeve, por edhe nëpërmjet pajisjeve sidomos ato të lidhura me kujdesin në banesë, si p.sh. karroca me rrota, ose koncentratori i oksigjenit që kanë ndikuar drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së pacientëve që e kanë të pamundur të vijnë në QSH/ambulancë. Në mënyrë të veçantë po përmend aparatin e EKG-së portabël që ofron edhe interpretimin e EKG-së dhe na ndihmon për vendosjen e një diagnoze përpara se ta referojmë te specialist, jo vetëm gjatë vizitave në shtëpi por dhe në konsultimet në Qendër Shëndetësore/ambulancë. Më përpara këtu në ambulancën time ne ishim tri veta me një aparat tensioni. Tashmë falë HAP mjeku dhe infermieret kanë secili çantën e vet. Në pajisjet e çantës së mjekut po përmend çekiçin neurologjik që është i domosdoshëm për vlerësimin neurologjik dhe referimin me indikacion të qartë te mjeku specialist, oftalmoskopin, otoskopin me të cilët nuk kemi qenë të pajisur më përpara. Në përvojën time 16 vjeçare, bashkëpunimi me HAP ka qenë hera e parë kur ne na është mundësuar pajisja me një set të plotë instrumentesh, gjë që na ka ndihmuar ta realizojmë akoma më mirë punën tonë.